Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,707
    Postimet në Bllog
    18

    Frika nga drejtësia e SPAK: Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    Pas një dakordësie paraprake mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë të enjten në mbrëmje me shumicë votash projektligjin për Amnestinë Penale duke përfshirë dhe amendamentet e minutës së fundit të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  BIR_9117.jpg

Shikime: 81

Madhësia:  72.9 KB
    Kuvendi i Shqipërise gjatë punimeve për votimin e Presidentit. Foto: Xhemali Moku/ BIRN

    Me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final, amnistia pritet të nxjerrë nga burgjet të paktën 700 të burgosur dhe të ketë ulje dënimi për 400 të tjerë, sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë.

    Deputeti Agron Shehaj ishte e vetmja votë kundër, ndërsa deputetja socaliste Ermonela Felaj abstenoi.

    Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

    Opozita e kundërshtoi këtë gjë, por në amendamentin e saj edhe pse përjashtohen zyrtarët e lartë shtetërorë, gjithsesi përfitojnë ulje dënimi zyrtarë të mesëm që janë dënuar për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

    Gjatë seancës plenare, Bardhi këmbënguli se nuk do të përfitonin zyrtarët e lartë, “Me amendamentin tonë dhe analizën e ekspertëve, asnjë person zyrtar i lartë i dënuar për korrupsion, tendera, nuk përfiton nga amnistia,” deklaroi ai.

    Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, të tillë si presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë të drejtësisë e të ngjashme, por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.

    Ky amendament u kundërshtua nga nga grupimi opozitar i drejtuar nga Lulzim Basha, të cilët ngritën akuza për pazar politik mes grupimit tjetër opozitar që njihet si “Rithemelimi” dhe mazhorancës në pushtet.

    Enkelejd Alibeaj tha se “djalli fshihej në detaje” duke iu referuar amendamentit “Bardhi” dhe rreshtoi veprat penale që përfitonin ulje dënimi që lidheshin me korrupsionin. Ai e quajti pazar politik bashkimin e votave mes kolegëve të tij opozitarë dhe shumicës në pushtet.

    Pavarësisht kundërshtimit, grupimi i Bashës nuk votoi kundër projektligjit.

    Ndërsa Shehaj që votoi kundër, argumentoi se amnistia po jep mesazh të gabuar për punën e SPAK-ut duke pranuar ulje dënimi për të dënuarit për korrupsion duke iu referuar amendamentit të miratuar në seancë.

    “Mesazhi për SPAK-un është i qartë; ju i kapni, ne i nxjerrim,” tha ai para mediave, duke shtuar se “unë nuk bëhem pjesë e kësaj loje”.

    Edhe deputeti i PD-së, Dashnor Sula foli për mungesë transparence për mënyrën se si u fut në votim brenda ditës pa u lënë mundësi deputetëve të propozonin amendamente.

    Në versionin final të miratuar u zgjat afati kohor i përfitimit deri 31 mars 2024, u rritën vitet në uljen e dënimit në 2 vite për gratë dhe në 1.5 vite për burrat dhe përfshiu dhe kategorinë e protestuesve kryesisht të opozitës që janë në proces hetimi apo të dënuar. Amendamenti për faljen e protestuesve përfshiu në debat dy grupimet e opozitës dhe u paraqiten dy amendamente të ndryshme, por u miratua versioni i Bardhit.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,707
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Frika nga drejtësia e SPAK: Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    SPAK: Amnistia penale shkurtoi dënimin e dhjetëra zyrtarëve të korruptuar

    Ekspertët thonë se dakordësia me palëve politike në ligjin për amnistinë, cenoi reformën në Drejtësi dhe përbën një mesazh negativ ndaj institucioneve që duhet të luftojnë korrupsionin.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Edi-Rama-dhe-Ulsi-Manja-11-maj-2022-768x512.jpg

Shikime: 11

Madhësia:  36.8 KB

    Në një përgjigje zyrtare për BIRN të martën, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend.

    Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

    Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

    Për ekspertët e politikës dhe legjislacionit, ligji “Për amnistinë” dhe pasojat e tij janë një mesazh i gabuar dhe një përpjekje e koordinuar e palëve politike në vend për të sabotuar institucionet e posaçme dhe luftën kundër korrupsionit.

    “Amnistia e kohëve të fundit është hapi i tretë në morinë e përpjekjeve për ta minuar Reformën në Drejtësi,” tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

    Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike shkon më tej, ndërsa ngre dyshime mbi mënyrën se si u soll në jetë ky ligj dhe kërkon që SPAK të hetojë nëse pas formulimit ka apo jo konflikt interes.

    Duke iu referuar mungesës së konsultimit publik dhe mënyrës se si u negociua ligji, Krasniqi thekson se krijohen “dyshime të arsyeshme që kemi të bëjmë me një proces me ndikime personale dhe shpesh edhe korruptive”.

    I pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi.

    Zotimet e Manjës dhe Bardhit

    Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

    Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale” me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.

    Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte.

    “…Hapini sytë dhe lexojeni ligjin, se jeni jurist! Asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti dhe as nuk i zbritet dënimi,” tha në seancën parlamentare të 4 prillit ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

    Edhe Gazment Bardhi mbajti një qëndrim të ngjashëm, një ngjarje e rrallë për demokracinë e brishtë parlamentare shqiptare.

    “Me amendamentin tonë dhe analizën e plotë të kryer nga ekspertët, asnjë person, zyrtar i lartë, i dënuar për korrupsion, i dënuar për abuzim me tenderë, i dënuar për shpërdorime me koncesionet apo partneritetet publike-private, i përfshirë në akte korrupsioni aktiv apo pasiv, nuk përfiton nga amnistia,” premtoi Bardhi.

    Të dënuarit nga GJKKO përfitojnë nga amnistia

    Premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës se ligji “Për amnistinë” nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

    Prokuroria e Posaçme tha në një përgjigje zyrtare për BIRN se pas miratimit të ligjit, ajo bëri një analizë të detajuar të dhënash në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të përfshira. SPAK bëri me dije se sipas analizës, 100 persona ishin përfitues sipas ligjit.

    “Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji,” shkruhet në përgjigjen e SPAK.

    SPAK sqaron se 40 janë përfitues të amnistisë që u falet tërësisht dënimi. Këta janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitet 2023 dhe 2024 për akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë kategori përfshihen kryesisht ryshfet-dhënësit.

    Përveç tyre, 60 të dënuar për vepra të lidhura kryesisht me korrupsionin në vitet 2023 dhe 2024 përfitojnë ulje të dënimit. SPAK bën me dije se nga këta, 16 janë të dënuar me burg dhe pjesa tjetër kanë dënime të formave alternative.

    “Numri i personave të cilët janë liruar nga burgu si rezultat i uljes se dënimit është 15 persona,” tha SPAK. “Ndërkohë është 1 person i cili ka përfituar ulje dënimi 1 vit e 6 muaj burgim, por vazhdon dënimin për pjesën tjetër të pavuajtur të dënimit”, shtoi SPAK.

    Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë dhe 7 anëtarë të sistemit të drejtësisë të dënuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

    Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin.

    Mesazh kundër SPAK

    Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve.

    Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit. Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit. Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019.

    Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion.

    Për ekspertë të politikës dhe ligjvënies, kjo është një përpjekje për t'i dekurajuar këto institucione dhe minim i Reformës në Drejtësi.

    “Në momentin që pritet kaq shumë prej tij [SPAK], të amnistosh individë që janë subjekt hetimi apo janë gjykuar, mendoj që është mesazh krejt i gabuar dhe e dëmton imazhin dhe vetë atë që quhet integriteti i Reformës në Drejtësi,” thotë Afrim Krasniqi.

    Krasniqi arsyeton se qëndrimet e palëve në këto proces janë të dyshimta dhe se SPAK duhet të hetojë për këtë vendimmarrje, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një procedurë normale apo “me allishverish”.

    “SPAK-u të kishte nisur hetime për të parë nëse vendimmarrja e parlamentit është vendimmarrje procedurale parlamentare apo janë fshehur konflikte interesi dhe nevoja personale të deputetëve të caktuar lobues,” tha ai.

    Nga ana e tij, Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se amnistia është një hipokrizi e tërë klasës politike. Ai thotë me ironi se sa herë bëhet fjalë për të ngritur pengesa për SPAK-un, ka një mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

    “Ka një mirëkuptim të çuditshëm mes mazhorancës dhe opozitës kur vjen puna te kontrollimi i këtyre institucioneve të pavarura, një mirëkuptim që nuk shihet sa i përket institucioneve inaktive si ILDKPKI e të ngjashme,” tha ai.

    Preçi thotë se kjo është e disata përpjekje e politikës, kryesisht prej shumicës, për të sabotuar SPAK. Sipas tij, hapi i parë ishte mbushja e SPAK me dosje nga i ashtuquajturi Operacioni Forca e Ligjit, i cili “shpenzoi burimet njerëzore dhe financiare, por nuk solli asnjë të mirë publike”. Së dyti, ai vë në dukje parashikimet ligjore për shpërdorim detyre dhe uljen e dënimit, që u mundëson zyrtarëve të mbyllin procedurialisht çështjet në këtë kategori.

    Ngjashëm edhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i sheh palët politike të bashkuara në një marrëveshje të dyshimtë kundër SPAK.

    “Amnistinë e shoh si shpallje lufte ndaj drejtësisë së re nga klasa e vjetër politike. I vetmi bashkim që pati politika, në kulmin e ndasive ishte beteja ndaj SPAK-ut,” thotë ai.

    Xhemollari e cilëson si një akt të rëndë amnistinë apo uljen e dënimit për të korruptuarit.

    “Nuk ka rëndësi se çfarë statusi kanë funksionarët publikë, apo cila gjykatë i ka gjykuar. Në një vend ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ka qenë problemi kryesor i vendit, zhbërja e vendimeve të institucioneve që filluan të ndëshkojnë korrupsionin dhe fituan besimin e publikut konsiderohet si tradhti ndaj bashkëqytetarëve,” përfundoi ai.


    BIRN

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,526

    Për: Frika nga drejtësia e SPAK: Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    He mos u beni merak se vjen Pirro edhe e pergenjeshtron kete lajm si te pavertete qe prish imazhin e Kryeministrit tone te dashur dhe te ndershem.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,707
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Frika nga drejtësia e SPAK: Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    Ministri i Drejtësisë i drejtohet deputetit Agron Shehaj: Do t’i pres veshët!

    Emri:  Capture-10.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  16.9 KB

    Debatet dhe retorika politike po nxehet përditë qëkur Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj kaluan me PD e Berishës.

    Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u përplas në Kuvend me deputetin e pavarur Agron Shehaj, duke i thënë se “shteti do të duhet të merret seriozisht me ty” dhe se “do të ti pres veshët”.

    Por si përshkallëzoi debati?

    Shehaj mbajti një fjalë në Kuvend ku deklaroi se ministri Manja ka gënjyer publikisht duke thënë se me amnistinë penale nuk do të liroheshin zyrtarë të korruptuar.

    “Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja, në emër të qeverisë, deklaroi në këtë përlament në mënyrë tekstuale; që nuk do përfitojnë nga amnistia asnjë i dënuar nga GJKKO-ja dhe asnjë i dënuar për korrupsion.

    Po e citoj: “Amnisti që s’do ketë, jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO. Ministri gënjeu me paturpësine me të madhe” – u shpreh Agron Shehaj.

    Sipas Shehajt, duke u nisur nga reagimi i SPAK, amnistia liroi rreth 40 zyrtarë nga burgu, ndërsa uli dënimet për 60 të tjerë, ndërsa për Ulsi Manjën tha se me mazhorancën dha një mesazh të qartë për SPAK-un.

    “Ky është një mesazh për spakun; Ju i kapni, ne i lirojmë” – u shpreh Shehaj.

    Teksa Shehaj i thoshte nga foltorja jep dorëheqjen, Manja i thotë “t’i pres veshët”.

    Më pas, Manja mori fjalën për replikë.

    “Shteti do të duhet të merret seriozisht me ty. Do të vijë dita që fytyra jote prej ëngjëlli të dalë ashtu siç është në të vërtetë”.


    Koha Jonë

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,707
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Frika nga drejtësia e SPAK: Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale

    U liruan ish-kryetarë bashkie e zyrtarë të tenderave/ Të pathënat e amnistisë: Dolën nga qelia mbi 100 të dënuar nga SPAK

    Emri:  fran-frokaj.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  52.5 KB

    Emisoni investigativ Vetting në News24

    Amnistia ishte diçka e pritur, sidomos për drejtuesit e burgjeve dhe të sigurisë në këtë sektor, pasi, sipas tyre, amnistia pritet t’u japë frymëmarrje disa prej problematikave që ishin theksuar nga disa raporte të ndryshmeve të kontrolleve në burgje. Por, ajo që nisi si një “akt humanizmi”, prodhoi edhe paradoksin e fortë në betejën kundër korrupsionit, pasi mbi 100 persona të hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfituan lirim.

    Neni 75/a mbi kompetencat e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rendit kategoritë e funksionarëve që gjykohen nga gjykata e posacme dhe aty përmenden Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të ILD, Kryetarët e Bashkive, Deputetët etj., të cilët në këtë amnisti nuk duhet të përfitojnë.

    VIDEO

    Sipas Ligjit të miratuar në Kuvend për Amistinë, përjashtohen nga vuajtja e dënimit jo vetëm burrat dhe gratë që janë dënuar përkatësisht për krime me dënime deri në katër dhe pesë vjet burgim respektivisht (sipas kritereve të renditura në ligj), por edhe të burgosurit burra që iu kanë mbetur katër vite burg dhe pesë vjet për gratë. Mbi këtë llogari, u liruan 730 të burgosur.

    Fasha e dytë e aplikimit të amnistisë është ajo e zbritjes së dënimit, nga e cila përfitojnë zbritje në dënim me dy vjet gratë dhe një vit e gjysmë burrat. Në këtë pikë llogaritet të fitojnë ulje të dënimit 1600 persona.

    Parashikimi i tretë i vazhdimësisë së amnistisë përfshin ata të dënuar nga gjykatat me dënim alternativ si dhe me mbylljen e procedimeve penale në prokurori. Hetimet e pashqyrtuara apo nën proces shqyrtimi që do të “falen”, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, kanë si prag veprat e kryera deri në 31 mars 2024, si dhe ata që janë kallëzuar, hetuar apo janë nën gjykim për manifestimet e kryera deri më të njëjtën datë.

    Drejtoria e Burgjeve nuk ka të dhëna për emrat e të burgosurve që do iu ulet dënimi – për burrat 1 vit e gjysmë dhe për gratë dy vjet nga dënimi i mbetur. Këta të fundit llogaritet te jenë rreth 1300 persona.

    Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk kanë evidentuar cilët janë shtetasit që përjashtohen nga hetimet për veprat penale të kryera deri në datën 31 mars 2024, për krime që Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon dënime deri në dy vjet burg.

    Nga ana tjetër, më shumë se 2200 të dënuar në shërbim prove, përfitojnë nga kjo amnisti. Shifra konfirmohet nga zyra juridike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës. Edhe në këtë institucion lista mbahet ende sekrete.

    Një investigim nga INA Media publikoi fakte se ish-kryetarë bashkie apo ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Tenderave, si ai i Uniformave të Policisë së Shtetit, dhe i dosjes së Bashkisë Lushnjë, që morën dënim alternativ, u liruan. Po kështu, ish zyrtarët në shërbim prove, që janë hetuar nga SPAK, gjithashtu pritet të përfitojnë nga kjo amnisti.

    Balkanweb

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-11-2022, 15:14
  2. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 05-05-2021, 02:36
  3. Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 18-06-2014, 23:36
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 19-05-2014, 14:06
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-12-2013, 14:57

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •