Close
Faqja 6 prej 30 FillimFillim ... 4567816 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 60 prej 297
  1. #51
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-12-2003
    Postime
    104

    Shqiptaret shesin eshtrat e te pareve per nje grusht para te greku.

    Altin Ballabani: “Më kanë shpërthyer portën e shtëpisë, morën gurin e varrit që datonte në vitin 1871”

    Vjedhja e eshtrave, kërcënohet punëtori që i denoncoi

    “Zvprokurori më tha se nëse eshtrat tregojnë se janë varre të ushtarëve grekë, mua do të më arrestojnë”

    Entela Bani

    Përmet- Persona të paidentifikuar kanë shqyer portën e shtëpisë së personit që denoncoi skandalin e hapjes së varreve dhe kanë vjedhur një gur varri që datonte në vitin 1871, i cili shërbente si provë, për të treguar se varret nuk ishin të ushtarëve grekë. Altin Ballabani, i cili denoncoi i pari ngjarjen, tregon për “Shekulli”-n se ka pasur telefonata kërcënuese ndaj tij, menjëherë pasi ka denoncuar zhvarrosjen e eshtrave në fshatin Kosinë. Altini thotë se ka marrë zile dhe telefonata të shpeshta nga numra anonimë, që e kanë kërcënuar. Nisur nga kjo, babai i dy fëmijëve, tregon se ka nevojë për mbështetjen e shtetit në këtë çështje, për ta siguruar se nuk do t’i ndodhë asgjë e papëlqyeshme. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai tregon zanafillën dhe vijimësinë e historisë së zhvarrimeve në fshatin Kosinë.

    Ju jeni i përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e zhvarrimeve të bëra. A mund të na tregoni, kur ka filluar historia?
    Rreth një muaj më parë. Prifti, Vasil Thomollari, kërkoi në fshat katër punëtorë që do ta ndihmonin për të zhvarrosur eshtrat, që sipas tij do rivarroseshin në kishë. Pranova të punësohesha unë dhe tre të tjerë nga fshati. Dy ditët e para, prifti nuk erdhi të na shikonte fare, kur punonim dhe ne vepruam sipas porosisë që na kishte dhënë. I nxirrnim eshtrat dhe i vendosnim në ca qese të bardha plastike me numra. Një ditë, gjetëm nja dy gëzhoja, që mund të gjenden në çdo vend dhe atëherë prifti na tha se këto ishin varret e ushtarëve grekë.

    Si vepruat pas këtij pohimi?
    Shkova në shtëpi dhe i thashë babait, i cili më tha që varret ishin të të parëve tanë dhe jo të ushtarëve grekë. Vetëm nga fisi ynë, Ballabani, ka të varrosur në shtatë breza. Pastaj gjetëm edhe një gur varri, që kishte të gdhendur vitin 1871 dhe ky numër s’mund të ishte varr i një ushtari grek. Më tej, të varrosur njëri pas tjetrit, kanë qenë tre fëmijë, ndërsa në varre të tjera janë gjetur dy varëse, një kurorë nusesh, unaza dhe një palë këpucë grash. Nuk di që gratë të kenë qenë në luftë. Pas kësaj njërën prej varëseve, që kishte një medaljon dhe një kryq, ia dhashë priftit dhe një tjetër e mbajta për vete, pasi i përket tezes së babait tim, që është vrarë vajzë e re nga një cifël predhe. Ajo është varrosur ende pa i dalë shpirti se arritën gjermanët në fshat. Prifti më kërkoi edhe varësen e dytë dhe kur nuk ia dhashë, më përzuri nga puna, se gjoja i kisha fshehur varësen dhe më tha se do më denonconte në Prokurori.

    Sa varre janë hapur gjatë kohës që ti punoje?
    Ditët e para punuam fare “të zbuluar” si i thonë, pa dorashka, pa maska dhe pa asnjë masë tjetër mbrojtëse. Tani prifti mund të thotë çfarë të dojë, po e vërteta është kjo. I kapnim eshtrat me dorë. Mamaja më sillte shpesh raki për dezinfektim. Na u tha që do të merrnim 1500 lekë të reja për hapjen e një varri, ne hapnim 12-13 varre në ditë. Deri në momentin që unë ika nga puna, ishin hapur 74 varre, kurse gjithsej janë hapur 137 varre.

    Jeni i bindur se aty nuk ka ushtarë të varrosur?

    Dëshmitë e gjalla të banorëve të vjetër tregojnë se aty nuk ka ushtarë grekë, po janë varret e banorëve të hershëm të krishterë të Kosinës. Nëse prifti do të gjejë eshtrat e ushtarëve grekë, le t’i gjejë aty ku kanë rënë dhe jo këtu, ku kanë dalë edhe eshtra fëmijësh.

    I kanë marrë të gjithë eshtrat?
    Po, të gjitha eshtrat janë futur në qeska të bardha me numra dhe se ku i kanë çuar, nuk e di. Janë marrë edhe gjërat që janë gjetur brenda në varre, madje janë marrë edhe eshtrat e një fëmijë. Dy varret e tjerë të fëmijëve, janë hapur dhe janë mbuluar prapë.

    Përveç debateve me priftin, ju ka hapur probleme të tjera kjo histori?
    Në dijeni të kësaj çështjeje kanë qenë të gjithë, kryetari i komunës, kryeplaku, por vetëm unë e hapa këtë histori se ishin hapur e marrë eshtrat në 100 varre, dhe asnjë nuk po reagonte. Prifti kishte vetëm një letër të firmosur për këtë punë dhe nuk ka marrë leje nga asnjë. Erdhën dje nga policia dhe Prokuroria dhe kam pasur edhe një debat me policët, që morën me vete edhe varësen e gjetur në varr. Zëvendësprokurori më tha se eshtrave do t’u bëhet analiza e ADN-së dhe nëse janë të ushtarëve grekë, mua do më arrestojnë. Jam dakord që të bëhet AND-ja, po ajo e kockave që u gjetën këtu dhe nuk dihet se ku vajtën, dhe jo e kockave që mund të jenë marrë në ndonjë vend tjetër. Unë nxorra në dritë një të vërtetë dhe vetëm kaq.

    Kanë reaguar të tjerë veç jush?
    Tani që e hapa unë këtë mesele, kanë reaguar të gjithë. Dje në darkë është shqyer porta dhe është marrë guri i varrit. Kam marrë edhe telefonata anonime, madje dhe kërcënime dhe kërkoj përkrahjen e shtetit, se këtë skandal e denoncova unë. Tani në dorë e ka drejtësia që të hetojë dhe të vërë para përgjegjësisë, fajtorët.








    ,

  2. #52
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-12-2003
    Postime
    104

    Albo dhe Permetaret e tij.

    He mo Albo ti qe thua qe ortodoxet e permetit jane 100 % shqiptare dhe kane ndjenaj patriotike.
    Une se di ka shtet apo ska shtet ketu ku prifterinjte Greke bejne cfare te dojne ne shqiperi.Pse nuk i marrin eshtrat dhe ti cojne ne Greqi pse duhet ti mbajne ne shqiperi.
    Italianet dhe Gjermanet i moren eshtrat.Cfare duan te tregojne me kete.
    Per mua duhet bllokohet ndertimi i varrezave greke ne Kelcyre.

  3. #53
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-12-2003
    Postime
    104

    Prifti Greko - Ortodox

    Zhvarrimet për ushtarët grekë. Sot bllokohen eshtrat



    Policia zbulon 137 skelete të fshehura në fshatin e priftit


    Hetim ikonom Thomollarit dhe 6 ndihmësve



    --------------------------------------------------------------------------------

    Nga i dërguari ynë në Kosinë Artan Hoxha


    Dje pasdite policia ka zbuluar vendodhjen sekrete të eshtrave të 137 varreve të zhvarrosura që nga 29 prilli në fshatin Kosinë dhe në zonat përreth, të cilat do të bllokohen dhe sekuestrohen sot në Kutali, fshatin e lindjes së priftit të implikuar në këtë histori, Ikonom Vasil Thomollari. Policia ka arritur që në rrugë operative të zbulojë vendndodhjen e eshtrave dhe gjithashtu ka marrë në pyetje 6 persona në lidhje me këtë çështje. Policia po heton për të zbuluar personat që kanë organizuar dhe financuar këtë veprim të paligjshëm. Varret ishin zhvarrosur me pretendimin se në to gjendeshin eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë që në kohën e luftës italo-helene.

    Hetimet
    Policia ka marrë në pyetje në lidhje me një ngjarje të tillë 6 persona, 4 nga punëtorët që zhvarrosnin varret, kryekomunarin dhe kryeplakun e fshatit Kosinë. Karafil Pasha, kryetar i Komunës ka thënë dje se: “Jam në dijeni për këto zhvarrime, që bëhen edhe në prezencën e priftit Ikonom Vasil Thomollari, megjithatë më duhet t’ju them se këto varre i përkasin vetëm banorëve të zonës”. Nga ana tjetër kryeplaku ka thënë i bindur se varret i përkisnin ushtarëve greke të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëshmitë e 4 personave që zhvarrosnin varret janë përqëndruar në marrëdhëniet që kanë pasur këta me dy punëdhënësit priftin Thomollari dhe Alqi Kasën, një person nga Gjirokastra që është paraqitur si përfaqësueses i shoqatës së ish-ushtarakëve të liruar minoritarë. Policia i nisi hetimet kryesisht, pas të dhënave të siguruara në rrugë operative dhe informacioneve të botuara në media.

    Zhvarrimet
    Zhvarrimet kanë filluar të bëhen në komunën e Piskovës, përgjithësisht në fshatin Kosinë me preteksin se në këtë zonë gjenden eshtrat e ushtarëve helenë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Identifikimi i kësaj varreze është bërë nga shoqata e ish-ushtarakëve të liruar minoritarë, të cilët kishin siguruar të dhëna se rreth kishës bizantine në Kosinë preheshin trupat e ushtarëve grekë. Zyrtarisht ka qenë e njohur vetëm varreza në vendin e quajtur Sajmol pranë fshatit Dragot ku ishin varrosur eshtrat e 36 ushtarëve grekë të vrarë në betejën e Malit të Golikut. Këto eshtra janë zhvarrosur para disa muajsh dhe janë çuar në kishën e Këlcyrës në pritje për tu vendosur në Manastirin e Shën Kollit. Një person i cili ka marrë pjesë në zhvarrimet e këtij muaji bëri të ditur se për një varr të hapur paguheshin 100 euro, por ata përfitonin vetëm 40 mijë lekë të vjetra për person. Personi që dyshohet se ka organizuar këtë aktivitet mendohet të jetë Alqi Kasa, i cili sipas dëshmive të personave që kanë kryer zhvarrimet sillte paratë për çdo varr të hapur.

    Hetimet
    Policia ka tentuar dy herë të marrë në pyetje priftin Thomollari, megjithatë ky i fundit e ka refuzuar një gjë të tillë. Ditën e shtunë ai i është fshehur policisë, ndërsa gjatë paradites së djeshme ka refuzuar të jap deklarime për policinë. Thomollari i pyetur nga “Gazeta” tha se “unë vërtetë kam qenë prezent gjatë zhvarrimeve, por jam ndodhur aty për të kryer një rit normal për besimtarët ortodoks”. Prifti ka akuzuar policinë se ka ushtruar presion psikologjik ndaj tij. Policia në pamundësi për të marrë deklarimet e priftit ia ka përcjellë dosjen prokurorisë e cila pritet të kryejë një seancë hetimore.

    Kliko per te printuar artikullin

  4. #54
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,051
    KRYEMINISTRI I USHTRISE SE VDEKUR

    Shqiptarët kanë vetëm një detyrim: ngritjen e një Përmendoreje në rrethin e Korçës kushtuar trupave të batalionit “Tomorri”, që dezertuan nga fronti italo-grek nën komandën e Gjeneralit Spiro Moisiu – i cili më vonë u internua familjarisht- dhe që refuzuan kësisoj të luftojnë kundër popullit fqinj grek.

    Përndryshe, është e këshillueshme që z. Karamanlis dhe qeveria e tij të mos luajnë me zjarrin. Hapja e një front të ri tensioni në Ballkan nëpërmjet mbjelljes së Shqipërisë së Jugut me shkolla greke, kryqe fetare dhe varreza të rënësh në një luftë pushtuese, është e pandershme dhe e rrezikshme


    Dënimi nga Gjykata e Patras e kriminelit greko-amerikan, që vrau barbarisht të riun shqiptar Gramoz Palushi është një hap pozitiv për drejtësinë greke. Mbas një procesi të rregullt gjyqësor dhe pavarësisht nga argumentet e mbrojtjes dhe deklarimet e të pandehurit se “kishte qenë i dehur”, etj, Gjykata e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 40 vjet heqje lirie. Në përcaktimin e masës së dënimit duket se gjykata mori parasysh karakterin dhe rrethanat e krimit, domosdoshmërinë e ndëshkimit, nevojën për parandalimin apo mospërsëritjen e krimeve të tilla me karakter të theksuar racist, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të kriminelit. Sidoqoftë, le të shpresojmë se vendimi i drejtë i Gjykatës së Patras nuk do të ndryshohet apo lehtësohet në procesin e apelit, ku drejtësia greke – gjykata dhe prokuroria bashkë - jo rrallë kanë zhbërë atë që ishte vendosur në shkallë të parë. Për shembull, vetëm disa kohë më parë një gjykatë apeli rrëzoi vendimin e dënimit ndaj individëve të grupit terrorist ELA, çka solli si rrjedhim heqjen e tij nga lista e grupeve terroriste e BE-së… Të njëjtin qëndrim të butë ndaj terrorizmit pat mbajtur drejtësia greke edhe për grupin MAVI, pjesëtarët e të cilit shkaktuan sulmin terrorist kundër kazermës së Peshkëpisë në Gjirokastër më 1993, ku u vra një oficer i ushtrisë shqiptare dhe u plagosën dy ushtarakë të tjerë. Kur policia greke arrestoi pas dy vjetësh pjesëtarët e tij, prokurori grek e reduktoi akuzën para gjykatës në “armëmbajtje pa leje” duke i lënë kësisoj të lirë terroristët. Por atë që nuk bëri prokuroria greke nuk duhet të ngurrojë që ta bëjë Prokuroria e Shtetit Shqiptar. Një krim, një sulm terrorist kundrejt ushtarakëve të shtetit shqiptar, një sulm i drejtpërdrejtë kundrejt vetë dinjitetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar, ka mbetur ende i pa proceduar dhe i pandëshkuar. Dhe për krime të tilla dihet se nuk ka parashkrim, prandaj Prokuroria e Shtetit duhet pa humbur kohë që të hapë përsëri dosjen “Peshkëpia” dhe t’i kërkojë autoriteteve greke, por edhe Interpolit, arrestimin dhe transferimin e terroristëve në Shqipëri.
    Në këtë drejtim, nuk mund të mos vërejmë debatin e fundit lidhur me varrezat e ushtarëve grekë në Shqipërinë e Jugut, të rënë gjatë Luftës Italo-Greke. Dihet se Italia i mblodhi eshtrat e ushtarëve të vet dhe i mori në atdhe. Përse nuk e bën një gjë të tillë edhe shteti grek? Përse ngul këmbë që ta mbjellë truallin shqiptar me varreza e memoriale të panevojëshme të ushtarëve të tij? Nga ana tjetër, dihet se pala shqiptare pat kërkuar në vitin 1995 ngritjen e një Përmendoreje në Thesproti në nderim të kujtimit të Batalionit antifashist çam, që derdhi gjak sëbashku me vëllezërit e tyre grekë kundër nazistëve. Mirëpo qeveria greke ende nuk pranon të njohë të vërtetën historike lidhur me minoritetin çam të Greqisë dhe, para se të interesohej për eshtrat e ushtarëve të rënë në 1941, duhej të mirëkuptonte aspiratat e ligjshme dhe të lehtësonte kthimin e refugjatëve çamë të dëbuar me gjak e hekur nga trojet e tyre në Greqi dhe fëmijëve të tyre që jetojnë përkohësisht në Shqipëri.


    Lidhur me Luftën Italo-Greke është me vend të përmenden disa fakte kokëfortë:
    Së pari, ajo ishte një luftë dypalëshe e kryer në territorin e një shteti të tretë, i cili ndodhej i pushtuar nga Italia fashiste. Dihet se gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut shteti grek nuk u cënua kurrë nga territori shqiptar, Madje edhe kur bandat greke vranë gjeneralin italian Telini, Italia e ndëshkoi Greqinë duke pushtuar Korfuzin, por kurrsesi nuk u lejua të përdorë territorin shqiptar.
    Së dyti, është e vërtetë se trupat greke luftuan trimërisht për mbrojtjen e vendit të tyre në vitin 1940, por lufta mbrojtëse ndryshoi karakter dhe u kthye ne luftë pushtuese kur qeveria dhe shtatmadhoria greke filluan të zbatojnë Megalo-Idhenë dhe Enosis-in, dhe planifikuan pushtimin e Shqipërisë së Jugut dhe kalimin gradual të saj nën administrimin e përhershëm të shtetit grek. Sipas historianit shqiptar Beqir Meta, “disa ditë pas pushtimit të Delvinës, gjenerali Bakos u tha krerëve lokalë se Delvina duhej t’i mbetej përgjithmonë Greqisë” ndërkohë që Athina urdhëronte që në Korçën e pushtuar të mos lejohej festimi i Ditës së Flamurit. Po ashtu, qysh prej 1 marsit 1941 administrata ushtarake greke ndaloi përdorimin e frangut shqiptar si monedhë zyrtare shkëmbimi duke dhënë sakaq një provë tjetër të politikës aneksioniste greke ndaj një vendi fqinj.


    Së treti, qysh në fillim të vitit 1941 u bë e qartë se Gjermania naziste do të sulmonte Greqinë nga veriu. Megjithatë, qeveria dhe shtatmadhoria greke me kryeneçësi refuzuan të lëvizin divizionet nga fronti shqiptar në atë bullgar, dhe të paktën të tërhiqeshin nga territori shqiptar deri në vijën kufitare. Madje, gjatë mësymjes italiane “të pranverës” në fillim të marsit 1941 ku vetë Musolini mori në dorë drejtimin e operacioneve, luftimet më të përgjakshme u kryen në një kodër - të quajtur nga ushtarakët “kuota 731” por që me siguri ka një tjetër emër nga barinjtë vendas – me vlerë tepër të diskutueshme strategjike për gjakun e derdhur lumë në shpatet e saj. Mosangazhimi serioz i ushtrisë greke ndaj pushtimit gjerman dhe kapitullimi i shpejtë i saj megjithë ndihmën prej mëse 100,000 trupave nga Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re, vënë seriozisht në pyetje mitin e ngritur më pas për kinse rolin vendimtar të Greqisë në Luftën e II Botërore si shkaktare e vonesës së sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovietik në qershor të po atij viti. Po të ecnim me këtë logjikë, ndofta do të duhej të pranonim se kjo meritë u takonte trupave shqiptare të Gjeneralit Spiro Moisiu që refuzuan të luftonin krahas ushtrisë italiane, dezertim ky që në fakt u shkaktoi jo pak kokëçarje pushtuesve italianë. Të pranosh se po ta kishte sulmuar Hitleri BS-në në Prill ose Maj atëhere Lufta e Dytë Botërore do të kishte mbaruar ndryshe është thjesht absurde.


    Së katërti, shtatmadhoria greke u përpoq të hyjë në pazare të turpshme me nazistët, ku përfshihej ndër të tjera edhe kërkesa për vendosjen e trupave gjermane midis atyre greke e italiane në Shqipëri. Synimi ishte mëse i qartë: konsolidimi i përfitimeve territoriale greke në dëm të Shqipërisë. Gjithsesi, një fakt tjetër edhe pse i hidhur, rrëzon përfundimisht mitin e “heroizmit dhe lavdisë” së ushtrisë greke në Shqipërinë e Jugut të trumbetuar me forcë sidomos nga qarqet nacional-shoviniste në Greqi dhe SHBA.. Qysh para kapitullimit thuajse pa luftë ndaj Gjermanisë reparte të tëra të ushtrisë pushtuese greke në Shqipëri u infektuan nga një rënie e theksuar morali dhe një pandemi e vërtetë mosbindjesh, dezertimesh, etj. Gjithë ajo ushtri që aq “heroikisht” u kishte qëndruar italianëve në kuotën 731 u shkërmoq dhe u shkri vetëm brenda disa ditësh si kripa në ujë…


    Në gjithë rrëmujën informative që rrethon këtë problem, tri gjëra dalin në pah:
    Pse qeveria greke nuk i varros eshtrat e ushtarëve grekë në Greqi por këmbëngul që të mbeten në Shqipëri? Cili është roli i vërtetë i Peshkopit Janullatos në këtë meselé? Dhe pse janë kryer punime ndërtuese pa marrë lejet dhe autorizimet përkatëse nga shteti shqiptar, si dhe pa iu nënshtruar legjislacionit tatimor shqiptar?


    Duke filluar nga fundi, mund të thuhet se ligjet e shtetit shqiptar zbatohen për të gjithë njëtrajtësisht dhe kushdoqoftë që i shkel ato duhet t’u nënshtrohet sanksioneve përkatëse të ndërtimeve pa leje, etj. Po ashtu, është e papranueshme që një vendim i Ministrisë së Financave i viteve 1999-2001 të përjashtojë nga pagesa e detyrimeve doganore dhe tatimore kompanitë e ndërtimit që merren me ngritjen e objekteve të kultit. Ky është një favorizim kundërkushtetues dhe i paligjshëm, që mbjell korrupsion, cënon parimet e tregut të lirë dhe të integrimit evropian, dëmton tregun vendas, shkel barazinë e subjekteve ekonomike dhe ngarkon me çmime më të larta përdoruesit vendas që në të vërtetë subvencionojnë evazionin e madh fiskal/doganor të ndërmarrjeve ndërtuese kinse fetare. Ky vendim i Ministrisë së Financave duhet shfuqizuar menjëherë Sa i takon rolit të Peshkopit Janullatos, nuk mund të mos përmendim se Hirësia e Tij u pranua përkohësisht në Shqipëri për t’u marrë vetëm me punët e Perëndisë dhe të besimtarëve vendas, dhe aspak me ato të politikës apo - larg e tutje - të Megali-Idhesë e të nacional-shovinizmit grek…
    Së fundi, një botim zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes greke sqaron përfundimisht arësyet e vërteta të kryeneçësisë së qarqeve nacional-shoviniste greke për “nderimin” e të rënëve të Luftës Italo-Greke. Me të vërtetë në librin “Një Histori e Shkurtër e Luftës Greko-Italiane dhe e Luftës Greko-Gjermane (1940-1941), Operacionet Tokësore”, botim i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke, Athinë, 1997, lexojmë se “territoret e “vorio epirit” …ishin marrë pas luftimesh të lavdishme dhe sakrificash të mëdha, dhe mbi të cilat Greqia kishte pretendime të padiskutueshme historike dhe racore…” [faqe 213, botimi anglisht]. Eshtë e pabesueshme që një vend fqinj, anëtar i BE-së dhe NATO-s, formulon qëndrime të tilla në antitezë me realitetin objektiv dhe të shkuarën historike, dhe që përbëjnë shkelje flagrante të marrëdhënieve miqësore dypalëshe, të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim ndaj integritetit të shtetit shqiptar si dhe ndaj paqes e stabilitetit në rajon. Shqiptarët kanë vetëm një detyrim: ngritjen e një Përmendoreje në rrethin e Korçës kushtuar trupave të batalionit “Tomorri”, që dezertuan nga fronti italo-grek nën komandën e Gjeneralit Spiro Moisiu – i cili më vonë u internua familjarisht- dhe që refuzuan kësisoj të luftojnë kundër popullit fqinj grek. Përndryshe, është e këshillueshme që z. Karamanlis dhe qeveria e tij të mos luajnë me zjarrin. Hapja e një front të ri tensioni në Ballkan nëpërmjet mbjelljes së Shqipërisë së Jugut me shkolla greke, kryqe fetare dhe varreza të rënësh në një luftë pushtuese, është e pandershme dhe e rrezikshme. Italianët i tërhoqën të rënët e tyre gjatë luftës, të përshkruar aq madhërishëm në kryeveprën e Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur.”Nuk do të besonim se z. Karamanlis – duke e përdorur Luftën Italo-Greke për orekset ekspansioniste të Megali-Idhesë - do të dëshironte të merrte nofkën e “Kryeministri të Ushtrisë së Vdekur”….
    ABC nr.37-Jack Chekrezi

    22.05.2006

  5. #55
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,051

    Skandal në Përmet, zhvarrosen shqiptarët dhe rivarrosen si ushtarë grekë

    Skandal në Përmet, zhvarrosen shqiptarët dhe rivarrosen si ushtarë grekë

    Eshtra grash dhe fëmijësh në Kosinë, vdekur mëse një shekull më parë, llogariten si andartë që kanë rënë për “Vorio Epirin”

    Skandal në një fshat të Përmetit, ku varret e shtetasve shqiptarë, të vdekur mëse një shekull më parë, po hapen për t’u marrë eshtrat, që do të hiqen si ushtarë grekë, andartë që kanë rënë për të çliruar “Vorio Epirin”, siç e konsideron prej dekadash Athina pjesën jugore të Shqipërisë.
    Ngjarja tronditëse ka ndodhur në fshatin Kosinë të Përmetit, jo shumë larg kufirit verior të shtetit grek. Sipas banorëve që rrëfyen për kamerat e televizionit “Top Channel”, ngjarja nisi pak kohë më parë, kur në fshat erdhën disa persona që nisën të gërmonin te varrezat që ndodhen pranë kishës dymijëvjeçare të Shën Mërisë. Të tmerruar dhe të indinjuar, banorët treguan se të ndihmuar nga prifti i fshatit, ata hapën varret e vjetra, duke marrë eshtrat e njerëzve të vdekur që një shekull më parë. Shumë prej eshtrave u përkisnin grave dhe fëmijëve dhe ato janë futur në qese plastike, për t’u rivarrosur si ushtarë grekë të rënë në luftë. Njëri prej punëtorëve, që ka marrë pjesë në shumë prej zhvarrimeve, thotë se janë marrë eshtra grash dhe fëmijësh. “Janë marrë eshtra grash dhe fëmijësh për të plotësuar varret e grekëve. Edhe unë kam hapur varre grash”, - u shpreh varrmihësi, që deklaroi se ishte ankuar, por ishte kërcënuar nga eprorët e tij që të vazhdonte punën. Edhe kryetari i komunës, Karafil Pasha, konfirmoi faktin shqetësues, duke akuzuar priftin e fshatit se është në krye të këtyre punëve të ndyra dhe antishqiptare.
    “Jam në dijeni të këtij problemi që Papa Vasil Thomollari, bashkë me një person tjetër, kanë organizuar një grup fshatarësh në Kosinë, te varrezat e vjetra, ku kanë filluar nxjerrjen e eshtrave të të vdekurve shumë e shumë vite më parë, duke thënë se ata janë ushtarë grekë. Në atë tokë ka qenë varreza e të parëve të Kosinës”, - deklaroi kryetari i komunës. Si për çudi, në fshatin Kosinë, varret e myslimanëve, megjithëse ndodhen afër, nuk janë prekur.


    29 Maj 2006

  6. #56
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,051
    Eshtrat e ushtarëve, shkak për krizë diplomatike

    Pak javë më parë, zëvendësministri grek anuloi vizitën në Tiranë për varret e ushtarëve, por varreza është ngritur me kohë

    Skandali i eshtrave të ushtarëve grekë u rihap pak javë më parë. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Greqisë anuloi vizitën në Tiranë në një ditë me një zyrtar të lartë kinez që do të takohej me Avokatin e Popullit. Por, ndërsa zyrtari kinez shfaqte protestën për strehimin që Shqipëria u bëri pesë ujgurëve kinezë të akuzuar nga Pekini për terrorizëm, zëvendësministri kinez protestonte për zvarritjen e ndërtimit të varrezave për ushtarët e rënë grekë në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
    Ministria e Mbrojtjes, me anë të ministrit Mediu, u nxitua të sqaronte se gjithçka do të rregullohej shumë shpejt, por në fakt ka ndodhur ndryshe. Në kishën e Këlcyrës është ndërtuar një varrezë me rreth 700 vende për ushtarët e rënë në Shqipëri. Të afërmit e ushtarëve kanë kërkuar prej dhjetëra vitesh që të dashurit e tyre të ktheheshin në Greqi, për t’u varrosur në atdhe, por Athina nuk ka pranuar, duke hedhur hije dyshimi për zbatimin e asaj që ku ka ushtarë të rënë grekë, është tokë greke.
    Hipas të dhënave, vetëm në Këlcyrë mendohet të kenë rënë më shumë se 2000 ushtarë grekë. Banorët tregojnë histori të dhimbshme e të trishtueshme të asaj kohe. Një pjesë e trupave të varrosur nga banorët e fshatrave janë gjetur të ngrirë në dëborë, një pjesë të plagosur për vdekje. Pas vdekjes, ata u vendosën në vende të përbashkëta dhe pas viteve ’90, nga tregimet e njerëzve u bë e mundur gjetja e eshtrave të mjaft ushtarëve të vrarë. Gjatë kohës që zgjati Lufta italo-greke, tetor i vitit 1940 - maj 1941, vetëm në territorin shqiptar thuhet se kanë humbur jetën 7948 ushtarë grekë. Luftimet u shtrinë në një front të gjerë nga Lini i Pogradecit, deri në lartësitë e Kurveleshit. Numri më i madh i të rënëve mendohet të jetë në zonën e grykës së Tepelenës. Gjetja e të gjitha eshtrave të të rënëve gjatë kësaj lufte është shumë e vështirë. Terreni i gjerë dhe i vështirë i zhvillimit të luftimeve, koha e gjatë që ka kaluar dhe mungesa e informacionit të saktë, e bën thuajse të pamundur gjetjen e tyre.


    29 Maj 2006

  7. #57
    Shife icik ket..timin Maska e miko
    Anëtarësuar
    05-04-2003
    Vendndodhja
    Në botën e çudirave
    Postime
    755
    E kane dh.jere nje cik muhabetin me keto pseudoushtare.Nuk lane njeri pa zhgroposur dhe pa e "pagezuar" si ushtar grek.Sigurisht dhe me "bekimin" e prifterinjte/legenave tane,e me ndonej 100 eurosh nen dore.
    Lexoj ne balkanweb qe paskan gjetur rreth 140 eshtra "ushtaresh" te fshehur ne nje kishe ne Permet.Policia reagoi por mesa duket pak me vonese.Si ore eshte e mundur te zhvarrosen 140 shtetas shqiptare sipas te dhenave...e policia te vije ne dijeni vetem ne momentin kur i kishin "paketuar" e gati per pagezim.
    Shteti ketyre matrapazlliqeve duhet tu tregoje dhembet e te mos toleroje asnje xhest te tille kundra shtetasve te tij,te pakten ndaj atyre qe kane mbyllur syte te tregoje pak me shume respekt e ti leje te prehen ne vendin e tyre ku ishin varrosur.Te pakten brenda teritorit te republikes mbroni te drejtat e shtetasve shqiptare...dreqi ta haje beni dicka se eshte turp.


    Per varrezen,qe na paskan nder mend te ndertojne dhe nje manastir per keta "martire"..them se eshte nje levizje largpamese e diplomacise greke.Mire do ishte nqs ekzistojne (te evidencohen ne baze te fakteve historike) te rene ne teritorin e RSh-se,te zhvarrosen e te prehen dhe ata ne token e tyre meme/helene.Nuk e kuptoj kete "shantazh" te tyre...


    Citim Postuar më parë nga Cyclotomic
    Para ca kohesh po flisja me nje shokun tim serb.
    Tradhtar,tradhtar,tradhtar.

    Or ti lum miku.Deri pak kohesh sa nuk na "pushkatuat" per faktin qe dolem hapur per te mbeshtetur nje artist.Tani na dilke qe paske relata dhe me te tjere te sojit te tij...

    Ptuuuuuuu jazek te qofte.Hipokrit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga miko : 29-05-2006 më 14:11
    .........................

  8. #58
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049
    Banorët thonë se prifti që inicioi hapjen e varreve, Vasil Thomollari, ka ditë që nuk vjen në fshat

    Zhvarrosja, zhduket prifti i Përmetit


    Policia nuk ka arritur të marrë në pyetje, At.Vasil Thomollarin. Analiza ADN-je për eshtrat e hapur.

    Prifti i Përmetit, At.Vasil Thomollari, i cili inicioi hapjen e varreve në fshatin Kosinë, nuk është dukur prej ditësh në ato anë. Banorët e zonës thonë se ai nuk ka ardhur më që prej shpërthimit të skandalit për hapjen e varreve. Policia gjithashtu nuk ka arritur ta marrë në pyetje priftin. Megjithëse në fshatin e tyre, janë hapur rreth 137 varre, banorët ndjehen të habitur, se si është e mundur që janë nxjerrë eshtrat e të vdekurve. “Erdhi ditë e qametit të keqen nëna. Kur arritën që nxorrën në sipërfaqe eshtrat e të vdekurve, nuk e di se ç’mund të bëjnë më”,- shprehet një e moshuar.

    Megjithatë banorët janë mjaft të gatshëm edhe të të shoqërojnë në territorin e jashtëm të kishës së Shën Mërisë, ndër më të vjetrat në Ballkan, aty ku deri pak ditë më parë ndodhej varreza e vjetër e fshatit. I gjithë vendi është i gërmuar dhe varret janë të hapura, madje në sipërfaqe kanë mbetur edhe eshtra. “Eshtrat e një fëmije i mblodhi një plakë, i futi në një qese blu dhe i groposi prapë, se i vinte shumë keq”, tregon njëri nga banorët.

    Ndërkohë kisha është e mbyllur dhe nuk mund të gjesh askënd prej punonjësve të saj, që mund të japë një përgjigje. “Edhe prifti, At Vasil Thomollari ka shumë ditë që nuk ka ardhur fare në fshat”,- thonë banorët.

    Në tri lokalet që ndodhen në qendër të fshatit, tema e zhvarrosjes është kryefjala e ditës. Madje banorë të larguar në kohë të ndryshme nga fshati e që banojnë në qytete të tjera, me të marrë vesh lajmin, nuk kanë ngurruar të kthehen për të kërkuar nga prifti rikthimin e eshtrave të të parëve të tyre, aty ku kanë qenë. E tillë është Mine Daka, e larguar prej 40 vjetësh nga Kosina e që banon në Lushnje. “Sa mora vesh lajmin, erdha kastile për këtë punë. i kërkova priftit që menjëherë të kthente mbrapsht eshtrat që ka marrë, se aty kam pasur të varrosur tezen dhe gjyshen”,- shprehet ajo.

    Po kështu, përfaqësues të komisariatit të policisë dhe prokurorisë së rrethit të Përmetit, kanë qenë të pranishëm në fshat ditën e shtunë, ku kanë marrë kontakt me banorët dhe kryetarin e komunës Piskovë, dhe mësohet se tashmë kanë filluar hetimet për zbardhjen e kësaj çështjeje.

  9. #59
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049
    Keto lajme jane me te vertete shqetesuese. Per cfare po ndodh, pak a shume me duket zgjidhje e lehte, ose te lihen aty ku jane, ose te kthehen ne Greqi. Qeveria shqiptare duhet t'i thote pales greke, "bujrum" hadje merr ushtaret e tu. Bile nqs varret jane te pashenuara dhe ka nje fare dyshimi per perkatesine, te jete qeveria greke ajo qe do financoje teste ADN, per te qene te sigurt ke po marrin e ke po lene.

    Por me shqetesuese per mua eshte mos-angazhimi i shtetit, qe ka nderhyre vetem ne minuten e fundit. A kishin leje keta gropecpuesit te merreshin me dicka te tille? Perse policia nderhyri kur qe teper vone, kur trupat e 140 te vdekur u zhvarrosen pa asnje konsiderate?! Ku eshte shteti?
    Per me teper, eshte e vertete qe varferia e ctjeterson njeriun, por deri ne kete fare feje? Do shesim te vdekurit tani bashke me shpirtin?

  10. #60
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-10-2004
    Postime
    237
    skandal ke zoti nuk na e kane fajin ata neve por koka jone....cjane keta shqipo qe bejne keto gjora .........nuk arri ta kuptoj dot .......
    ketu ta tregoj veten sali berisha dhe demokratet e tjere qe bejne gjithe diten gam gam ne parlament dhe rrine i gjymojne gocave t e reja rrugve ......

Faqja 6 prej 30 FillimFillim ... 4567816 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 21
    Postimi i Fundit: 13-12-2010, 10:02
  2. Bashkim Gazidede prononcohet në media për ish-detyrën si kreu i SHIK
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-11-2006, 13:17
  3. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 25-01-2005, 02:27
  4. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16
  5. Beratasit dhe çifutët
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 27-06-2003, 10:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •