PËRGATITJA E LITURGJISË
E DIELA 31 ORD VITI B.
MË 3-11-2024.
LEXIMI I PARË. Dt. 6, 2 – 6
1 Këto janë urdhërimet, ligjet e rregulloret që Zoti, Hyji juaj, më urdhëroi t’jua mësoj që t’i zbatoni në vendin që po kaloni për ta bërë pronë,
2 me qëllim që ta druash Zotin, Hyjin tënd, e t’i zbatosh të gjitha urdhërimet e ligjet e tija që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë. 3 Dëgjo, o Izrael, mbaj e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu.
4 Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!
5 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! 6 Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde!
LECTIO DIVINA – MEDITIMI – LUTJE.
Ky është një nga tekstet më të mëdhenj të Besëlidhjes së Vjetër! Ai ende luan një rol shumë të rëndësishëm në fenë dhe lutjen e Izraelit sot.
Vetë libri i Ligjit të Përtërirë është një ndër librat të parë të Biblës sonë aktuale, por në realitet është një libër që u shkrua disa shekuj pas lirisë si Popullit të Zgjedhur nga Egipti, pra shumë vonë; është rezultat i gjithë reflektimit të disa shekujve pas daljes nga Egjipti. Për të hyrë realisht në këtë tekst, duhet njohur (sa të jetë e mundur) historinë e librit të Ligjit të Përtërirë: me Moisiun dhe daljen nga Egjipti, jemi rreth vitit 1250 para Krishtit. Instalimi në Tokën e Premtuar ndodhi rreth 1200 vitet para Krishstit; dymbëdhjetë fiset i ndajnë vendet dhe do ta pushtojnë territorin e tyre, secili për veten; por ata ruajnë lidhjen e besimit të tyre të përbashkët në Perëndinë që i çliroi nga Egjipti. Moisiu nuk ka shkruar asgjë gjatë jetës së tij: Populli kishte vetëm rasat e Ligjit, të shruara në gur; me vemendje dhe dashuri besimtaret i përsërisnin fjalët e këtyre rasave për t'i nguluar thellë mësimet e tyre në zemrën, e i përcjllnin nga babai te biri, brez pas brezi.
Me kalimin e shekujve u ndje nevoja për të vënë në shkrim elementët më të rëndësishëm të meditimit të historisë së lirimit të populli me ndërhyrjen e Zotit. Në varësi të vendndodhjes, këto dokumente, të cilat po shfaqeshin gradualisht, secili ka karakteristikat e veta. Ajo që është shkruar në oborrin e mbretit Solomon në shekullin e dhjetë ka thekse të tjera nga ajo që filloi dyqind vjet më vonë në shekullin e tetë në mbretërinë veriore, ku kumbojnë zëra po aq kërkues sa ato të profetëve Amos ose Ozea. Ishte në bashkësitë e tyre që ka shumë ngjarë të ketë lindur thelbi i asaj që është sot libri i Ligjit të Përtërirë. Në kohën e shkatërrimit të mbretërisë veriore nga Asirianët, Levitët e Veriut u strehuan në Jeruzalem, duke marrë me vete atë që kishin më të çmuar, rrotullat që përmbajnë mësimet e Moisiut në gjendje në të cilën profetët i kishin trashëguar. Ata së shpejti do t'i shtojnë mësimet që kanë nxjerrë nga tragjedia që ndodhi në veri: mendonin se në qoftë se vëllezërit e tyre në Jug do të kishin pasur mundësinë të dëgjonin mësimet e Moisiut dhe të profetëve, nuk do të kishin vuajtur ata fatkeqësinë që e shkattëroi krejt mbretërinë e veriut, mbretërinë e tyre.
Më vonë, këto dokumente do të përjetojnë shumë aventura të tjera: të fshehura në tempullin e Jeruzalemit, nën sundimin e një mbreti sakrileg, për ta shpëtuar, ato do të gjenden pothuajse rastësisht, në vitin 622, nën mbretërimin e Josias, i cili do të bazohet në mësimet e këtij dokumenti për të filluar një reformë të madhe fetare. Ai ishte një besimtar i vërtetë. Dhe pastaj, kur katastrofa do të kishte ndodhur edhe në mbretërinë jugore (Jerusalemi u pushtua nga Nabukodonozor në 587), do të jetë koha për të nxjerrë edhe mësime për kthimin nga Mërgimi: Toka e premtuar nga Zoti duhet fituar. Prandaj theksi i fjalës "dëgjo" në këtë libër, theksi që është ai i një predikimi, madje edhe i një thirrjeje zgjimi. Kështu lindi, ndoshta, gjatë shekujve dhe historisë së trazuar të popullit të zgjedhur, ky libër i Ligjit të Përtërirë që kemi përpara (dhe emri i të cilit, në greqisht, do të thotë "Ligji i dytë", pasi është, në një farë mënyre një ripërtëritje e mësimeve të Moisiut.
Pra mund të thuhet se dihet miaft tani për të kuptuar tekstin e sotëm. Prandaj është një rilexim i Eksodit dhe i mësimeve të Moisiut, shumë kohë pas vdekjes së këtij të fundit, në një kohë kur mbretërisë jugore duhet t'i kujtohen urgjentisht kërkesat e Besëlidhjes dhe kthimi në besim, në thellësi që është thelbësore: Izraeli, ti do të dëgjosh, ti do të kujdesesh të vish në praktikë atë që do t'ju sjellë lumturi dhe frytshmëri... ashtu siç ju ka premtuar Zoti, Perëndia i etërve tuaj. “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi "
I gjithë fati i Izraelit është aty, ndoshta, në kuptimin e këtyre dy fjalëve ("Dëgjo" dhe "Izrael"): Izraeli, Populli i Zgjedhur, por që e ka marrë emrin nga një luftë e paharrueshme, nëse ju kujtohet! Sepse ishte pas natës së betejës së tij me engjëllin (në kalimin e Jabokit, në një degë të Jordanit në Jordaninë e sotme) që Jakobi mori nga kundërshtari i tij këtë emër të ri: "Izrael", që do të thotë saktësisht: "Ai që luftoi kundër Zotit”!
“Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael:
sepse luftove me Perëndinë e me njerëz
dhe ngadhënjeve” (Zn 32, 29).
Pikërisht këtij populli, gjithmonë të tunduar për t'u ngritur kundër Zotit, për të luftuar me Zotin ("njerëz me qafë të fortë", tha Moisiu) autori i librit të Ligjit të Përtërirë ia kujton se ai duhet përkundrazi "të dëgjojë" Zotin... Është pikërisht ai Popull që vazhdimisht sfidohet me këtë nevojë për t'u nënshtruar dhe dëgjuar, nëse dëshiron të fitojë lumturinë dhe lirinë e vet.
Kjo frazë: "Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!" është bërë lutja e përditshme e judenjve. Është e famshmja “SHEMA ISRAEL” që recitohet në mëngjes dhe në mbrëmje nga mosha tre apo katër vjeç. Pjesa tjetër e tekstit këmbëngul që të mos e harrohet kurrë ky profesion i besimit: ja disa vargje që pasojnë dhe që janë kaq të bukura:
"Këto urdhërime që po t’i jap sot unë,
mbaji gjithmonë në zemrën tënde!
Ua përsërit fëmijëve të tu!
Fol për to kur të jesh në shtëpi
e kur të jesh duke udhëtuar;
kur të biesh në shtrojë
e kur të ngrihësh nga shtroja.
Lidhi në dorën tënde si shenjë
dhe le të jenë si vjerrës
ndërmjet syve të tu!
Shkruaji mbi ballëzinat e dyerve të tua
dhe në dyer të tua!" (v. 6-9).
Mënyrë e bukur për të thënë se është në çdo kohë, në zemër të çdo profesioni të tij që besimtari duhet të qëndrojë i lidhur me gjithë qenien e tij pas këtyre urdhërimeve që i janë dhënë për lumturinë e tij.
Kjo shenjë në dorë dhe në ballë dhe në dyert e shtëpive e të qyteteve, dihet që ndiqet fjalë për fjalë; dihet se quhen "filateritë" (në aramaisht, tefillin): këto kubikë të vegjël prej lëkure të zezë, që besimtarët i lidhin, në ballë dhe në krah (në lartësinë e zemrës), gjatë lutjes të përditshme; në këto kubikë të vegjël, pikërisht, janë të mbyllura rrotulla në të cilat është shkruar ndër të tjera teksti i "Shema Israel":
"Ju do të bëni një shenjë të saj
të ngjitur në dorën tuaj,
ju do të bëni një shenjë të saj
të vendosur midis syve tuaj".
Po kështu, Ligji i Përtërirë thotë:
"Do t'i shkruani në shtalkat e shtëpisë tuaj,
do t'i shkruani në hyrje të qytetit tuaj”.
Pastaj në kornizën e derës së përparme të shtëpisë besimtarët varin një kuti të vogël (mezuzah) që përmban Shema Israel; po kështu, ekziston një mezuzah i varur nga porta e qytetit (në murin e qytetit të vjetër të Jeruzalemit, për shembull). Kështu edhe sot besnikëria e Populli të Zgjedhur është pjesë e praktikës së tyre të përditshme. Izraeli nuk e ka harruar kurrë thirrjen e Ligjit të Përtërirë.
Duke lexuar këtë, do të kemi vënë re rëndësinë e transmetimit familjar të besimit: "Ti do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, si dhe biri yt dhe biri i birit tënd..." Shprehja: "Perëndia i etërve tuaj" që takojmë këtu, si në shumë tekste të Besëlidhjes së Vjetër, ka ngjallur gjithashtu këtë transmetim për shekuj me radhë. Ky është sigurisht një nga sekretet e mbijetesës së besimit hebre gjatë historisë.
Krijoni Kontakt