Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,715
    Postimet në Bllog
    18

    Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti

    Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti

    Qeveria shqiptare u detyrua të fusë dorën në xhepin e taksapaguesve për t’i dhënë hua kompanisë publike Albcontrol, pasi gjendja e saj financiare mbërriti në pikën e falimentit si rrjedhojë e bllokimit të dhjetëramiliona eurove të ardhura nga kërkesa e biznesmenit italian, Francesco Beccheti për pagesën e gjobës së dhënë nga gjykata e Arbitrazhit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Rama-pas-mbledhjes-se-qeverise-.jpg

Shikime: 90

Madhësia:  25.4 KB
    Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë më 29 mars 2023. Foto: LSA

    Kryeministri Edi Rama ka pretenduar gjatë viteve të fundit më shumë se një herë se ai nuk ka ndër mend që të paguajë gjobën e rëndë të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit kundër qeverisë së tij në favor të biznesmenit kontrovers italian, Francesco Becchetti për konfiskimin e paligjshëm të televizionit Agon Channel nga autoritetet shqiptare në vitin 2015. Por ndryshe nga sa pretendon Rama, duket se taksapaguesit shqiptarë jo vetëm që po paguajnë 108 milionë eurot e caktuara nga gjykata si dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të biznesmenit italian nga qeveria shqiptare, por me gjasa, po paguajnë edhe interesat shtesë.

    Pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol.

    “Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontroll Sh.A. pranë organizatës Eurocontrol,” thuhet në raportin e Albcontrol mbi bilancin e vitit 2022. Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës].

    Kompania publike, Albcontrol gjendet aktualisht në rrezik falimenti si pasojë e faktit që nuk është në gjendje të tërheqë të ardhurat e saj nga shërbimet e shitura për shkak se gjykatat belge kanë pranuar kërkesën e Becchettit për të bllokuar llogaritë e saj për të shlyer dëmshpërblimin që Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë atij.

    Në dhjetor, qeveria i akordoi Albcontrol një hua me vlerë afro 30 milionë euro pa dhënë shpjegime. Por duket se huaja lidhet me pamundësinë e Albcontrol për të kryer operacionet e zakonshme në kushtet e bllokimit të llogarive.

    Ndërsa qeveria nuk jep shpjegime për situatën, të dhëna shtesë shfaqen në bilancin e kompanisë Albcontrol, i cili u depozitua së fundmi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Bilanci që u depozitua me gjashtë muaj vonesë, paraqet situatën në fund të vitit 2022 dhe audituesi i bilancit ka “ngelur” raportimin financiar të administratës së kompanisë duke theksuar se bllokimi i të ardhurave të saj në Belgjikë sugjeron se kompania është në gjendje të ndryshme financiare nga çfarë raportohet.

    Para të bllokuara

    Albcontrol është një kompani aksionere nën pronësinë e tatimpaguesve shqiptarë. Ajo ofron shërbimin e fluturimeve ajrore që ulen ose ngrihen në Shqipëri ose që kalojnë mbi qiellin shqiptar. Të ardhurat e zakonshme të kompanisë për vitin 2022 ishin mbi 2.7 miliardë lekë [rreth 24 milionë euro]. Por duke qenë se kompania operon si pjesë e një sistemi ndërkombëtar të shërbimeve për transportin ajror civil, pagesat e klientëve të saj depozitohen në Bruksel dhe jo në Tiranë, para se të transferohen në dispozicion të kompanisë.

    Në së paku dy raste, llogaritë e Albcontrol në Belgjikë janë bllokuar si pasojë e mungesës së vullnetit nga qeveria shqiptare për të respektuar vendime gjyqësore. Në rastin e parë ishte kompania General Electric, e cila kërkoi dhe mori 25 milionë dollarë dëmshpërblim kur qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha vendosi të anulojë në mënyrë të njëanshme një kontratë që qeveria e mëparshme kishte firmosur me kompaninë amerikane për ndërtimin e një linje hekurudhore.

    Kësaj here, gjithsesi, shifrat në lojë janë të stërmëdha. Bilanci i Albcontrol duket se ka klasifikuar llogaritë e bllokuara si “llogari të arkëtueshme”. Pasqyra e gjendjes financiare tregon se këto “llogari të arkëtueshme” ishin 6.7 miliardë lekë në fund të vitit 2022, shifër që ka gjasa është rritur më tej gjatë vitit 2023. Kompania duket se ka marrë 2 miliardë lekë hua gjatë vitit 2022 për të mbuluar shpenzimet në kushtet e bllokimit të të ardhurave, përveç 3 miliardëve që iu dha nga Këshilli i Ministrave në dhjetor.

    Në fakt, huatë nga qeveria për Albcontrol duket se janë një lojë fjalësh dhe audituesit e kompanisë kanë “ngelur” raportimin financiar të administratorëve duke dhënë “opinion me rezervë”. Audituesit vërejnë se kompania është një shoqëri aksionere jofitimprurëse, synimi i saj është që të garantojë shërbimin publik që ofron dhe jo të nxjerrë fitime. Dhe tarifat e saj përcaktohen në bazë të kostos. Për rrjedhojë, kompania nuk nxjerr dot fitime për të shlyer huatë që qeveria i ka akorduar asaj nga paratë e taksapaguesve dhe në instancë finale, taksapaguesit po paguajnë faturën e gjobës së Becchettit në mënyrë indirekte, pavarësisht se kryeministri Edi Rama pretendon se kjo nuk po ndodh.

    Sipas audituesve: “ne kemi ndeshur informacione publike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës së Apelit në Bruksel, që mund të krijojë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”. Audituesit vërejnë gjithashtu se Albcontrol sipas ligjit “nuk është një subjekt fitimprurës.” Ajo mbulon nevojat e saj me të ardhura, të cilat duhet të jenë të barabarta me fitimet. Për këtë arsye, dukshëm qeveria shqiptare po i jep Albcontrol hua, e cila ka zero shanse të kthehet.

    Gjoba e Becchettit është një nga pasojat financiare të sjelljes së qeverive të ndryshme ndaj investitorëve të huaj. Së fundmi, një numër kompanish kanë ngritur pretendime shtesë ndaj qeverisë për ndërprerje të njëanshme të kontratave në lidhje me vendimin e papritur të Ramës për të dhënë me koncesion për ndërtim pallatesh në portin e Durrësit.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,715
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti

    Halli me pagesat e Beketit/ Rama mbyll Albcontrol

    Emri:  rama-ne-dhermi.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  37.2 KB

    Qeveria shqiptare ka vendosur të “prishë” kompaninë e shërbimeve të fluturimeve ajrore Albcontrol sh.a., dhe të krijojë një entitet të ri në vend të tij, një vendim për të cilin zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment por që duket se lidhet me bllokimin e llogarive të Albcontrol sh.a. në Belgjikë me kërkesë të Francesco Becchettit dhe kredive me vlerë 5 miliardë lekë që qeveria i ka dhënë kompanisë nga paratë e taksapaguesve.

    Manovra, e cila nuk shpjegon se si paratë e bllokuara gjatë viteve 2021,2022 e 2023 dhe që arrijnë në dhjetëra milionë euro, do të mund të zhbllokohen dhe as nëse kredia prej 5 miliardë lekësh do të mund apo jo t’u kthehet taksapaguesve. Gjithsesi, projektligji, i publikuar së fundmi në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, thotë se të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një hile juridike që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

    Projektligji është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

    Transformimi i Albcontrol Sh.a. në agjenci duket se përbën njëkohësisht edhe një faliment të pashpallur të kompanisë nën pronësi publike, llogaritë e së cilës janë bllokuar që prej tre vjetësh dhe të ardhurat e së cilës duket se janë konfiskuar nga sistemi gjyqësor belg për shkak se qeveria shqiptare refuzon të paguajë një gjobë gjyqësore që i ka vendosur një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi për sekuestrimin nga qeveria Shqiptare të aseteve të biznesmenit kontrovers italian Francesco Becchetti.

    Projektligji thotë se të ardhurat që enti i ri do të ketë nga aktiviteti i vet, duhet të “përdoren ekskluzivisht” për qëllimet e ekzistencës së entit dhe se këto të ardhura “gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit”.

    Projektligji thotë gjithashtu se kompania Albcontrol sh.a., “prishet pa kaluar në likuidim” ndërsa një auditues ligjor do të caktohet për të kryer procedurat e nevojshme.

    Nuk është e qartë nëse hileja e shpalljes së të ardhurave të Albcontrol “imune” ndaj konfiskimeve do të mund të shpëtojë entin e ri nga urdhra bllokimi të ngjashëm me atë të lëshuar nga gjykatat belge.

    Qeveria shqiptare i ka dhënë dy kredi aktualisht kompanisë Albcontrol me vlerë totale 5 miliardë lekë. Projektligji dhe relacioni nuk bëjnë të ditur se si kjo kredi, e dhënë nga paratë e taksapaguesve, do të mund të shlyhet nga kompania Albcontrol.

    Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it nëse synimi kryesor i projektligjit ishte për të shpëtuar Albcontrol-in nga gjoba “Becchetti”.

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në favor të biznesmenit kontrovers italian për konfiskimin e paligjshëm të televizionit Agon Channel nga autoritetet shqiptare në vitin 2015.

    Por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

    “Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontroll Sh.A. pranë organizatës Eurocontrol,” thuhet në raportin e Albcontrol mbi bilancin e vitit 2022. Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës]. Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,715
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti

    Komisioni i Ekonomisë miraton me debat statusin e ri për Albcontrol

    Qeveria pretendon se nëpërmjet ndryshimit të statusit juridik do të mbrojë kompaninë Albcontrol nga konfliktet gjyqësore jashtë Shqipërisë, pa pranuar bllokimin e llogarive për shkak të detyrimeve ndaj biznesmenit Beccheti.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  PHOTO-2024-03-21-09-37-21.jpg

Shikime: 10

Madhësia:  36.5 KB
    Ndërtesa e Albcontrol | Foto: LSA

    Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi vetëm me votat e shumicës një projektligj të qeverisë, që parashikon prishjen e kompanisë së shërbimit të fluturimeve ajrore “Albcontrol” dhe kalimin e saj në një entitet të ri juridik, në një kohë kur dhjetra milionë euro të saj mbeten të bllokuara për shkak të humbjes së gjyqit të arbitrazhit nga shteti shqiptar ndaj biznesmenit Francesco Becchetti.

    Projektligji thotë se të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një truk juridik që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

    Qeveria po ashtu parashikon që ta “prishë pa e kaluar në likujdim” kompaninë Albcontrol, duke mos sqaruar se si borxhi prej 5 miliardë lekësh i dhënë nga buxheti i shtetit do të mund të shlyhet.

    Opozita e priti me kritika propozimin e qeverisë, duke e akuzuar për humbjen në arbitrazh, ndërsa përfaqësuesja e qeverisë këmbënguli se arsyeja e vërtetë e mbylljes lidhej me një detyrim që vinte nga ndryshimet në Kodin Ajror.

    Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu kërkoi sqarim se si do të likuidohet kredia shtetërore dhe të dhëna për shumën e sekuestruar në llogaritë e shoqërisë deri më tani.

    Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, anashkaloi pyetjen e drejtpërdrejtë për llogaritë e bllokuara, por pranoi se kompania gjendet në kushtet që nuk ka likuiditet dhe po mbështetet me para nga buxheti i shtetit.

    Në lidhje me kredinë shtetërore ajo premtoi se mbyllja e kompanisë do të bëhej vetëm pasi të jenë transferuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet, bashkë me instrumentin financiar të shlyerjes së këtij detyrimi.

    “Pa likuidim, do të thotë se transferohet gjithë veprimtaria, asetet, gjendja siç është me të gjitha detyrimet…”- u përgjigj ajo, duke këmbëngulur se “asgjë nuk do të cënohet”.

    Në lidhje me problemet financiare të kompanisë, ajo pranoi se po mbahej nga buxheti i shtetit.

    Zv.ministrja Muçaj tha se Eurocontrol ka një problematikë me pagesën e Albcontrol-it dhe se në këto kushte, shteti ishte i detyruar ta mbështeste financiarisht. “I bie që meqë kemi procese gjyqësore çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar? A duhet të vijojmë të sigurojmë mbarëvajtjen e saj?” – pyeti ajo deputetët.

    “Të ardhurat e shoqërisë janë 20% në rritje dhe është në gjendje financiare të shëndetshme, por për shkaqe që janë jashtë territorit të Shqipërisë, Albcontrol nuk ka në këtë moment likuiditet, për të cilin ai shkon kërkon kredi mbi bazën e marrëveshjeve e interesave..,” shtoi ajo.

    Për qëllimet e projektligjit, zëvendësministrja tha se lidheshin me detyrimet e Kodit Ajror edhe për dhënien e një garancie juridike ndaj proceseve gjyqësore ose sekuestrimit të aseteve të shtetit shqiptar nëpër botë.

    “Ndryshimi i këtij ligji nuk sjell asnjë element të ri në raport me konfliktet ndërkombëtare, por sjell garanci për të gjithë entet që do të mundet të cënoheshin në proceset gjyqësore e sekuestrimet e aseteve shqiptare nëpër botë,” shtoi Muçaj.

    Projektligji thotë se të ardhurat që enti i ri do të ketë nga aktiviteti i vet, duhet të “përdoren ekskluzivisht” për qëllimet e ekzistencës së entit dhe se këto të ardhura “gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit”.

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ndaj Becchetit, por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

    Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës]. Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024.

    BIRN

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,715
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti

    Ligji për Albcontrol, qeveria pa përgjigje për bllokimin e llogarive

    Projektligji i qeverisë që parashikon prishjen e kompanisë së shërbimit të fluturimeve ajrore “Albcontrol” dhe kalimin e saj në një entitet të ri juridik, u prit me debate të hënën në komisionin parlamentar të Ligjeve.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  PHOTO-2024-03-21-09-37-21.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  36.5 KB
    Ndërtesa e Albcontrol | Foto: LSA

    Deputetë të opozitës kërkuan nga përfaqësuesit e qeverisë sqarime për dhjetëra milionë euro të kompanisë që mbeten të bllokuara për shkak të humbjes së gjyqit të arbitrazhit nga shteti shqiptar ndaj biznesmenit Francesco Becchetti.

    Deputetja e PD-së Dhurata Çupi e cilësoi projektligjin abuziv dhe ngriti pikëpyetje për arsyet e ndryshimit të statusit juridik.

    “Është një projektligj që kërkon të fshehë të vërtetën, atë të vërtetë që lidhet me transferimin e 60 milionë eurove nga buxheti i shtetit pasi ishte bllokuar veprimtaria e Albcontrol-it dhe çdo qindarkë që kalon tek kjo kompani i kalon Becchetti-it”- tha ajo.

    Çupi kërkoi përgjigje për shumën totale të parave të bllokuara në llogarinë e kompanisë dhe mënyrën se si do të shlyhet kredia prej 5 miliardë lekësh ndaj shtetit shqiptar, e cila nuk përmendet në draftin e qeverisë.

    Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, tha se projektligji kishte të bënte me politik-bërjen e ministrisë për të rregulluar një nga entet që ka në varësi dhe se nuk i takonte asaj të jepte përgjigje për çështje të tjera.

    Muçaj anashkaloi pyetjen e drejtpërdrejtë për shumën totale të parave të bllokuara në llogaritë e Albcontrol-it jashtë vendit dhe për mënyrën e shlyerjes së kredisë, por dha garanci gojore se të gjitha do të transferoheshin nga njëri ent në tjetrin.

    “Unë nuk jam audituese”- tha ajo duke shtuar se “do të jenë auditituesit që do të përcaktojnë gjendjen e aseteve, aktive dhe pasive, në momentin e transferimit”.

    Sipas zyrtares së qeverisë qëllimi ishte për të rritur efikasitetin e entit në përputhje me kodin ajror dhe siç u shpreh ajo, “mbrojtjen e këtij institucioni nga çfarëdolloj sulmi spekulativ, apo tjetër, që mund të ndodhë brenda ose jashtë Shqipërisë…”.

    Sipas draftit të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një truk juridik që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ndaj Becchetit, por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

    Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës). Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024.

    Projektligji u miratua vetëm me votat e anëtarëve socialistë të komisionit.


    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-11-2012, 10:44
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-04-2011, 06:51
  3. Historia e bllokimit të gazetës Rilindja
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 31-08-2006, 07:59

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •