Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Qeveria e Qametit rrit taksat për shqiptarët në vitin e ri 2024

    Nga 1 janari 2024 nis zbatimin paketa e re fiskale me rritjen e akcizës së duhanit dhe cigareve dhe tatimin mbi të ardhurat nga profesionet.

    Nga 2024 nuk do të paguhet TVSH e importit të gjithëve me qëllim stimulimin e rritjes së numrit të bagëtive dhe përjashtimin nga TVSH për kosheret me bletë.

    Emri:  fiskalizim-gjoba.jpg

Shikime: 71

Madhësia:  21.9 KB

    Nga 1 janari 2024 fillojnë efektet edhe në ndryshimet e ligjit “Për procedurat tatimore” që synon ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe shkon në 500 mijë lekë gjoba për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ që nuk lëshojnë faturë tatimore.

    Nga taksimi i profesioneve të lira do arkëtohen 3 miliardë të ardhura shtesë

    Rreth 29 mijë biznese të profesioneve të lira do të paguajnë tatimin progresiv nga 15 deri 23%. Të ardhurat e programuara në buxhet nga kjo kategori janë parashikuar në rreth 3 miliardë lekë sipas relacionit të projektbuxhetit 2024. https://www.monitor.al/nis-sot-tatim...leke-me-shume/

    Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton se profesionet e lira me të ardhura vjetore deri 14,000,000 do të tatohen mbi fitimin 15%, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore. Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.

    Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

    MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.

    Nis nga 1 janari indeksimi i akcizës deri 1,5%

    Nga 1 janari 2024 fillojnë efektet edhe të ndryshimeve të ligjit “Për Akcizat” kufizon rritjen e tarifave të akcizës për karburantet dhe pijet alkoolike deri në nivelin 1,5%.

    Ndryshimet parashikojnë që akciza do të indeksohet çdo dy vjet, në masën e normës zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i, por jo më shumë se 1,5%, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza do të aplikohet sipas kalendarit të përcaktuar në Shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet ligjit. Sipas relacionit të projektligjit ky nivel indeksimi do të gjenerojë 0,6 miliard lekë të ardhura shtesë nga akciza.

    Në janar të vitit 2022 është aplikuar indeksimi automatik i tarifave të akcizës me normën zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i për dy vitet paraardhëse, me qëllim reflektimin e rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit të mallrave mbi nivelin e akcizës së aplikuar, si dhe parandalimin e erozionit në akciza.

    Indeksimi ligjor çdo dy vjet i tarifave të akcizës u vendos, bazuar në nivelin e inflacionit mesatar të rezultuar në 10 vjetët e fundit, i cili varionte në nivelin rreth 1.7% në vit.

    Në relacionin e projektbuxhetit 2024 theksohej se sipas këtij parashikimi, nivelet e akcizës për produktet e akcizueshme do të rriteshin me mesatarisht 3-3.4%, çdo dy vjet.

    Rritja e shpejtë e inflacionit në nivele “jonormale” gjatë dy-tre viteve të fundit, si një fenomen jo vetëm shqiptar, por global, që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë, bën të nevojshëm rishikimin e skemës së rritjes. Të dyja këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike, si energjia, nafta dhe ushqimet.

    Kjo rritje e inflacionit, me një normë mesatare vjetore prej 7.4% në fund të vitit 2022 dhe 5.2% për periudhën janar-gusht 2023 bën të domosdoshëm kufizimin e rritjes së tarifave të akcizave për shkak të inflacionit dhe propozimin e këtij projektligji, me qëllim kufizimin e indeksimit të tarifave të akcizës brenda limiteve të një norme inflacioni të akumuluar dyvjeçare që nuk kalon 1.5%.

    Përndryshe, nëse nuk do të bëhet ky kufizim, niveli i akcizave nga janari 2024 duhet të rritet +11,5% dhe nëse edhe në vitet në vijim inflacioni do të rezultojë në nivele mbinormale, indeksimi do ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave, të tilla, si karburantet, pijet alkoolike, birra, vera etj.

    Nga 1 janari 2024 vijon rritja e akcizës për cigaret sipas skedulimit

    Për duhanin dhe cigaret, për periudhën 2022-2026 aplikohet rritje çdo vit, sipas një skedulimi të caktuar, të parashikuar në ligjin e akcizave. Rritja e akcizës së cigareve, miratuar në vitin 2022 sipas kalendarit për periudhën 2022-2026 ka efekt në rritjen e të ardhurave në vlerën e 0,75 miliard lekëve.

    Nga 1 janari 2024 shkalla e taksimit për “puro dhe cigarillos”, “cigare që përmbajnë duhan”, “puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani” dhe “për duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit duhan me dredhje” nga 7,000 lekë për kg do të jetë 7,250 lekë për kg.

    Ndërsa për “duhan të përpunuar me gjethe duhani të kultivuar në Shqipëri” shkalla e akcizës nga 3,000 lekë për kg do të jetë 3,250 lekë për kg. Për produktet që mbajnë nikotinë lëng akciza rritet 2 lekë për ml dhe arrin në shkallën 16 lekë për ml. Për produktet duhan me ngrohje dhe për shishë dhe argjile akciza arrin nga 7,250 lekë për kg në 7,750 lekë për kg.

    Përjashtimet e TVSH-së në blegtori

    Paketa fiskale përfshin edhe disa përjashtime nga TVSH për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Nisur nga nevoja e rritjes së numrit të krerëve të bagëtive në vend, u miratua përjashtimi nga TVSH në importin e gjedhëve të mbarsur sipas një kodi doganor të caktuar doganor.

    Po kështu u miratua edhe përjashtimi nga TVSH i koshereve me bletë, çka do stimulojë zgjerimin e këtij sektori si dhe përjashtimi nga TVSH i importit të insekteve të cilët luftojnë insektet, të cilët janë zëvendësues të insekticideve që përdoren në bujqësi. Efekti nga këto masa në mbështetje të bujqësisë është rreth -150 milionë lekë në vit.

    Taksa e karbonit do të rritet 0,5 lekë nga 1 korriku 2026

    Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë u propozua nga 1 janari 2024 rritja me 0,5 lekë e taksës së karbonit mbi industrinë e rëndë të hekurit, çimentos apo ferro-kromit nga 3 lekë për kilogram që është aktualisht për të arritur në 15,3 lekë deri në vitin 2030.

    Pas propozimeve të deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u miratua që rritja e taksës së karbonit të nisë nga 1 korriku 2026 me 0,5 lekë për kg, duke arritur në vlerën e 4,5 lekëve. Më tej do të arrijë 6,5 lekë në vitin 2027, 9 lekë në vitin 2028, dhe 12 lekë në vitin 2029 dhe 15,3 lekë për kg në vitin 2030.

    Nga ndryshimet që do të nisin zbatimin nga 1 korriku 2026 parashikon tw gjenerohen 140 milionë të ardhura shtesë në buxhet.


    Dorina Azo

    Revista Monitor
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 02-01-2024 më 14:27

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Qeveria e Qametit rrit taksat për shqiptarët në vitin e ri 2024

    Nis taksimi për profesionet e lira/ “Instrumenti i radhës, në një sistem të mirëmenduar”, Berisha: Genocid përmes taksave të dëbimit

    2024 do të nisë me taksa për profesionet e lira. Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në një reagim të bërë në faqen e tij të Facebook, shprehet se ky është një ‘genocid përmes taksave të dëbimit’.

    “Të dashur miq, ky vit i ri nisi me një goditje të rëndë për 29 mijë shqiptarë që ushtrojnë profesione të lira. Kësaj shtrese, jetike për ekonominë e vendit, u është vendosur prej datës 1 Janar 2024, TAKSA E DËBIMIT nga Shqipëria. Filozofia e Partisë Demokratike, ashtu si e çdo partie të djathtë, qëndron në faktin se më pak taksa është më mirë.

    Është e provuar se paraja në xhepin e qytetarit menaxhohet më mirë dhe është më e dobishme se sa në arkën e shtetit.

    Kjo është e provuar në qeverisjen e Partisë Demokratike, ku fal taksës së sheshtë shqiptarët kishin më shumë fuqi blerëse se sot, pavarësisht se kanë kaluar 10 vite. Është e provuar gjithashtu në shumë vende perëndimore që kanë ndjekur një sistem taksimi të djathtë dhe ka rezultuar në produkivitet të shtuar dhe begati për vendin”, shprehet Berisha.

    Ai vijon më tej: Sidoqoqoft ajo që po ndodh në Shqipëri, nuk është një sistem taksimi i majtë dhe kritika ime nuk ka natyrë ideologjike.

    Problemi në Shqipëri nuk është taksa në vetvete. Por QËLLIMI i taksës. A është ajo një taksë e drejtë? A nxit ajo produkivitet?

    Nëse vizitojmë historinë, do të shohim raste të shumta ku taksat janë përdorur si instrumenta për shtypjen e njerëzve.

    Taksat janë përdodur për të vjedhur një popullatë, si në Francën para Revolucionit. Taksat janë përdodur si detyrim për të konvertuar besimet e njerëzve.

    Dhe së fundmi, taksa e profesioneve të lira në Shqipëri, si një mekanizëm për të DËBUAR nga Shqipëria, atë shtresë ku përfshihen operatorët turistikë, veterinerët, arsimtarët, mjekët, agjentët e pasurive të paluajtshme, elektricistët, hidraulikët etj.

    Taksimi i tyre me 15% dhe 23% është de facto një TAKSË DËBIMI, pasi cili do që njeh një profesionistë nga këto fushë, e di se të ardhurat e shumicës së tyre janë në kufirin e mbijetesës.

    Kjo taksë është një TAKSË DËBIMI, kur në ekuacion vendosen edhe faktet e tjera të realitetit të tyre:

    – Asnjë mbështetje apo incentivë nga shteti për këto profesione. – Çmimet më të larta në rajon për ushqime bazike dhe strehim.

    – Realitetin se 81% e shqiptarëve kërkojnë të largohen nga vendi, ku profesionstat e lirë janë segmentet më të interesuar për largim.

    Pra taksimi i profesioneve të lira me 15% dhe 23% në këto rrethana, përbën jo një taksim të thjeshtë, por një incentivë për largimin e tyre nga Shqipëria dhe zbrazjen e Shqipërisë nga profesionistët.

    Ky taksim është veçse instrumeni i rradhës, në një sistem të mirëmenduar që synon genocid ndaj shqiptarëve, duke i larguar ata nga trojet e tyre.

    Në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Genocideve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në faqen e parë shkruhet se ka 5 akte që cilësohen GENOCID.

    Akti numër 3 thotë: “Genocid quhet kur qëllimisht një grupi i vendosen kushte jetësore të kalkuluara për të sjellë shkatërrimin e pjesshëm ose të plotë të një populli”.

    Thënë këto, taksimi i profesioneve të lira është vetëm kushti më i ri i kalkuluar për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve.

    Kusht i kalkuluar është edhe shkatërrimi i zgjedhjeve të lira. Kusht i kalkuluar është edhe agresioni ndaj opozitës. Ku përfshihen vjedhja e logos së Partsë Demokratike. Dhe burgosja e liderit të opozitës.

    Kusht i kalkuluar është edhe shkatërrimi i parlamentarizmit. Ku deputetëve të opozitës u mohohet ÇDO E DREJTË KUSHTETUESE. Prandaj ju bëj thirrje profesionistëve të lirë. Të qëndrojnë për Shqipërinë. Mos të dorëzohen duke zgjedhur të largohen, ashtu siç synohet. Por të bashkohen në mosbindje civile duke REFUZUAR pagesën e kësaj takse.

    O SOT O KURRË! Për demokracinë. Për pluralizmin. Për shpëtimin e Shqipërisë.


    Balkanweb

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Qeveria e Qametit rrit taksat për shqiptarët në vitin e ri 2024

    Taksa për profesionet e lira, deputetja e PL: Qeveria po mbush xhepat duke dëbuar shtresën e mesme

    Emri:  xhixho-173.jpg

Shikime: 22

Madhësia:  16.4 KB

    Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho është shprehur përmes një deklarate se duke nisur nga ky vit profesionistët e lirë preken nga një barrë e re financiare.

    Ajo u shpreh se tatimi me 23% i profesionistëve të lirë do të rëndojë mbi 16 700 avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, fotografë, arkitektë, farmacistë, dizajner, përmbarues, videografë, specialistë IT etj.

    Sipas saj qeveria e cila ka dëbuar të rinjtë dhe bizneset fason ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbushur xhepat e saj duke dëbuar edhe shtresën e mesme.

    Deklarata e plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    Dua ta nis këtë komunikim me një urim për të gjithë shqiptarët në emër të Partisë së Lirisë. Mbarësi, begati e shpresë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

    Shumë prej jush e nisin këtë vit të ri me një barrë të re financiare. Nga 1 janari, qeveria u ka ngarkuar profesionistëve të lirë një taksë të re. Tatimi me 23% i profesionistëve të lirë do të rëndojë mbi 16 700 avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, fotografë, arkitektë, farmacistë, dizajner, përmbarues, videografë, specialistë IT etj.

    Kjo qeveri që ka dëbuar të rinjtë e po dëbon bizneset fason, ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbushur xhepat e saj duke dëbuar edhe shtresën e mesme. Taksa 23% për profesionistët e lirë është taksë mbi dijen, sepse penalizon individë që kanë investuar një jetë në studime e formim profesional dhe punojnë me orare të zgjatura.

    Kjo taksë e re nuk është rrjedhojë e një strategjie të qartë që i shërben mirëqeverisjes. Kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh, duke dëshmuar një paqëndrueshmëri të pashembullt politikash fiskale.

    Sot, varfërisë, mungesës së mbështetjes sociale, papunësisë dhe humbjes së shpresës, si arsyet që po i shtyjnë shqiptarët të largohen, u është shtuar edhe një tjetër.
    Pa asnjë konsultim me grupet e interesit, me forcën e kartonit dhe duke mos marrë parasysh amendamentin e Partisë së Lirisë, ligji për profesionet e lira detyron sot profesionistët e lirë të paguajnë më shumë se biznesi i vogël dhe ai i madh.

    Vendosja e kësaj takse në kulmin e krizës së cmimeve do t’i detyrojë shumë prej orfuesve të këtyre shërbimeve të marrin rrugën e emigrimit. Përfitimi i qeverisë nga ky taksim do të arrijë plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë.

    Këto para do të shkojnë në xhepat e klientëve të qeverisë, për koncesione e inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme.

    Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj.

    Partia e Lirisë është e bindur se një sistem taksimi i pabarabartë dhe i pandershëm, në kushtet e krizës, kur qeveria duhet të mbështesë e jo të vjelë më shumë taksa, është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.

    Me taksimin e ri, shtresës së mesme dhe intelektualëve, kjo qeveri po u tregon derën. Axhenda e qëllimshme për të shpopulluar vendin është shtrirë sot me ligj akoma më gjerë.

    Balkanweb

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Qeveria e Qametit rrit taksat për shqiptarët në vitin e ri 2024

    Profesionistët e lirë, të ardhurat mujore mesatare neto 1400 euro; Do paguajnë 75 milionë euro tatim

    Emri:  Profesionist-i-lire-freelancer-2.jpg

Shikime: 6

Madhësia:  54.4 KB

    Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që ushtrojnë profesionin në vend, sipas të dhënave zyrtare.

    Mes tyre ka kontabilistë, ekspertë kontabël, avokatë, juristë, agjentë të pasurive të paluajtshme, dentistë, mjekë etj.

    Ata janë të regjistruar kryesisht si biznese të vogla dhe të vetëpunësuar, ndërsa deri në fund të vitit të kaluar i janë nënshtruar tatimit njësoj si bizneset e vogla, duke u ngarkuar me pagesën e sigurimeve shoqërore e taksave lokale, ndërsa tatimfitimi ishte zero.

    Në vitin 2023, të 29 mijë profesionistët e lirë kanë deklaruar gjithsej të ardhura prej 85 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga financat, ose rreth 810 milionë euro.

    Të ardhurat që gjenerojnë profesionistët e lirë janë sa vetën 2.5% e të ardhurave gjithsej të deklaruara nga bizneset në vend. (Në total, bizneset në vend qarkulluan në vitin 2022 rreth 3.3 trilionë lekë, ose rreth 32 miliardë euro, sipas Anketës Strukturore të INSTAT).

    Fitimi neto i deklaruar nga 29 mijë profesionistët e lirë në vitin 2023 ishte 51 miliardë lekë, ose 490 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet.

    Fitimi i deklaruar nga profesionistët e lirë është në bazë të vetëdeklarimeve që kryhen në fund të vitit, pasi zbriten shpenzimet e vitit. Mesatarisht rezulton se një profesionist i lirë ka fitime, ose të ardhura neto që i mbeten pas zbritjes së shpenzimeve prej rreth 1400 euro në muaj (490 milionë euro/29 mijë profesionistë).

    Nga 1 janari 2024, me hyrjen e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, profesionistët e lirë, me të ardhura deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% tatim mbi fitimin neto dhe mbi këtë shumë me 23%. Me zbatimin e kësaj norme të re, e ardhurave neto e profesionistëve të lirë zbret në më pak se 1200 euro/muaj.

    Për vitin 2024, këstet e tatimit fitimit të thjeshtuar, që u dolën bizneseve në sistem në prill, u llogaritën mbi vetë deklarimet e fitimeve neto të vitit 2023. Profesionistët nuk arritën të zbresin as normën prej 30% të shpenzimeve që u njeh ligji, kur i kanë të ardhurat deri në 10 milionë lekë, për shkak se nuk u bë gati deklarata e re.

    Në bazë të vetë deklarimit të fitimeve neto për vitin 2024, rezulton se 29 mijë profesionistët e lirë do të paguajnë rreth 7.6 miliardë lekë (ose 75 milionë euro) tatim fitimi të thjeshtuar.

    Kjo shumë është mëse dy herë më e lartë në krahasim me parashikimin fillestar prej 3.3 miliardë lekësh të publikuar në relacionin e projektbuxhetit 2024, pasi llogaritjet ishin bërë bazuar në deklarimet e vitit 2022.

    Shuma prej 7.6 miliardë lekësh, është sa 12% e tatimfitimit që është mbledhur në total në buxhet për vitin 2023. (sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatim fitimi në 2023 ishin 64.5 miliardë lekë), ose 1.2% e totalit të të ardhurave buxhetore (të ardhurat buxhetore ishin 643 miliardë lekë në 2023).

    Gjithsesi kjo është një pagesë paraprake, pasi llogaritjet janë bazuar në deklarimet e vitit 2023. Në fillim të 2025-s, kur bizneset të bëjnë deklarimet reale të të ardhurave e shpenzimeve për vitin 2024, apo të zgjedhin regjimin e njohjes prej 30% të shpenzimeve, këstet do të rishikohen. Nëse subjekti rezulton që ka paguar tepër, kjo shumë do të mbartet për vitin e ardhshëm, nëse ka paguar më pak do të derdhë diferencën. Mbetet e paqartë se si do të bëhet kthimi i detyrimit të paguar tepër, nëse subjekti vendos të mbyllë aktivitetin.

    Tatimet kanë sqaruar se njohja apriori e shpenzimeve në masën 30% për tatimpaguesit, që ushtrojnë aktivitet si “Shërbim profesional”, e cila është opsionale, aplikohet sipas Ligjit të ri vetëm në deklarimin e fitimit të vitit 2024, i cili kryhet brenda datës 31 mars 2025.

    Ndërkohë ligji për tatimin mbi të ardhurat është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga tre grupe interesi. Nismëtarët e ankimimeve vlerësojnë se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën.

    Në rast të mosshfuqizimit të tij nga Kushtetuesja nga juristët, kontabilistët dhe ekspertë të tjerë paralajmërohen efekte të menjëhershme, që do të ndihen që me rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë, evazion, mbyllje të bizneseve dhe emigrim të shtresës së mesme.


    Revista Monitor

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 14-08-2023, 12:49
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 08-08-2023, 11:16
  3. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 23-09-2022, 13:17
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-04-2022, 09:30
  5. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 13-11-2015, 12:42

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •