Serbët me peticion kundër EULEX-it

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë




Serbët në veri të Mitrovicës kanë filluar nënshkrimin e një peticioni, me të cilin kundërshtojnë vendosjen e misionit evropian në Kosovë, EULEX.

Nënshkrimi i këtij peticioni është iniciuar nga Kuvendi paralel i Komunave Serbe në Kosovë dhe motoja e tij është "STOP EULEX-it".

Serbët e Kosovës e konsiderojnë të jashtëligjshëm këtë mision sepse sipas tyre, ai nuk ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Serbisë.

"Ky është një hap i jashtëligjshëm, sepse Kombet e Bashkuara nuk e kanë lejuar vendosjen e EULEX-it. Nëse OKB-ja e lejon atë, edhe ne do ta lejojmë", shprehet një qytetar serb, pasi vendosi firmën e tij në peticion.

Nënshkrimi i peticionit kundër EULEX-it po bëhet me nismën e Kuvendit paralel të Komunave serbe.

Nënkryetari i tij, Marko Jakshiç ka paralajmëruar se peticioni do të nënshkruhet edhe në vendbanimet tjera serbe.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka dërguar në Beograd të premten një zyrtar të tij, z.Stephan Lehne për të vazhduar bisedimet me autoritetet serbe për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.

Zoti Lehne ka thënë se BE është pranë arritjes së një marrëveshje me Serbinë për gjetjen e formulës për funksionalizimin e misionit evropian me miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

BBC





Vetëvendosja në aksion!



"Vetëvendosja" kundërshton kreun e EULEX-it



· Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një fushatë kundër kreut të misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se Kermabon si dhe misioni i EULEX-it do të funksionojnë në Kosovë mbi ligjin dhe mbi institucionet e zgjedhura.



Shkruan: Zijadin Gashi - Prishtinë, 13. 10. 2008

_____________________________



Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot në Prishtinë një aksion proteste kundër kreut të misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Të prirë nga lideri i tyre, Albin Kurti, aktivistë të “Vetëvendosjes”, nëpër qendër të Prishtinës kanë vendosur posterë nga ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it në vjeshtën e vitit 2005, ku Kermabon shihej në shoqëri me Dragan Paskashin, komandantin e shtatmadhorisë së ish-Unionit Serbi dhe Mali i Zi.



· Foto: Posteri nga ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it në vjeshtën e vitit 2005


Albin Kurti tha se kjo foto tregon se Kermabon kishte ftuar Paskashin, njërin nga përgjegjësit, sipas tij, për vrasjen e mbi 14 mijë shqiptarëve të Kosovës. Kurti tha se jo vetëm Kermabon është një njeri i papërshtatshëm në Kosovë, por edhe vetë misioni EULEX, të cilin ai do ta drejtojë. Sipas Kurtit, EULEX-i është vetëm një zëvendësim i UNMIK-ut dhe asgjë më shumë.


“Populli i Kosovës do t’i hasë pasojat e drejtpërdrejta të EULEX-it, pikërisht nga vendimet e Kermabonit që do të kontrolloj policinë, drejtësinë, doganat e kështu me radhë. Do të jetë EULEX-i ai që do ta bllokojë këtë vend, duke na etiketuar si krizë edhe duke na ngujuar në kurthin e stabilitetit”, tha Kurti.



Albin Kurti tha se “Vetëvendosja” nuk e kundërshton praninë e Bashkimit Evropian, por kërkon që kjo prani të jetë këshillëdhënëse dhe jo prani që do të funksionojë mbi ligjin dhe mbi të gjitha institucionet e Kosovës.



“Ne kemi pasur nevojë për zhvillim, demokraci e liri, që nënkupton profesorë të universiteteve evropiane, që nënkupton ekspertë evropianë të ekonomisë, që nënkupton mjekë e doktorë specialistë nga Evropa, e jo për policë e gjykatës”, theksoi Kurti.


Në anën tjetër, duke iu referuar veprimeve të sotme të “Vetëvendosjes”, zëdhënësi i misionit të EULEX-it, Victor Reuter, thotë se secili në Kosovë ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, qoftë edhe përmes protestave apo demonstrimeve të ndryshme, por, gjithmonë duke respektuar rendin dhe ligjin. Reuter thotë se EULEX-i është në fazën e shtrirjes dhe pret që të jetë funksional deri në fund të vitit.



“Më shumë se 50 veta nga stafi ndërkombëtar vijnë në Kosovë çdo javë. Tani EULEX-i ka rreth 450 veta të personelit ndërkombëtar dhe rreth 270 veta të personelit vendor”, thotë Reuter. I gjithë stafi, nënvizon ai, vazhdon trajnimet e nevojshme deri në fillimin e punës dhe funksionalizimin e misionit, diku në fund të vjeshtës apo në fund të vitit.


Misioni i EULEX-it e ka miratimin e institucioneve të Kosovës, përderisa një rezistencë e theksuar kundër këtij misioni është shprehur nga serbët e pjesës veriore të Kosovës, ku përfaqësuesit e këtij komuniteti pakicë në Kosovë janë deklaruar në vazhdimësi se nuk do të lejojnë shtrirjen dhe funksionalizimin e EULEX-it nëpër enklavat serbe.


Zyrtarë të Bashkimit Evropian në disa raste e kanë përsëritur se EULEX-i do të shtrihet në gjithë Kosovën, përderisa serbët preferojnë që nëpër vendbanimet e banuara me këtë komunitet të mbetet i stacionuar vetëm UNMIK-u si mision ndërkombëtar.