Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,634
    Postimet në Bllog
    18

    Raporti i Transparency International: Shqipëria shënoi rënie në përpjekjet për të luftuar korrupsion

    Transparency International: Shqipëria shënoi rënie në përpjekjet për të luftuar korrupsionin

    Raporti i “Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit” vë në dukje se ka një rënie të vazhdueshme të efikasitetit të mekanizmave kundër korrupsionit në sektorin publik dhe stanjacion në media dhe shoqërinë civile.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Kryeministri-Edi-Rama-1536x1018.jpg

Shikime: 13

Madhësia:  20.2 KB
    Kryeministri Edi Rama | Foto: LSA

    “Forma të ndryshme të korrupsionit, nga korrupsioni i vogël deri tek nepotizmi, pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, janë prezent në Shqipëri”, konstaton një raport i publikuar të martën nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me organizatën Transparency International.

    Raporti i “Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit”, një studim që mat efektivitetin e mekanizmave publikë kundër korrupsionit merr në analizë 15 aktorë shtetëtorë dhe privatë – si ekzekutivi, legjislativi, sistemin e drejtësisë, institucionet e pavarura, median e shoqërinë civile dhe sektorin privat.

    Në përgjithësi studimi vë në dukje se ka një rënie të vazhdueshme të mekanizmave antikorrupsion në sektorin publik, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërkohë që të vetmit indikatorë pozitivë vijnë nga sistemi i drejtësisë, që lidhet dhe me zbatimin e reformës në drejtësi që nga viti 2016, kur është bërë studimi i fundit.

    Sektori publik është shtylla me pikët më të ulëta që sipas raportit “vuan nga standardat e paqarta profesionale, nga rreziqet e korrupsionit dhe ndërhyrja politike”.

    Institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit kanë një rol të kufizuar ndaj qeverisë për politikat kundër korrupsionit, ndërsa parlamenti është nën ndikimin e pushtetit ekzekutiv.

    Gjatë prezantimit të raportit nga të përfaqësuesit e IDM dhe TI u vu theksi tek nevoja për reforma të sinqerta dhe ngritje kapacitetesh në luftë me korrrusionin nga sektori publik, si dhe rritja e rolit llogari-kërkues nga Kuvendi për qeverinë.

    Lidija Prokic, këshilltare rajonale për Evropën Lindore dhe Juglindore pranë TI tha se raporti rendit problemet që lidhen me mosfunksionimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe vuri theksin tek nevoja për fuqizimin e shoqërisë civile në këtë drejtim.

    “Studimi na tregon se ku janë boshllëqet, si një pikënisje për të parë se çfarë mund të bëjmë që të ndërmarrim veprime kundër korrupsionit”- tha ajo.

    Po ashtu Prokic vuri theksin tek roli i parlamentit duke e cilësuar atë një “pikë e dobët” e mosfunksionimit të mekanizmave anti-korrupsion. “Parlamenti është dominuar nga dega e ekzekutivit dhe partia në pushtet që ka shumicën në Kuvend”- tha ajo duke shtuar se “mungesa e debatit çon në miratimin e ligjeve me hapësira që lejojnë korrupsionin.

    Në raport vihet në dukje mungesa e ndarjes së pushtetit midis ekzekutivit dhe legjislativit, që karakterizohet nga prania e liderëve politikë të fortë për shkak të mungesës së proceseve të brendshme demokratike brenda partive politike.

    Një prej autorëve të raportit, Daniel Prroni kërkues pranë IDM, renditi disa nga problematikat e vërejtura gjatë analizës që iu bë rolit të aktorëve të ndryshëm në luftën kundër korrupsionit.

    “Ka një përqendrim të pushtetit nga dega e ekzekutivit, veçanërisht nëpërmjet kreut të qeverisë, çka përkthehet në ndikim të tij ndaj Kuvendit”- tha Prroni duke shtuar se dominimi i Kuvendit nga ekzekutivi duke ndikuar në rolin kontrollues parlamentar.

    Raporti vëren se arkitektura ligjore dhe institucionale është përgjithësisht e kënaqshme, por shohim që institucioneve publike i mungojnë kapacitetet dhe burimet e mjaftueshme për të ndërmarrë rolin e tyre në sistemin anti-korrupsion.

    Në formë përmbledhëse raporti njeh përpjekjet për forcim dhe konsolidim të institucioneve gjatë viteve të fundit, por këto përpjekje cenohen nga dobësimi i ndarjes së pushteteve dhe rritjes së ndikimit të ekzekutivit mbi degët e tjera të pushtetit.

    Raporti vëren një stanjacion të rolit të shoqërisë civile dhe medias, të cilat përballen me sfida dhe presione nga ana e qeverisë.

    “Aktivistët e shoqërisë civile ndeshen me kërcënime dhe ngacmime të vazhdueshme, me fushata shpifjeje nga mediat tradicionale, qeveria dhe partitë politike që diskreditojnë OSHC-të kritike ndaj qeverisë”- sugjeron raporti, ndërsa për vihet në dukje se gazetarët kane përjetuar sulme fizike, dhunë policore, sulme nga krimi i organizuar, që shpesh kalojnë pa u ndëshkuar.

    Duke iu referuar gjetjeve, Prroni, tha se “problemet kryesore kanë të bëjnë me përqendrimin e pronësisë së mediave private të lidhura me partitë në pushtet ose elitat e sektorit privat”, gjë që ndikon në linjën editoriale të mediave.

    Sipas raportit, problem mbetet fakti që organet e mbikëqyrjes së mediave cenohen nga emërimet me ndikim politik dhe transmetimi i materialeve të gatshme nga qeveria cenojnë integritetin dhe rolin publik të medias.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,634
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Raporti i Transparency International: Shqipëria shënoi rënie në përpjekjet për të luftuar korru

    Liria e shprehjes, dhuna ndaj grave dhe kampi i refugjatëve janë shqetësimet kryesore të Amnesty International për Shqipërinë

    Gjigandi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut theksoi në raportin e vet vjetor për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë se shqetësimet për Shqipërinë lidhen me sulmet kundër medias, me dhunën me bazë gjinore dhe me ndërtimin e kampit të azilkërkuesve në Gjadër për llogari të politikës italiane.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Rama-Meloni-.jpg

Shikime: 7

Madhësia:  49.6 KB

    Amnesty International theksoi si shqetësime në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri sulmet fizike dhe verbale kundër gazetarëve, vrasjen e grave në dhunën me bazë gjinore brenda familjes dhe ndërtimin e kampeve për burgosjen e refugjatëve azilkërkues që Italia po ndërton aktualisht në portin e Shëngjinit dhe në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit.

    Amnesty, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë. Raporti vëren se autoritarizmi është një forcë në rritje në rang global dhe se numri i njerëzve që jetojnë në shtete demokratike, pra shtete të së drejtës apo shtete të sundimit të ligjit, ra gjatë vitit të kaluar në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1985.

    “Praktikat dhe idetë autoritariste prekën apo u përdorën nga shumë qeveri dhe shoqëri. Në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, politikat autoritariste gërryen lirinë e shprehjes dhe të organizimit shoqëror, goditën barazinë gjinore dhe luftuan të drejtat seksuale apo riprodhuese,” vëren raporti.

    Raporti shënjon mënjanë si shqetësim madhor zhvillimet në Lindjen e Mesme, kur krimet rrëqethëse të Hamas të kryera në 7 tetor 2023, në të cilën u vranë mbi njëmijë njerëz, shumica civilë izraelitë dhe mijëra të tjerë u plagosën e 245 vetë u morën peng, Izraeli nisi një fushatë hakmarrëse e cila, sipas Amnesty, u bë një fushatë ndëshkimi kolektiv. “Kjo është një fushatë e bombardimit të qëllimtë dhe jodiskriminues të civilëve dhe të infrastrukturës civile, të mohimit të asistencës humanitare dhe të krijimit të qëllimtë të gjendjes së urisë,” vëren raporti.

    “Narrativat publike të bazuara në urrejtje dhe me rrënjë te frika, ngushtoi hapësirën civile dhe demonizoi grupet e margjinalizuara apo individët, me refugjatët, migrantët dhe grupet racore që po vuajnë. Sulmi kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore u intensifikua më 2023, duke kërcënuar shumë nga arritjet e realizuara përgjatë njëzet viteve të fundit,” vëren më tej raporti.

    Sa i përket Shqipërisë, raporti vëren se “gazetarët u shënjestruan nga gjuha e urrejtjes, sulmet fizike dhe një sulm me armë. Dhuna kundër grave brenda familjes vijoi, me 12 gra të vrara nga partnerët apo anëtarët e familjes.”

    Raporti vëren se në drejtim të të drejtave të njerëzve LGBTI Shqipëria nuk ka shënuar progres.

    Raporti thekson se vrasja e një rojeje sigurie në një sulm kundër Top Channel në mars 2023 ka mbetur me autorë të paidentifikuar dhe të pandëshkuar ndërsa një gazetar u sulmua fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij për shkak se kishte raportuar mbi një çështje gjyqësore.

    “Gazetarët u sulmua nga figurat politike,” vëren raporti. “Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” në përgjigje të një artikulli në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku ka luajtur në projektin e incineratorit të Tiranës,” vëren raporti i Amnesty International duke iu referuar sulmeve të mediave proqeveritare kundër gazetares Ola Xama.

    Raporti vëren si shqetësim të veçantë marrëveshjen kontroverse të arritur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni në lidhje me ndërtimin e dy bazave për izolimin e refugjatëve që Italia synon të kapë jashtë ujërave të saj territoriale dhe t'i sjellë në Shqipëri, teorikisht për procesimin e kërkesave të mundshme për azil.

    Konsideruar gjerësisht si një goditje propagandistike që pritet t'i kushtojë taksapaguesve italianë qindramilionë euro për të arritur asgjë, plani ngre shqetësime serioze sa i përket dhunimit të të drejtave të azilkërkuesve, që po ndodh me ndihmën e qeverisë së një vendi që ka prodhuar azilkërkues me shumicë përgjatë tre dekadave të fundit.

    “Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera kanë shprehur shqetësim në lidhje me impaktin që kjo marrëveshje mund të ketë mbi të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, përfshirë faktin që ajo parashikon ndalim automatik të tyre”, vëren raporti.

    Raporti mund të gjendet i plotë në gjuhën angleze këtu:


    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 24-02-2018, 03:29
  2. Transparency International: Shqiperia e 85-ta ne listen prej 180 vendesh
    Nga Antimafia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-09-2008, 10:12
  3. "Transparency International": Shëndetësia, sektori më i korruptuar
    Nga SKUTHI në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 08-12-2007, 17:24
  4. Transparency International: Shqipëria vendi më i korruptuar në rajon
    Nga Cimo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 27-09-2007, 19:28
  5. Raporti i SHBA: Shqipëria nën korrupsion dhe varfëri
    Nga Albo në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 04-03-2005, 02:42

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •