Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565

    Abat Prengë Doçi (1846-1917)

    PREND DOÇI (1846-1917)
    njohur edhe me emrin Prengë-shenim BARAT




    Pikëvështrim nga duhet parë vepra e “munguar”. Shpesh ka ndodhur që figurat e mëdha të kulturës, të cilët jetën e tyre e kanë gërshetuar me politikën, të mos vlerësohen në kohë. Stinët politike që kanë ardhur më pas nuk kanë lejuar klimën e duhur për ndriçimin e veprës së tyre. Është dashur kohë që të dalin nga terri i harrimit. Si kompensim i dhunimit të gjatë ka ndodhur që ndonjëri të ngjitet në “zenit” nga dishepujt, pas nënçmimit ka ardhur si për çudi mbiçmimi. Kjo luhatje e skajshme ka qenë shërbimi më i keq për disa korifenj të kulturës. Në lidhje me Prend Doçin ka ndodhur vetëm proçesi i nënçmimit. Me sa duket nuk ka për të ndodhur dhe e kundërta. Madje vendosja e tij në vendin që i takon ka për të qenë punë e vështirë. Megjithë njëfarë evokimi e shpalimi të figurës së tij këto vitet e fundit, për shumicën e shqiptarëve ai vazhdon të mbetet gati ashtu si në kohën e tij shumë i përmendun e pak i njohur, sic e ka përcaktuar Shahin Kolonja. Mbase prej domethënies së kësaj sentence duhet nisur hulumtimi e analiza.

    Shumë i përmendur, por pak i njohur
    Pse kështu? Për shkak të veprës së “munguar”? Si ka ndodhur? Nuk u shkrua? Humbi më vonë? Apo çështja qëndron krejt ndryshe?
    Për Doçin dhe veprën e tij që kur qe gjallë e më pas janë shprehur njerëzit më të mëdhenj të kohës e të mëvonshëm, shkrimtar si Gjergj Fishta, Faik Konica, Asdreni, Filip Shiroka, Ali Asllani, Ndoc Nikaj, Milto Sotir Gurra, arbëreshë të shquar si Dhimitër Kamarda, Zef Skiroi e Gaetano Petrota pa harruar dhe korrespondencën e tij me De Radën; gjuhëtarë si Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi; politikanë si Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi; publicistë si Shahin Kolonja, Sotir Peci e Milo Duçi; dijetarë të njohur bashkëkohës e pasardhës si At Pashk Bardhi, At Pal Dodaj, Dom Nikoll Sahatçia, Pal Dukagjini; studiues të letërsisë si Dhimitër Fullani, Regjep Qosja, Jorgo Bulo, Muhamet Pirraku, Ëngjëll Sedaj, Isak Ahmeti; prijës e krerë të Mirditës si Prengë Bibë Doda, Prengë Marka Prenga; personalitete të Europës si Edit Durham, Franc Nopça e deri Peter Bartl në ditët tona; duke vecuar sidomos kontributin e e biografit të tij Pal Doçi në monografinë “Prend Doçi- Abati i Mirditës (jeta dhe vepra)” shkruar vite më parë e publikuar më 1997. Megjithatë Prend Doçi është në “zbulim” e sipër si shumica e shkrimtarëve katolikë të Veriut, deri më tash si një “brez i humbur”. Kemi të bëjmë me një personalitet të lartë që është folur si për rrallëkënd në kohën e vet dhe në ato të mëvonshme, nga vendas e të huaj, nga arbëreshë e kosovarë, nga muslimanë e katolikë, nga vendlindja e diaspora, nga qarqet intelektuale brenda dhe ato të europës.

    “Imzot Doçi s'ka shkrue pak, por gjithherë pa emën”.
    Prend Do ç i shkroi me pseudonimet “Primo Doçi” , “Një djalë prej Shqypnije” dhe mendohet se dhjetra artikuj janë të tijtë. Ai kishte bashkëpunuar që herët me revistën e De Radës “Flamuri i Arbërit” , bashkëpunëtorë të së cilës ishin shqiptarë dhe arbëreshë si Z. Jubani, Th. Mitko, S. Dine, N. Naço, P. Doçi, G. Dara (I Riu), A. Santori etj. Edhe kur ishte në Indinë Lindore me mision apostolik përsëri bashkëpunon me revistën e De Radës, ku në tetor të vitit 1883 boton artikullin “Topografia e Lezhës në Shqipëri”.
    Shkrimet publicistike dhe relacionet kishtare që dërgon Vatikanit dëshmojnë një stil modern, ndonëse ka munguar deri tani një hulumtim i mirëfilltë i gjithë lëndës së shkruar prej tij, çka do të krijonte mundësinë për një gjykim më të plotë. Jo më kot disa herë është vënë në dukje se “Emzot Doçi s'ka shkrue pak, por gjitherë pa emën”. Doçi përmendet si një gojëtar i spikatur.
    Prend Doçi, një intelektual i madh i kohës, ia kishte mbushur mendjen Fishtës që të vazhdonte “Lahutën” e të këndonte si një rapsod homerian i maleve të Shqipërisë. Është po ky që përkrah Ndre Mjedën në hapat e parë duke zbuluar tek ai poetin, intelektualin e aftë me dhunti e përkushti për shkencën, gjuhën, kulturën. Akoma më tepër, “humbësi i madh”, i vetvetes nxiton ta presë shekullin e ri me një institucion letrar e gjuhësor brilant në qendrën më të rëndësishme kulturore të vendit që nga antikiteti, në Shkodër, mes ajkës së dijetarëve dhe atdhetarëve rilindas. Pikerisht në këtë kohë ndodh “konvertimi” i shkrimtarit me njeriun e shkencës. Veprën e tij tash e mbrapa duhet ta kërkojmë pikërisht te shoqëria prestigjioze “Bashkimi”, ashtu si një pjesë e të krijimtarisë së Konicës në vetë revistën “ Albania ” si drejtues i saj në radhë të parë. Dihet se Doçi ka qenë një ithtar i rralë i gjuhës shqipe. Si i tillë detyrimin ndaj saj ai nuk e shihte thjesht në pastërtinë e gjuhës së vjershave të tij. Vëzhgimet vetjake për të folurën e krahinave të vecanta, trajtimet modeste të gjuhës gjuhësire në shkrimet publicistike etj. - per me shume kliko KETU

    (Materiali është pjesë e botimit studimor "Toka e Katedraleve" me autor Ndue Dedaj)



    ------------------------------------------



    Abat Prengë Doçi (1846-1917)



    Hyrje
    Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga meshtarët e zelleshëm dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës meshtarake dhe atdhetare; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, e cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindasëve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftave ballkanike dhe Luftës së Parë Boterore gjendjej në sprova të rënda qeverisje.

    Kush ishte Abati i nderuar
    Preng (d) (k) Doçi (Dochi), lindi më 7 shkurt vitit 1846, nga baba Për (Pren apo Pjetër) dhe nëna Mria (Maria) në lagjen e Parasporit, në luginën më të bukur në botë, atë të Bulgrit, siç e quante këtë luginë, romancieri i njohur Fabian Barkata, në romanin e vet Lule. Lugina e Bulgrit, gjendet në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Kurdo, në çdo stinë të vitit, në këtë luginë syri sheh vetëm blerim, dhe përreth e qark syri vëren një rreth të bukur pyjor. Në këtë luginë duke u shoqëruar më gurgullimën e lumit Fan të Mirditës, i cili krijonte tinguj të bukur kumbues, nisi Prendi i vogël, të dashurohej me vendlindjen.

    Hapat e parë të njohurisë më Kishën dhe më germat e abetares, Prendi i bëri së bashku më të emën duke shkuar në Kallmet, ku ishtë rezidenca ipeshkvnore e Lezhes. Aty vazhdoi të qëndronte për disa vite deri sa përfundoi shkollën fillore. Në moshën 14 vjeçare, pikërisht në vitin 1856 hyri në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku qëndroi deri më 1861. Në Seminar u dallua për zell dhe mësime të mira, kështu në vitin 1861 u dërgua në Kolegjin Urban të Romës për studimë të larta teologjike. Gjatë studimëve në Romë, pati rastin të njihej më letërsinë Arbëreshe, historinë e Shqipërisë dhe poetin e madh Jeronim De Rada.

    Veprimtaria meshtarake
    Pas përfundimit të studimeve në vitin 1871, Dom Preni i pajisur më njohuri u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur me të afërmit dhe vendlindjen u caktua famullitar në Korthpulë.

    Krahas kujdesit për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për gjendjen e vështirë të mirditasve nën zgjedhën Osmane. I frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas përkujdesit shpirtëror të besimtarëve u dha pas çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë viteve 1872-1875.

    Kryengritja e viteve 1876-1977, të mirditasve kundra osmallinjve, ishte rezultat i organizimit të dom Prekë Doçit dhe bajraktarit të Mirditës Preng Bibë Dodës. Puna rreth këtij organizimi bëri që ipeshkëvi i dioqezës së Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak me kombësi nga Ukraina, ta suspendonte (shkishëzontë) dom Prengun nga shërbimët meshtarake. Dom Prengu, duke qenë tashmë i vëtëdijshëm së çfarë mendimi ka ipeshkvi për të, duke mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal së bashku me shumë bashkfshatarë. Kështu në muajin maj të vitit 1877 dom Prengu së bashku me disa shokë u nisën nëpër shtigje malore për të shkuar në Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër sepse në Vuthaj të Guicë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej e dërguan në Pejë dhe më në fund në Stambol të Turqisë. Nga kjo ditë për dom Prenkë Doçin, 31 vjeçar rifilloi një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar nëpër tre kontitente të botës.

    Prend Doçi 11 vjet në mërgim
    Pasi u dërgua në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendasi, Nikollë Përlaskajt, i cili kishte qëlluar roje nëburgun e Konstadinopolit të atëhershëm, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë çështje ndërmori aksionin për ta liruar dom Prendin. Në fund ia doli kësaj pune në krye dhe Doçi u lirua nga burgu me kusht që të largohej jashtë perandorisë osmane. Dhe i gëzuar pa masë, dom Prendi me ëndje u nis për në Romën e endërruar. Ai më 7.VII. 1877, nga Roma i dërgoi letër arqipeshkvit të Shkodrës duke i lajmëruar se mrekullisht doli nga kthetrat e ushtarëve turq dhe se tashmë gjendej në Romë, në Kolegjin Urbano ku i kishte përfunduar studimet e veta.

    Meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri, Doçi duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë u nis për mision në Tokën e Re (Amerikë) në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë që shkeli kontinentin e ri. Dom Prendi duke qëndruar në anën tjetër të rruzullit tokësor, nga malli për vendin e vet shpesh në mengjes i drejtohejdiellit: “Ç'prune prej dheut të Evropës? A mi ke pa ata të mijët?” Nërsa në mbrëmje thoshte: “Mule e mu ço shnet atyne të mijve atje nalt ku vet e di?”

    Për qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze Brunswick, dëshmoi edhe gazeta e kohës “The morning Freeman”, të Brunswickut më 22 tetor të vitit 1881. Në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë Doçi paraqitet si një shembull shumë interesant i atdhedashurisë.

    Në vitin 1883, dom Prendin e kishn thirrur në Evropë me shpresa kthimi në Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883 u gjend në Romë. Për të qenë sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dergoi më 5 maj po të këtij viti misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundraj përpjekjeve që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës P. Guerrini, për t'ia mundësua kthimin në vendlindje, Doçi me plot hidhërim u detyra të marrë anijen e përgjatë brigjeve të Shqipërise të merrte rrugën për në Athinë. Për shkat të shpifjeve të cilat i bënte Ipeshkvi i Lezhës, Malçinski drejtuar për nga Stambolli dhe Roma, Dom Prendi në vitin 1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë rrugë tashmë në kontinentin e Indisë, pikërisht në Bombei, i caktuar sekretar i kardinalit Antonio Agliardi. Atje, si njohës i mirë i italishtes, latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar mes të intelektualëve të Bombeit.

    Kthimi në vendlindje
    Sado që ishtë mirë nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e qetësi. Dëshira e tij e vetme ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas kërkesave të parreshtura nga ana e tij, nga Bombei dhe Roma për tu këthye në vendlindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar nga djem të Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si abat i Abacisë Nullius (Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh.

    Papa Leoni i XII me dekretin “supra montem Miriditarum”, datë 25 tetor 1888, e kishte përtrirë Abacinë e Shën Lleshdrit, duke e shkëputur nga jurisdikcioni e ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt të varur nga Selija e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej famullive te Oroshit e të Spaçit, i shtoheshin edhe pesë famulli të tjera të shkëputura nga Diqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni i Shenjt i Propogandës, me dekretin “Ssmus D: N: Leo “, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte Dom Prengë Doçin së Papa Shejt e kishte zgjedhur Abat të Mirditë.

    Duhet theksuar se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret të 30 shtatorit 1890, të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke i shkëputur nga dioçeza e Sapës. Me dekret të 31 marsit 1894 Selia e Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur nga dioçeza e Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe me dekret 2 korrik 1906 Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit që i përkiste Sapës. Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.

    Veprimtaria letrare
    Abati Prend Doçi, përvese një diplomat i shquar, nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjeshshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916 dhe Kalendar për të Gjithë, të vitit 1925. Ai edhe pse në të shumtën e rasteve shkroi pa emër, ka publikuar rreth 32 vepra. Ndër të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Koletsit të botuar për nëntë vjet nga shoqëria “Bashkimi”. Doçi me themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899 dhe të ortografisë shqipe me germa latine, zë vend të merituar në literaturën shqiptare. Përveç librave të botuar prej kësaj shoqërie, kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të 1908 ës, që u miratua më pak ndryshime. Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.

    Vdekja e Abatit
    Më 17 shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet !E ndien veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim zemre! “I ka ditët e numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat Doçi kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet, (Ps. 89.10)”, të cilat i kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu i bërë gati, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30.

    Vdiq bariu i mirë, letrari, atdhetari, duke ia ndërtuar vetes monumentin me vepra të pavdekshme.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Preng Doçi ky përsonalitet i madh i kulturës dhe kombit shqiptar



    Nga Gjon Marku



    Preng Doci lindi më 7 shkurt të vitit 1846 në lagjen Parasporit në luginënë e Bulgërit. Shkollën e nivelit të ulët ai e kryen në Kallmet ku ishte rezidenca Ipashkëvnore e Lezhës. Në moshën 14 vjecare, viti 1856 hyri në Seminarin Papënor të Shkodrës, ku qëndroi deri në vitin 1861 kur shkoj në kolegjin Urban të Romës. Në vitin 1971, kthehet në atëdhe i caktuar si famullitarë në Karthpulë. Në vitin 1872 ai bëhet Kapelan dhe sekretar i Abatit të Oroshit Gaspër Krasniqi deri në vitit 1875.

    Gjatë kryengritjeve të vitit 1876-1877 ai braktisi gjithcka dhe u bashkua me forcat krengritëse antiturke. Ishte ky shkaku që Ipeshkëvi i Dioçezës së Lëzhës, Francesko Malcini, shtetas austriak, me kombësi ukrainase e shkishëron Dom Preng Doçin nga shërbimi kishtarë.

    Në vitin 1877, Dom Preng Doci u nis me shumë shokë për të shkuar në Cetinë, por nuk mundën të mbërrinin, pasi në Vuthaj të Gucisë, u zunë nga ushtarët turq dhe prej andej u dërguan në Pejë dhe më pas në Stamboll të Turqisë. Këtu 31 vjecari Preng Doçi fillonë një jetë plot sprovë e cila zgjat jo pak por 11 vjet. Pas njëmbëdhjet vjetësh ai dënohet për tu kthyer në Shqipëri dhe endet në shumë vende të botës.

    Në vititn 1883-1884 u dërgua në Athinë me detyrën e sekretarit të Arqipeshkëvit Katolik të Athinës Marango. Gjatë rrugës Tivar- Pirae Preng Doçi u ndal në Korfuz ku pati takim me anëtarët e Komitetit Shqiptar të atjeshëm dhe me atëdhetarë nga Çamëria. Në Athinë ai vijon lidhjet me shqiptarëte dhe me patriotët shqiptarë në Greqi. Shërbimet në Tivarë dhe në Athinë i shërben si urë lidhje me Shëipërinë.

    Mbërrinë në Shqipëri në vititn 1888 me 6 nëntor dhe i shoqëruar nga djemt e Mirditës shkel katund më katund për të mbëritur në Orosh si Abat i Abacisë Nillius të Oroshit.

    Papa Leon i XII me dekret “Supra montenum Mirditarum” dt 25 tetor 1888, e kishte përtërirë Abacinë e Shën Llezhdrit, duke e shkëputur nga juridiksioni i Ipeshkëvis së Lezhës, dhe duke e shpallur këtë Ipeshkëvi drejtpërdrejt të varur nga Selia e Shenjtë në Romë. Kongregacioni i shenjtë i propogandës Fide me drekret S.Smus D: N: Leo” dt 27 tetor 1888, lajmëronte se Dom Preng Doçin Papa e kishte zgjedhur si Abat të Mirditës.

    Duke qënë një njohës i thellë i qështjes shqiptare në të katër vilajetet dhe sidomos njohës i thellë i gjendjas fetare dhe kombëtare në Epir, ai i drejtohet selis së shenjtë me një “promemorje” të cilën po e japim të plotë më poshtë (botohet për herë të parë në shqip)

    Doci propozon që; Misioni Katolik në Epir të ketë sukses ai propozon që në epir të caktohen klerik Arbëresh, të ardhur shekuj më parë prej Epiri prej Votrës amtare. Njëherësh synon që të caktohen dhe ato në përbërje të misionit, pra, të kthehen në Shqipëri. Nuk kemi akoma të dhënë se jejonë pati praën Selis së Shenjtë kjo promemorje.

    Perveqse diplomat i shquar, Abat Doçi nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë dhe prozën e shkroi me nje gjuhë të rrjedheshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit1916 dhe Kalendar për të gjithë, të vitit1925.

    Ai në vitin 1898 hap të parën shkkollë laike në Mirditë në Orosh dhe një vitë më vonë sëbashku me Fishtën, Gurakuqin, Dom Dod Kolecin etj. themeloj shoqërinë “Bashkimi në Shkodër” e cila ka publikuar rreth 32 vepra, ndër të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Kolesit të botuar për nëntë vjet nga shoqeria “Bashkimi” në vitin 1899 dhe të ortografisë shqipe me gërma latine, zë vend të merituar në literaturën shqiptare.

    Përveç librave të botuar të prej kësaj shoqërie, kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të 1908-ës, që u miratua më pak ndryshime.Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.

    Vdiç më 22 shkurt 1917, në orën 14.30, ndërsa në 17 shkurt, duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shetitur në mes të murlanit, në oborrin të Abacisë ndjeu dobësi dhe u rrëzua. E vizituan dy mjek austriak që ndodheshin në Orosh me ushtrinë dhe e diagnostikuan me bronkopolmoni e dobsim zemre.


    ----------------------------------


    Promemorje drejtuar Papës

    “Epirjotët – adhurues të se vërtetës”



    Hirësi e nderuar.

    Ndërsa Hirësia Juaj përciell mendimin e çmuar dhe në krahinat më të lashta të hemisferit, diku për të mbështetur e përforcuar misionet e vjetra, diku për të krijuar të reja nuk do të jetë pa vend në qoftë se unë do t’ju flas për një pjesë të madhe të vendit tim. Për Epirin, ku po të krijohet një mision, zelli juaj do të kurorzohet, me siguri, me një sukses të lumtur. E para; është mjaft afër. Ai shtrihet gjatë bregut të deit Jon nga Gjiri i Artës deri në portin e Vlorës, duke përfshirë Manastirin në Kufi me Maqedoninë dhe Mecovën në shpatet e Pindit; E dyta; sepse rrethanat e kohëve të tashme dhe qëndrimi i mirë i këtyre popujve të ushqejnë besimin që tani ka ardhur koha edhe për ta rikthyer në gjirin e kësaj kishe prej të cilës janë gjetur larg jo se ata janë rebeluar por për një rast të vajtueshëm.

    Duke vijuar ende sundimi i Portës së Lartë në Epir, nuk e teproj po të them se është e lehtë që kjo pjesë e shqiptarëve të kthehet (në fenë katolike) – shërbimi ynë, P. D. e cila, pas pushtimit osman qe shtërnguar të ndërroj fenë dhe të përqafojë kultin e Muhamedit. Flas, pra, për ata që do të thosha, se pa e ditur, u gjendën anëtar të kishës greke shizmatike.

    1. Si ortodoksërt dhe myslimanët, në shekullin e XV, ishin të gjithë katolik., por në kohën e Perendorisë Bizantine u gjendën nënë varësinë e Patriarkut të Kostandinopolit… Populli që ju qep maleve të Epirit për të mos ndryshuar fenë, me kalimin e kohës pa të kthehen midis tyre priftër, murgjër e peshkopë si nga Greqia ashtu edhe nga Kostandinopoli. Por këto sollën midis tyre shizmën (fenë ortodokse) që për shkak të urrejtjes ndaj papëve dhe të popujve të Europës perendimore Qeveria Osmane kishte filluar ti toloroj në perendorinë e vet.

    Me kohë filluan të vinë në Epir edhe Grekët, dhe vlahet. Por popullsia shqiptare epirjote është shumë më e madhe përderisa gjithë ortodoksët e Epirit arrinë në 600 000 banorë. Katolik nuk ka në këto anë vec disa qindra të shumtën tregtarë e punëtorë të përhapur në qytetet kryesore të cilët kanë ardhur nga Shqipëria e Epërme, nga Italia ose vendet e tjera dhe i përkasin ritit latin. Këto kanë në Prevezë një misionarë italjanë, në Vlorë një tjetër, pra në dy skajet e këtij vendi shumë të gjërë. Janina qyteti i parë dhe qëndrorë është vaçant prej kohësh. Kryepeshkopi i Durrësit ushtron juridiksionin mbi qytete. Kisha Ortodokse që është nënë juridiksionin e Patriarkut të Kostandinopolit ka seli të ndryshme peshkopësh në Epir, si në Janinë ku është orakulli antik i Dodonës, në Berat ose Belgradin Shqiptarë, në Përmet, në Delvinënë Paramithi ose kështjella e shën Donatit etje. Ka një numër të madh klerikësh dhe manastire të ndryshme. Ato janë shpërndarë në qytete dhe krahina. Qytete të njohura si Preveza, Pargu, Himara, Delvina, Argjirokastra. Tepelena ku ortodoksët janë të shumtë dhe kanë shkolla e klerin përkatës. Durrësi i shtrirë në shqipërinë e mesme (me Tiranë dhe Elabasan), ka shumë ortodoks, të cilët nëpërmjet shkollave dhe mjeteve të tjera kishat ortodokse kërkojnë t’i fusin nënë ndikimin dhe mbështetjen me para të Greqisë.

    Duke vënnë në dukje në mënyrë të veçantë se ka disa kohë që mirëkuptimi midis vetë epirjotëve (shqiparëve-P.D.) dhe epirjotëve grek ka pushuar të jetë e përzemërt. Ky symptom vihet re edhe te kleri. Edhe antipatia ëshë shkaktuar nga vetë Patriarku i Kostandinopolit, i cili ka shtyrë Qeverinë Osmane të mos lejojë literaturën shqipe në Epir. Greqia ka mbështetur këtë patriark në synimet e tij, duke ndaluar gjuhën shqipe në shkollat e tyre në Epir. Pra, si njeri si tjetri janë ngritur haptazi si armiq të kombit shqiptar. Greqia, ka dhënë edhe prova që do të shkëpusë lidhjet midis Shqipërisësë Epërme dhe Epirit, duke pushtuar ose duke e bërë të vetin këtë të fundit. Dhe Epirotët duke kuptuar se qëllimi i Greqisë nuk është emancipimi i Atdheut të tyre, por nevoja që ka Greqia për të formuar një ushtri të vetën me djemtë e shqipërisë dhe përtë paguar borxhet më pasuritë e këtij vendi shumë pjellor.

    Forca lëvizës e çdo shqiptari, qoftë mysliman qoftë i krishterë (ortodoks) është dashuri për ATDHEUN, ndjenja e ruajtjes së kombësisë dhe e gjuhës së vet. Në qoftë se ata do të arrijnë të kuptojnë se bashkimi në një fe është një mjet për të ruajtur të paprekur gjuhën dhe kombësinë e tyre, pa ngurrim përqafonin atë.

    Grekët dhe sidomos shqiptarët janë tepër konservator të traditave të tyre të lashta, sidomos në punëne gjuhës dhe kultit. Në Greqi janë rreth 500.000 shqiptarë, të cilët recitojnë ende lutjen në gjuhën e vet dhe në greqisht.

    Madje në Epir, sapo të hiçet pengesa e ritit dhe e misionarëve latin, vështërsitë e kthimit në fenë katolike do të jenë shumë më të vogla. Meqë ato nuk janë shklëputur nga kasha romake për shkak të ndonjë rebelimi, në zemrn e epirjotët janë ende katolik. Ata janë nga natyra krenarë, të nderëshëm e fisnik dhe e duan të vërtetën…Madje në këtë kohë kur ata dëshirojnë të shkëputen plotësisht nga Greqia dhe Kostandinopoli kujdesin dhe mbështetjen e Selis së Shënjtë do ta shikonin si një shenjë paralajmëriuese të çlirimit të afërt e të përparimit të tyre …Ata e dinë se Selia e shenjtë nuk ka asnjë interes për të shkatërruar Kombin e tyre dhe për ta zevendësuar me një tjetër gjuhën e stërgjyshërve të tyre të lashtë, pellazgëve.

    Pastaj është e sigurtë që myslimanët e Epirit, me një ndërrim të administrratës fetare bahen të krishterë, meqë në zemër janë të tillë me kohë. Është gjithashtu e sigurtë se ato nuk do të bëheshin ortodoks vetëm sepse urejnë Grecinë. S’ka dyshim se ato do të përçafonin fenë tonë, në qoftë se kjo, në këto ndryshime, do të kishte zënë rrënjë në këtë vend se vetëm kjo duke thënë të vërtetën, ka qënë feja e gjyshërve të tyre Myslimanët e Epirit arrinë në afro 700.000(2)

    Ndërkaq, me që hirësia juaj me urtësi e quan opurtune të krijoj misione në Epir, shpresoj se nuk do ta ketë të vështirë të gjej misionarë shqiptar të ritit grek e të gjuhës së epirit, që është e njejtë me atë të shqiptarëve të Kalabrisë dhe të Sicilisë Peshkopët dhe kleri i këtyre kolonive shqiptare mund të japë edhe mjetet e nevojëshme që ndërmarrja e tyre bëmirëse të dalë me sukses , duke formuar shoqata dhe duke mbledhue fonde ndër bashkëatdhetar e tyre në Itali të cilët nuk janë të pakët. Këto shqiptarë, të cilët kanë emigruar fill nga Epiri në shekullin e XV e duan me shpirt atëdheun e tyre të lashtë dhe kanë besim se me një shenjë të Selis së Shenjtë do ti përvishen punës për të kthyer vëllezërit e vet me gëzim dhe shpejtësi Ata me siguri do të mirëpriten në Epir ku ende vajtohet largimi i tyre. Ata janë të ditur dhe kanë mësuar në Itali për ti përdoruur mjetet e qytetërimnit të krishterë me oportunitet sipas vendit dhe kohës. Ndoshta edhe Qeveria Osmane do ta shohë ardhjen dhe veprën e tyre në Epir, me më pak dyshim se atë të Greqisë.

    Ju lutem Hirësi të më falni për lirinë me të cilën e parashtrova këtë promemoprje lidhur me misionet në Epir

    Me ndjenjë të nderimit të thellë Ju puth unazën shpirtërore i urtë dhe i bindur i Hirësis suaj.



    Romë. 20 tetor 1886

    Preng Doci

    Nxjerr nga libri;

    F . Gordignano. L’Albania a traversol’ operare… vol. 3f 299-301

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Abat Prengë Doçi (1846-1917)

    Abat Prend Doçi- frymëzuesi i kryengritjes së Mirditës

    Emri:  Capture-191.jpg

Shikime: 4

Madhësia:  41.5 KB

    Për t’ia bërë të njohur fuqive të mëdha kërkesat e kryengritjes së fiseve katolike të Shqipërisë Veriore dhe për të bashkërenduar më pas përpjekjet me vendet fqinje për çështjen shqiptare, kuvendi ngarkoi Prend Doçin. Është përpjekja e parë me theks të mirëfilltë diplomatik që edhe pse ishte i mirëstudiuar, për fat të keq mbeti në kuadrin e një misioni të pamundur. Rrugëtimi i këtij misioni nisi direkt nga kuvendi i fundit që u mbajt në Breshtë të Oroshit në fillim të majit të atij viti. Me qëllimin për t’u vetakredituar jashtë territorit të perandorisë osmane dhe pastaj nëpërmjet Malit të Zi Prend Doçi do të udhëtonte për në Vjenë, Romë, Paris dhe Londër.
    Të njëjtin itinerar dhe pak a shumë me të njëjtin qëllim do të ndjekë 35 vjet më vonë edhe plaku i Vlorës. Ëndrra zgjati pak, bile shumë pak. Brenda disa ditësh gjithçka u përmbys. Abati u arrestua brenda territorit të perandorisë Osmane në fshatin Vuthaj në afërsi të Gucisë.
    Rastësi? Apo diçka tjetër? Askush nuk e di të vërtetën. Dekonspirimi që në nisje i këtij misioni që ndryshoi kryekëput jetën e famullitarit të Kalivares ngacmon akoma sot mendjet e studiuesve të ndryshëm. Në letrën e datës 7 maj 1877 që Kalona Çekaldi, konsulli i Francës në Shkodër i dërgon Dukës Dëkaz në mes të tjerash shkruhet… “Abat Don Primoja dhe kapedan Gjon Doda, një kushëri i Preng Bibdodës, po shkojnë nëpërmjet shtigjeve malore në Cetinë për të bashkërenduar me Malin e Zi kryengritjen e mirditorëve. 81 Pra, konsullata e Francës në Shkodër ishte në dijeni të plotë të lëvizjeve të Prend Doçit ndoshta edhe të misionit të tij! Jo vetëm kaq, por nga mënyra se si komunikon në këtë letër konsulli me shefin e tij, ministrin e jashtëm (nënvizojmë “abat don Primoja”) kuptohet qartë që Prend Doçi ishte në fokus të diplomacisë së heshtur franceze si nxitës jo i kontrollueshëm i qëndresës antiosmane në Shqipërinë e Epërme. Vetëm një javë më vonë, po ky diplomat me një gjuhë krejt tjetër do të jetë i pari që do të njoftojë telegrafisht departamentin përkatës të M.P.J. për arrestimin e Prend Doçit dhe të personave që e shoqëronin. Misioni për abat Doçin mbeti për shumë vite një vegim tronditës plot ngjarje të papritura sa të vështira dhe të hidhura po aq të këndshme dhe shpresëdhënëse që e mbajtën përherë të lidhur me atdheun e tij.
    Arrestimi
    Për arrestimin e Prend Doçit dhe ngjarjet që e pasuan atë kanë shkruar shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ku lexuesi i interesuar mund të shuaj këndshëm kureshtjen e vet. Duke qenë sa dashamirës po aq edhe selektiv në vlerësimin e kontributit të tyre, nuk mund të mos deklarohem që në fillim që, për shumë arsye jam i prirur të anoj nga dëshmitë që na kanë lënë At Pashk Bardhi dhe Dom Prend Suli. … “Ikjen, kapjen, burgosjen dhe pshtimin e tij unë këtu jam duke i shkruar ashtu si m’i ka treguar ai vetë me gojën e vet…” – shkruan At Pashk Bardhi. Si me e ditë që pasaardhësit do të ndeshen edhe me variante të tjera, më tej autori vazhdon: … “Me qëllim kam pyetur edhe Fort të Nderuarin Dom Ndoc Nikaj, që ka qenë mik intim i tij, e ai më ka vërtetuar se si më ka treguar mua ashtu i ka treguar edhe atij. Prej kësi kallëzimi duket se t’Imzot Doçit në këto rrethana i ka ecur fati mirë, ose, si thotë populli jonë, ka qenë njeri me orë. E ka pasë gjithmonë orën çuet”, – përfundon autori. Nga një tjetër letër të Kalona Çekaldit konsulli i Francës në Shkodër dërguar Dukës Dëkaz që mban datën 22 maj 1877 mësojmë që Prend Doçi dhe gjashtë nga organizatorët e rezistencës së malësorëve të Gomsiqes në qafë të Gurit të Prerë të Shënpalit dhe kapedan Gjon Marku, të burgosur, pas një qëndrimi prej 4 ditësh në burgun e Prishtinës janë në udhëtim për në Stamboll. Gjë që do të thotë se arrestimi i tyre të ketë ndodhur rreth datave 16 dhe 17 maj. Ndalesa e parë e skalionit që shoqëronte të burgosurit është në burgun e garnizonit ushtarak në afërsi të portit në Selanik. Këtë e vërteton dëshmia e vetë Prend Doçit që na vjen nëpërmjet bashkëkohësit dhe mikut të tij të afërt At’ Pashk Bardhit. Autori këtu nuk i përmend dukagjinasit që kapedan Gjon Doda synonte t’i merrte me vete në Mal të Zi. Nuk përmend as Kolë Marçunin që u arrestua së bashku me abatin. Nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ishte më i moshuar, dhe gëzonte besimin e abatit. Pasi i kishin ngjeshur në një dhomë fare të vogël, pas 37 orësh u kishin sjellë një legen me çorbë dhe 4 lugë me të cilat shtatë vetë duhet të shuanin urinë dhe lodhjen e një udhëtimi të gjatë me duar dhe këmbë të lidhura. … “Porsa hañgernë at çorbë, ra nji buri, e me njiherë u çil dera e burgut, e nji oficer turk u tha me za të mekët: – Arnaut, jashtë! Në oborrin e madh para sarajit, mjegulla e dendur e mëngjesit ndrydhte horizontin e detit përballë. Ajri i freskët sikur u lehtësoi frymëmarrjen dhe u kthjelloi pamjen. Përgjatë murit që shërbente ndoshta si pritë dalluan një radhë ushtarësh me armë në dorë. Iu duk se po përjetonin çastet e fundit. – Shpresë në Zotin padër, se janë tuej na çue me na gri pëshpëriti kapiten Gjoni. – Përse në dasht! Iu përgjigj me gjakëftohtësi abati. Veç të ketë me më marrë plumbi në planc, pse deri më sot nuk kam hangër kurrë gjanë e Dauletit. Veç qiket çorbë, edhe këtë po due me ia lanë këtu”. Por asqeri ishte në punë të vet dhe nuk kishte pas punë me ta. I futën në vapor dhe i nisën për në Stamboll. Në vapor, po sipas At Pashk Bardhit, ato u takuan me Pashko Vasën i cili e kishte ndërmarrë atë udhëtim qëllimisht për t’u takuar me to. Mësohet t’u ketë folur, pse nuk kishin qëndruar deri në vdekje, sepse zor se mund t’i shpëtojnë hujit të Dervish Pashës. Sipas Nopces ata kanë rezistuar! Mbas një udhëtimi teje të vështirë, në orët e vona të një nate pus të errët me rrebeshe shiu të një pranvere të vonuar, vapori u ankorua në skelën e Stambollit. Ishin të fundit që lanë anijen. Ndryshe nga pasagjerët e tjerë, ata nuk zbritën në tokë, por në barkun e errët e një tjetër anije rrangallë që ngjante më shumë me një thark lundrues që mezi mori udhë nën peshën e rojeve të dyfishuara për në “Stacionin e fundit”. Kështu quhej në zhargonin e vendasve burgu i të huajve (jo osman) ndërtuar rrëzë një masivi shkëmbor, në një grykë të vetmuar, jo larg portit.
    Jeta “Lojë shansi”
    Arrestimi i papritur i Prend Doçit dhe dërgimi inkonjito në Stamboll pati një jehonë të dhimbshme jo vetëm tek mirditorët por edhe në të gjitha fiset katolike të Shqipërisë së Epërme. Në krye të përpjekjeve për shpëtimin e jetës së Prend Doçit u vunë menjëherë krerët më të lartë të hierarkisë kishtare. Ipeshkvi i dioqezës së Sapës Giulio Marsili dhe eprori i françeskanëve, të cilët në emër të të gjithë anëtarëve të tjerë të klerit katolik, nëpërmjet konsullit francez në Shkodër i kërkuan qeverisë franceze të ndërhyjë sa më shpejt pranë Portës së Lartë për shpëtimin e jetës së abat Prend Doçit.
    Jo vetëm qëndrimi personal i konsullit ndaj kërkesës së Imz. Marsilit por edhe predispozita e qeverisë franceze shprehet qartë në letrën e tij nr. 165 dërguar Dukës Dëkaz me datë 22 maj 1877. … “Nuk ua fsheha lutësve që mënyra se si ky prift, interesant si nga mosha e re, nga mençuria dhe nga patriotizmi, ishte përzier në turbullirat e Mirditës, e bënte mjaft të vështirë ndërhyrjen tonë në dobi të tij, aq më tepër që qeveria franceze, me ndërmjetësinë time nuk kishte pushuar së paralajmëruari Preng Dodën dhe përkrahësit e tij mbi rreziqet në të cilët e vinin edhe veten e tyre…”. Jo vetëm kaq, por konsulli francez në Shkodër si njohës dhe përçues i mirë i politikës, për mendimin tim jo dashamirëse shkon edhe më tej, dhe me një gjuhë diplomatike të kujdesshme guxon të këshillojë shefin e vet më të lartë të veprojë, nëse e gjykon të domosdoshme, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë duke mos kaluar kufirin e duhur. … “Ndoshta, Shkëlqesia Juaj do të gjykojë, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë në këtë çështje, se këshillat që mund t’i japë i Ngarkuari ynë me punë Safet Pashës*, nuk do ta kalonin kufirin e duhur dhe do t’i përgjigjeshin kujdesit tanë të vazhdueshëm për malësitë e krishtera të Shqipërisë…” përfundon konsulli në letrën e tij të cituar më lart. Nga një letër përgjigje e arqipeshkvit të Tivarit dhe të Shkodrës Imz. Karl Pooten dërguar kardinal Alessandro Franchit, prefekt i propagandës Fide me datë 25 qershor 187785 mësojmë se për fatin e famullitarit të Kalivares është i shqetësuar edhe vikari i Kostandinopojës Mgr. Hassun i cili i ka shkruar që me datën 18 maj, pra ndoshta që në ditët e para të arrestimit të tij. Në këtë letër të bën përshtypje qëndrimi i ekuilibruar i gjermanit Karl Pooten. … “Për fat të keq, është prift, një student i Propagandës Fide. Don Primo Dochi i ri, i arsimuar mirë, por që i ka përdorë për keq njohuritë e tija”, – i shkruan Pootem kardinalit. Ndërsa vikarit Armen Mgr. Hassun, Pootem i lutet që të ndërhyjë që Prend Doçi të mos mbahej në të njëjtin burg me të arrestuarit tjerë dhe të respektohet statusi i tij fetar. Përjashtim në këtë çështje bën vetëm ipeshkvi i Lezhës, Imzot Francesko Malcinski i cili Prend Doçin e cilëson si organizatorin kryesor të kryengritjes, i cili shkoi tek princi i Malit të zi me cilësinë e një agjenti politik.
    Të kthehemi përsëri në Stamboll, aty ku e lamë. Nofkën “Stacioni i fundit” burgu e kish marrë në vite, sepse kush hynte atje, rrallë ndodhte të dilte i gjallë prej andej. I ndërtuar në faqen e pjerrët të një shkëmbi që zbriste thike mbi det. Së largu dukej si një trung piramide trapezoidale që fundosej gradualisht nën ujë. Nga dëshmi të pakta gojore të vetë abatit, të përcjellura nga bashkëpunëtorët e tij françeskanë mësohet të ketë përballuar një hetim torturues. … “Ma zi m’a ka ba istintaku se burgu…” – thoshte abati edhe pas shumë vitesh, tek e kujtonte atë qenie të akullt, me fytyrë të vrarë lije, të pajisur me një vështrim zhbirues dhe plot dashakeqësi që tregonte se jo vetëm e njihte mirë por edhe i shërbente në mënyrë të përkryer Perandorisë duke përligjë gjithë të këqijat e funksionit që kryente. Ndjente dukshëm një gricje, një rendim në shpirt. I përftonte një tkurrje rrëshqitëse që e bënte të heshtë me dhimbje dhe keqardhje sepse ai, hetuesi, nëpunësi që ia kishte pru aq ngushtë, gjithë ato ditë për ironi të fatit kishte qenë shqiptar, bashkëkombës!… Arnaut i çoroditur deri në atë masë sa kur nuk arriti të provojë fajësinë e Preng Bib Dodës si organizatori kryesor i kryengritjes nëpërmjet deponimeve të Abatit duke mbyllë dosjet e hetimeve, i kthen kurrizin dhe me cinizëm i belbëzon në shqip: Paç veten në qafë!
    Tingëllime paralajmëruese për botën tjetër. Por, Zoti, për hir të tokës që e lindi i kishte rezervuar një tjetër fat. Burgu i Stambollit ishte i një lloji të veçantë. I konceptuar në përshtatje me kërkesat e urrejtjes patologjike që ushqente Porta e Lartë për të pabindurit e shtetasve jo osmane anë e kënd Perandorisë. Një bodrum, konturet e të cilit nuk mund të përcaktoheshin lehtë. I shtruar me pllaka të rënda guri, ndahesh për së gjati nga një korridor hekurash të dyfishtë, brenda të cilit lëviznin lart e poshtë punëtorët e shërbimit, ujëmbajtësi nën vështrimin e rreptë të rojeve të brendshme me kamxhik në dorë në të dy anët e këtij korridori që ishte edhe i vetmi burim drite, të burgosur të ndryshëm. Ermen, grekë, rumun, bullgarë, vlleh, hungarez, moldavë, shqiptarë etj., shfrynin zhurmshëm dufin e shpirtit nëpërmjet komunikimit të përditshëm në gjuhën e tyre. Ishin ditët e para të pranverës… lagështia me të cilën Abati nuk ishte mësuar e kishte rënduar gjendjen e tij shëndetësore. Me këmbë të ënjtura, për të shmangur rrezikun e ndonjë paralize të mundshme lëvizte me sforco përgjatë murit anësor të atij varri të gjallësh mbi të cilin përplaseshin ritmikisht valët e detit. Zhurma e të cilave edhe pse monotone sillte të vetmen shpresë jete… Jo rrallë herë iu duk se gjithçka do të përfundonte këtu… në këtë humbëtirë të largët… kujtonte bashkëkombësit e tij, mirditorët që i vajtonin si të humbur dhe ndjente dhimbje… ndoshta e kishin përjetuar para tij dhe mund të ishin viktima të kësaj shpikje otomane. A ka gjë më tragjike dhe më të padrejtë se këto njerëz të katandisur në këtë gjendje për të vetmin faj se duan të jetojnë të lirë në tokën e vet, e nuk durojnë nënshtrimin e të huajit. Padrejtësia e përbindshme e tërë kësaj gjendjeje ndillte në shpirtin e tij të krishterë një zemërim të thellë, përvëlues.
    Në atë mjedis fatzi ku e nesërmja edhe për vetë atë mund të ishte ndryshe Benediktini i ri mbeti vetvetja. Dhimbjet, vuajtjet dhe emocionet që shoqëruan rrokullisjen e papritur të ngjarjeve jo vetëm që nuk e dobësuan vullnetin tij por shërbyen si ngacmime shprese dhe jo premisa fataliteti, shqetësohej nga një pezëm dyshimi që ndrynte në shpirt dhe donte ta nxirrte pa mllef jashtë vetes. Mundohej të çlirohej nga zemërimi që i shkaktonte kujtimi i pështirë i istintakut arnaut! Ia mbarte turpin bashkatdhetarit të vet të çoroditur. I mbështjellë në vetvete në atë pjesë të paktë të asaj mugëtire të veçuar. Tek përpiqej të dremiste për të konsumuar sadopak kohën që dukej se kish ndaluar. Papritmas Prend Doçit i kapi veshi copëza fjalësh në shqip që mezi dilnin nga goja e një qenie që dridhesh nga pikëllimi. Tinguj dhimbjeje që ngjanin më shumë me një gjëmë të heshtur burrash që ai i njihte mirë. Që formulonin diçka të papërcaktuar, të turbullt që lëkundej si e pabesueshme në mes ëndrrës dhe jermit, jetës dhe vdekjes. Ujëmbajtësi i burgut me dhimbje të madhe përcillte lajmin e hidhur të ekzekutimit së shpejti të bashkatdhetarit të tij. Dom Prend Doçit të cilin as e njihte as nuk e dinte të ishte në atë burg. Lajm që përshkoi atë natë korriku gjithë qelitë duke tronditur mendjet dhe zemrat e gjithë shqiptarëve që ndodheshin atje. Nuk e di i dashur lexues si do të vepronim unë e ti po të mësonim befasisht se pas pak orësh do të ishim pre e dhunës ekstreme, më antinjerëzore. Litarit! Ai heshti, iu kujtua hetuesi. Me cinizëm, por e kishte paralajmëruar bile në gjuhën shqipe. Fati deshi që edhe mandatin ta dëgjojë përsëri në shqip nga një tjetër shqiptarë. Kësaj herë shumë dashamirës. Paradoks i dhimbshëm që ai e kaloi me burrëri. Askënd nuk shqetësoi, askujt nuk iu qa. Gjithçka e përballoi vetëm, me trimëri dhe zgjuarsi të admirueshme. Pa humbur pushtetin mbi veten, saqë as ujëmbajtësit nuk iu shfaq. Ishte nga ato burra të mrekullueshëm që bota i quan të krisur “sepse nuk i tremben vdekjes”. Pas lutjeve dhe përtej meditimeve të asaj nate të stërzgjatur korriku, diçka brenda tij i solli në vëmendje forcën shpirtërore dhe aftësitë e pakufishme të njeriut si qenie e të gjithëpushtetshmit, për të mposhtur frikën këtë ndjenjë skajësisht të kundërt me jetën e dhënë nga Zoti. Ishte vetëm tridhjetë e një vjeç, ndodhej diku në gjysmën e udhës në mes realitetit dhe ankthit. Padyshim nuk ndjehej i qetë por shumë i vetëdijshëm për ta kuptuar se kjo mund të ishte nata e fundit. Nuk ishte ndoshta hera e parë që kishte përjetuar një ndjenjë të tillë. Vdekja në konceptin e tij si klerik ishte një nocion ndryshe. Ishte vullneti i krijuesit. Kategori hyjnore. Edhe pse e dhimbshme dhe e kundërt me jetën lindi bashkë me njeriun. E kontestonte si të parakohshme sepse i ndjehej borxh dheut të vet për të cilin që në bankat e shkollës kish derdhë në vargje ndjenjat më të bukura të shpirtit të tij. E papritura, kjo diçka tinëzare që luan me njeriun, atë natë kish ushtruar mbi të një nga ato tronditjet ndrydhëse që të jep ndonjëherë pushtimi i imponuar i një lëmshi të ngatërruar mendimesh nga i cili tashmë ishte çliruar. Ndjehej i qetë, optimist, nuk mendonte që ndarja kaq shpejt nga jeta të ishte shorti i tij. Përballë vdekjes që të ligështon me hijen e saj, është edhe fati që hedhë dritën e vet. Këtej buronte qetësia, kurajoja dhe optimizmi i pashembullt i këtij burri në agimin e asaj dite të shënuar. Agimi, që në atë shëmti njerëzore dallohej vetëm nga kuisja e dyerve të rënda të gërryera nga lagështia, zhurma e hekurave dhe britmat e dhunshme të rojeve të brendshme sikur solli një pajtim në shpirtin e abatit të ri. Rrezet e dobëta të përthyera sikur përçudnonin akoma më tepër lëvizjet e ngathëta të siluetave memece të burgosurve. Po niste një ditë e re. Padyshim ndryshe se nuk e dinte se çdo të ndodhte. Larg, në atë gjysmerrësirë ogurzezë që nuk kishte fund abati dalloi ujëmbartësin. Gjithçka atë natë ishte përqendruar tek ai. Edhe pse viktimë e një shorti të panjohur. E fshehta e tij për Doçin mbarte në vetvete diçka enigmatike që ndoshta fati s’dihet pse e ka vendosur aty. Në mos… së paku për lajmëtarë. Edhe kaq s’është pak, mendoi në vetvete abati. Shkitasi iu kujtua nëna… u bëftë për vete… kish thënë dikur ajo!… Priti deri sa iu afrua bri hekurave të ndarjes së tij. E përshëndeti shqip. Pasi e tregoi qetësisht se kush ishte. I kërkoi me ngut nëse mund t’i siguronte letër dhe mjete për t’i shkruar një miku jashtë burgut. Ujëmbajtësi i tronditur për fatin e tij, gjithë pezëm, në kthim i tregon se jashtë burgut mund të bëjë diçka vetëm armeni. Një djalë i ri i hijshëm me një vështrim dashamirës që dukej se gëzonte simpatinë e të burgosurve. Nën pancirin e instinktit për mbijetesë po atë ditë Doçi iu afrua armenit. Vështrimet e para që shkëmbyen me njëritjetrin kishin të bënin me rrezikun për të cilin të dy ishin të vetëdijshëm.
    Brenda një kohe shumë të kufizuar, me një ligjëratë magjepse dhe etike të përkryer, me nota të theksuara mirënjohjeje dhe besnikërie, me një italishte elegante. Doçi i bëri të ditur se edhe pse, para vdekjes, ndjehej i detyruar të vinte dijeni me anë të një letre autoritetin më të afërt Primatin katolik të Stambollit Imz. Stefan Azarian për ndodhjen e tij në atë burg, duke shpresuar në ndihmën e tij bujare. Fati që zakonisht është kurdoherë në anën e trimave deshi që kjo kërkesë, megjithëse shumë e rrezikshme të prekë aty ku duhej në shpirtin e këtij djali të kulturuar të popullit të shumëvuajtur armen. Sapo i solli kurrizin armeni i mirë, që kurrë nuk ia mësuan emrin, ndjeu atë që nuk e kishte provuar ndonjëherë më parë. Diçka më shumë se njerëzore, që i kalonte përmasat e një ndihme të thjeshtë, që e shtynte magjishëm drejtë një aventure. Brenda tij filloi të rritej një fuqi përpara së cilës gjithçka tjetër shndërrohej në një detyrë. Në një endje. Kështu, sapo kaloi derën e burgut, i befasuar totalisht nga mendimi që kurrë ndonjëherë nuk e kishte imagjinuar se një qenie njerëzore para vdekjes të mund të ishte aq i qetë, të fliste aq qartë dhe në mënyrë aq robëruese, me padurim shpejtonte për tek selia e Primatit që të përmbushte atë çka kishte premtuar. Rrugës tek nxitonte e mbërtheu mendimi se mos përpjekjet e tij mund të mbeten një kujtim i ithët. I gëzohej emrit të mirë të Patriarkut. Merakosej nëse ishte ose jo në kohën e duhur. Lutej që ajo copë letër të arrijë të bëjë që hirësia e tij të përjetojë atë që ndjeu ai vetë përballë atij të burgosuri të panjohur. Përshëndetja e një kalimtari të rastësishëm sikur e qetësoi. Rasti fatlum përfshinë këtu një tjetër armen, prift rreth të tridhjetave për një mision më të lartë se për të çliruar bashkëkombësin e tij, nga makthi i keq i mendimeve të dyzuara që e kishin pushtuar.
    I tregoi menjëherë letrën dhe shqetësimin e tij urgjent për të takuar hirësinë e tij, patriarkun imzot Azarian. Priftit i gufoi zemra kur pa shkrimin e njohur dhe i befasuar në kulm nuk i besonte syve tek shihte nënshkrimin aq të njohur të kolegut të tij të dashur të universitetit urbanian të Romës. Kështu letra shpëtimtare arriti në kohën e duhur tek hirësia e tij Azarian, nga një tjetër armen. I cili besohet t’i ketë përcjellë hirshëm edhe cilësitë e vlerat intelektuale të bashkënxënësit të Propagandës Fide.
    Patriarku i nderuar, që ishte në dijeni të çështjes të burgosurve shqiptarë, por deri atëherë nuk e dinte që në mes tyre gjendej edhe një prift katolik, dërgoi menjëherë atje sekretarin e tij, i cili u takua edhe më Prend Doçin. Dhe pasi u informua për gjithçka në një audiencë urgjente me sulltan Abdyl Hamidin, falë miqësisë së hershme që kishte me të, nxori edhe firmanin e lirimit të tij nga burgu. Ndërkohë atje në “Stacionin e fundit” abati orë pas ore, priste të ndodhte diçka. Çfarëdo qoftë që do ta nxirrte nga ajo skëterrë. Nga ajo gjendje torturuese. Ta çlironte nga mendimet rrëshqitëse që lëkundeshin në mes dy ekstremeve. Ta shpëtonte nga ai mjedis makabër ku ndjehej, në të njëjtën kohë, në dy gjendje, i gjallë dhe i vdekur pa ditur me cilën do të përballej.
    Prend Doçi u lirua nga burgu i Stambollit në fillim të muajit korrik të vitit 1877. Gjatë gjithë jetës do të mbeten të paharruara çastet e takimit të papritur me kolegun e tij armen që priste para derës së burgut, dhe që do ta shoqëronte për në patriarkanë. Në takimin impresional me Imz. Azarian, shpëtimtarin e tij, abati me një përvujtëri të thjeshtë, krejtësisht brenda natyrshmërisë së tij, me një etikë mbresëlënëse edhe me një gjuhë të zhdërvjelltë do t’i shprehë shkurt dhe bukur mirënjohjen e tij të thellë për gjithçka që kishin bërë për personin e tij. Sigurisht nuk harroi të falënderojë përzemërsisht as bashkatdhetarët e tij armen që humanizmi, ndjenja e lirisë dhe sintagma e patjetërsueshme “fe-atdhe” bënë që të shpërfillnin rrezikun dhe gjithçka tjetër për ta shpëtuar.
    “Ke pasur fatin e mirë me më shkrue, bir, përpara se të kthehej në Stamboll Dervish Pasha se ndryshe vështirë se kishim mundur me të pshtue. Prandaj është nevoja që sa më parë duhet të largohesh prej Stambolli. Se me ba me të gjetë këtu gjenerali, kam frikë se japin urdhër me të burgosë përsëri”, – i përgjigjet me dashuri Primati. Falë ndërhyrjes së ambasadorit Austro-Hungarez në Stamboll, kontit Grafit Zichy dhe përkujdesjes së Primatit armen të Stambollit, në muajin korrik të vitit 1877 Prend Doçi u largua nga Stambolli për në Romë.
    Vetëm dy ditë më vonë kur prifti Prend Doçi veshur me reverendën benediktine nën emrin Pere Achile udhëtonte diku në ujërat e Jonit ose të Adriatikut, mbërriti në Stamboll Dervish Pasha, i cili sa mori vesh se Prend Doçi ishte liruar nga burgu, gati sa nuk plasi nga inati. Nuk la gurë pa luajtur për ta bindur autoritetin kryesor që Prend Doçi ishte frymëzuesi, organizatori dhe udhëheqësi kryesor i kryengritjes së Mirditës. Duke e imponuar të korrigjojë firmanin e lirimit të tij duke shtuar paragrafin ekstrem të përjashtimit nga territoret e Perandorisë Osmane.
    Nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të abatit mësojmë se edhe vitet e fundit të jetës, në çaste të veçanta gëzimi ndjente nevojën t’u fliste dashamirësve të tij për mbresat e paharruara të atyre ditëve dhe të shprehte mirënjohjen më fisnike për të gjithë ata që bënë të mundur shpëtimin e tij.

    (Dr Luigj Martini. Monografia per Abat Prend Doçin)

    Koha Jone

Tema të Ngjashme

  1. Aleksandër Kondo, kampioni i peshëngritjes shqiptare
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-07-2021, 10:42
  2. Mirdita, një vatër e qëndresës antiosmane
    Nga Jamarber në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 211
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 17:39
  3. Të shuguruarit nga Patrikana serbe
    Nga King_Arthur në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2007, 09:24

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •