Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,637
    Postimet në Bllog
    18

    Vetëm në Albanistan: Arka e shtetit shqiptar tejmbushet me para, por paratë nuk investohen!

    Suficiti i qeverisë arrin në një nivel të ri ‘absurd’

    Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, një në çdo pesë lekë taksa që qeveria arkëtoi nga shqiptarët mbeti e pashpenzuar, ndërsa investimet publike shënuan një minimum historik dhe suficiti buxhetor shënoi një rekord të pakonceptueshëm në historinë e vendit.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  20230331_232652_310323_3_012-2_bzF0xr1-1536x1024.jpg

Shikime: 56

Madhësia:  45.9 KB
    Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja dhe ministrja e instrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku duke inspektuar punimet e paneleve diellore ne kantierin e punimeve për parkun fotovoltaik | Foto: LSA

    Teorikisht dhe praktikisht, Shqipëria është një vend me nevoja bazë për shërbime publike, të tilla si rrugë, kanalizime e ujësjellësa, mungesa e të cilave përbën një pengesë madhore në zhvillimin ekonomik dhe vendit dhe dëmton në mënyrë domethënëse cilësinë e jetës. Dhe në situatë normale, mënyra se si mund të sigurohen paratë për të financuar zhvillimin e infrastrukturës është çështja kryesore që zë debatin politik në çdo vend.

    E pra, njihuni me vendin që, megjithëse ka mangësi të jashtëzakonshme në infrastrukturë, përfshirë rrugë të pariparuara prej vitesh dhe të mbushura me gjithë gropa, furnizim të parregullt me ujë dhe mungesë akute kanalizimesh të ujërave të zeza dhe impiantesh të përpunimit të tyre, nuk debaton se si mund të sigurohen paratë për këto punë, sepse paratë janë me tepri, por debaton për faktin që qeverisë i mungon aftësia apo vullneti për t'i bërë këto punë, punë që hyjnë kategorinë e funksionimit bazë të qeverisjes.

    Përgjatë tre muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shqiptarët paguan 164 miliardë lekë taksa e tatime në buxhetin e shtetit (afërsisht 1.6 miliardë euro), por qeveria shpenzoi vetëm 130 miliardë lekë, duke lënë një suficit prej 34 miliardë lekësh të pashpenzuara.

    Sjellja rakitike e shpenzimeve buxhetore është në fakt tipike e qeverisë së kryeministrit Edi Rama përgjatë të gjithë historisë së saj që vijon prej një dekade. Në mënyrë të vazhdueshme, shpenzimet buxhetore janë lënë për muajt e fundit të vitit, fenomen që është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga Fondi Monetar ndërkombëtar si “përdorim joefikas” i parasë publike. Por situata duket se ka arritur në një nivel të ri absurd këtë vit.

    Kështu, ndërsa, fjala vjen, në vitin 2022, suficiti në tremujorin e parë të vitit ishte afro 22 miliardë lekë, në tremujorin e parë të vitit 2023 u rrit në 30 miliardë lekë. Këtë vit, gjithsesi, u shënua një rekord i ri me suficit në masën 34 miliardë lekë. Me pak fjalë, një në çdo pesë lekë të arkëtuara nga buxheti mbetën të pashpenzuara.

    Ky është edhe viti në të cilin shpenzimet kapitale po shënojnë një ngadalësi të pabesueshme. Përgjatë tre muajve të parë të këtij viti, investimet publike ishin 4.9 miliardë lekë, shumica e të cilave, të kryera në mars.

    Buxheti i shtetit përbën afërsisht një të tretën e të gjithë ekonomisë kombëtare dhe sjellja rakitike e shpenzimeve buxhetore ka shumë gjasa që shkakton pasoja zinxhir negative dhe krejtësisht të panevojshme. Të 34 miliardë lekët e pashpenzuara, të cilat me kursin e sotëm të këmbimit kushtojnë afërsisht 340 milionë euro, janë të barabarta me 1.7% të PBB-së vjetore dhe afërsisht sa 7% e PBB-së tremujore. Dhe në vend që këto para të ishin bërë rritje ekonomike, mbahen në llogarinë e qeverisë pranë bankës qendrore për arsye, të cilat, qeveria nuk merr mundimin t'i shpjegojë.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,637
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Vetëm në Albanistan: Arka e shtetit shqiptar tejmbushet me para, por paratë nuk investohen!

    A është bërë SPAK kaq terror sa të bllokojë aktivitetin e zakonshëm të qeverisë?

    Në mënyrë të përsëritur, zyrtarët e lartë socialistë po ankohen se zyrtarët më të ulët “nuk firmosin”, nënkuptohet, procedurat e prokurimit publik, sepse “kanë frikë”. Është një lloj viktimizimi i pabesueshëm që synon të paraqesë ato pak hetime antikorrupsion të deritanishme si padrejtësi të mëdha që po u bëhen zyrtarëve.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  20240229_231201_290224_1_017-2_lK6ilNB-1536x1133.jpg

Shikime: 2

Madhësia:  26.8 KB
    Kryeministri Edi Rama gjatë një konference | Foto: LSA

    Kryeministri Edi Rama është zyrtarisht dhe praktikisht një njeri i papunë. Ai nuk ka çfarë të bëjë sepse, siç thotë ministri i tij për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin, Blendi Gonxhe, zyrtarët e qeverisë nuk firmosin sepse “kanë frikë nga hetimet”. [Link] Është një thashethem i përsëritur ky që sugjeron se qeverisja e vendit efektivisht është bllokuar për shkak të frikës që shkaktojnë hetimet e SPAK. Dhe është një mënyrë e çuditshme se si zyrtarët socialistë po e paraqisin veten si viktima të padrejtësive që supozohet se po bëhet nga një numër prej gjithsej 18 prokurorësh, shumicës së të cilëve nuk ia kemi dëgjuar ende emrin për gjë.

    Autori i këtyre radhëve nuk është i bindur se kjo deklaratë shpreh realitetin e administrimit publik në vend. Me të vërtetë, suficiti buxhetor ka arritur në mbi 340 milionë euro për tremujorin e parë të këtij viti, shifër kjo e paimagjinueshme, por jo shumë larg katrahurës së menaxhimit të financave publike gjatë qeverisjes socialiste përgjatë viteve të fundit, pra edhe përgjatë viteve para ekzistencës së SPAK. [Link]

    Por, nëse Gonxhe ka të drejtë dhe me të vërtetë buxheti nuk po shpenzohet sepse Gonxhe dhe Rama janë të paaftë që të gjejnë qorra që të firmosin për shefat, ai dhe shefi i tij normalisht duhet ta konsiderojnë menjëherë, nga ky çast e më pas, veten si të papunë. Sepse, funksioni kryesor i qeverisjes së një vendi është që, kryeministri dhe administrata e tij, të mbledhin taksa dhe t'i shpenzojnë këto taksa për të mira të përbashkëta. Me një fjalë, nëse vendi nuk ka kanalizime të ujërave të zeza, qeveria mbledh taksa dhe i bën kanalizimet. Dhe nëse nuk ka një rrugë, apo një rrugë ka nevojë të riparohet, mbledh taksat dhe e bën rrugën. Por, nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, për shkak se, sipas Gonxhes, zyrtarët e nivelit më të ulët nuk janë të gatshëm të rrezikojnë burgun duke firmosur dokumente prokurimesh publike, atëherë normalisht që Gonxhe vetë i pari dhe shefi i tij, duhet të shpallin vetveten në pamundësi objektive për të kryer funksionin për të cilën taksapaguesi i paguan rrogën.

    Në mënyrë cinike, ankesa e zyrtarëve të qeverisë se zyrtarët e nivelit më të ulët “nuk firmosin” mund të interpretohet në tre mënyra: njëra, që SPAK po punon në mënyrë aq të ethshme, aq abuzive dhe aq fatale, sa çdo zyrtar, me apo pa faj, ka frikë të firmosë se përfundon në burg. Kjo është çfarë nënkuptohet nga deklarata se zyrtarët “kanë frikë të firmosin”. Po duan të thonë, jo se në shtet vidhet, por se ka një ndëshkim abuziv për vjedhje të paqena nga ana e SPAK dhe GJKKO, aq sa zyrtarët e qeverisë gjenden në situatën absurde në të cilën, nëse ata bëjnë detyrën e tyre ligjore dhe qytetare, rrezikojnë në mënyrë krejt të pa të drejtë të burgosen. Ose, që vjedhjet janë një realitet tërësisht i zakonshëm dhe tërësisht i pranueshëm por është ndëshkimi ai që është një anormalitet.

    Kjo në fakt ngjan shumë larg realitetit. Hetimet e SPAK deri më sot kanë qenë minimale dhe, në asnjë rast, nuk mund të thuhet se prokurorët kanë abuzuar në ndonjë mënyrë skandaloze duke futur në burg çfarë t'u dalë përpara, pa prova apo në interpretime ligjore të ekzagjeruara. E kundërta mundet të thuhet: që hetimet janë ende në numër të pamjaftueshëm për të dekurajuar vjedhjet dhe abuzimet dhe se në shumë raste, prokurorët janë mjaftuar me hetime të përcipta, pa gjurmuar paratë për të gjetur përfituesit e abuzimeve, pa hyrë në analizën e librave të shitjeve dhe të blerjeve të kontraktorëve të mëdhenj publikë për të parë se çfarë bëjnë ata dhe ku i çojnë ata paratë që marrin nga taksapaguesit.

    Socialistët, përfshirë Ramën, herë pas here përmendin një “arkë me peshk” si kulmi i padrejtësisë që ka bërë SPAK ndaj një socialisti. Dukshëm referenca është për çështjen penale të Rovena Vodës, ish-zëvendësministre, e dënuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në rastin e procedurave të punësimit të një shtetaseje, e cila, sipas dokumenteve të prokurorisë, i dha asaj 1 mijë euro dhe një celular, por, kur vërejti se ishte e pakënaqur, i ofroi edhe një “arkë me peshk”, të cilën, paguesja, sipas përgjigjes, e cilësoi si një mall me vlerë 300 euro. Por më shumë se sa “arka me peshk”, ishin rrethanat e çështjes ato që e bëjnë realitetin e qeverisë “Rama” edhe më tronditës. Prokurorët në këtë rast nuk po hetonin korrupsionin. Ata po hetonin një grup kriminal të trafikut të drogës. Gjatë përgjimeve të trafikut të drogës rezultoi se një anëtare e familjes së një prej të dyshuarve, po kërkonte të punësohej në shtet. Dhe përgjimet, të cilat kishin për objektiv trafikun e drogës, nxorën krejt rastësisht në skenë faktin që, për t'u punësuar në qeverinë e Rilindjes, të duhet të paguash, jo vetëm një “arkë peshk”, siç e cilëson Rama me nënvlerësim, por të duhet të paguash 1 mijë euro, një celular dhe, nëse këto nuk dalin, me çfarë të kesh tjetër, në rastin konkret, paguesja kishte një arkë me peshk sepse familja kishte edhe një peshkarexhë.

    Kjo rrëfenjë e shkurtër gajasëse nga Shqipëria sugjeron në fakt se gjasat janë që problemi i mosfirmosjes shkaktohet nga ky shpjegim i dytë: korrupsioni është e vetmja ngasje që cyt zyrtarët e qeverisë të bëjnë tenderë. Dhe, nëse ndryshe nga më parë, korruptimi sot mundet edhe të dënohet, atëherë nuk ka incentivë se pse duhet të bëhet një tender. Dhe rrjedhimisht, paratë mbeten të pashpenzuara. Ose mund të ketë këtë shpjegimin e tretë: duke qenë se zyrtarët e lartë nuk janë të gatshëm të ndajnë plaçkën me zyrtarët e ulët, këta të fundit kanë vënë në peshore rrezikun, nga njëra anë, burgun, dhe nga ana tjetër, rrogën jo aq të lartë të punonjësit të administratës publike dhe kanë zgjedhur të rrezikojnë rrogën në vend të burgut. Sepse mijëra zyrtarë të administratës publike, të cilët firmosin dokumentet për dhjetëra-mijëra prokurime publike çdo vit, normalisht nuk kanë pse të kenë frikë nëse firmosin brenda ligjit. Prokuroria nuk ka se si të kapë shkelje aty ku nuk ekzistojnë. Ligji është shumë i qartë. Për shembull, drejtorët e bashkisë janë gjetur me shkelje për rastin e kompanisë 5D Konstruksion sepse, ndërsa ligji thotë se një fitues tenderi duhet të ketë tre vjet eksperiencë, drejtorët i dhanë asaj tender një muaj pas themelimit.

    Me një fjalë, është shumë e vështirë të besohet që SPAK ka krijuar një klimë të tillë të paarsyeshme terrori, përmes burgosjeve të padrejta apo të paarsyeshme të zyrtarëve. Sepse e vërteta është që burgosjet për korrupsion apo abuzim me detyrën apo shkelje të barazisë në tenderë, deri më sot kanë qenë vetëm për shkeljet më të paimagjinueshme të mundshme.

    Dhe në fund fare, nuk duhet lënë pa theksuar se çfarë dënimesh marrin. Sonila Qato është një zyrtare e lartë e qeverisë “Rama”. Ajo akuzohet se ka shkelur barazinë e subjekteve para tenderëve. Nëse shpallet fajtore, ajo parashikohet të dënohet me maksimumi 3 vjet. Ajo akuzohet se ka shkelur barazinë në një tender me vlerë 20 milionë euro. Dhe vetë Voda, asaj të cilës iu bë padrejtësia e madhe e dënimit për një arkë me peshk (plus 1 mijë euro plus një celular), u dënua me një vit e pak. Me pak fjalë, nuk ka kurrfarë dënimi skandaloz nga ana e GJKKO që të justifikojë ndonjë lloj viktimizimi të socialistëve se po u bihet në qafë pa të drejtë, apo në ndonjë mënyrë të ekzagjeruar.

    E megjithatë, nëse me të vërtetë SPAK dhe GJKKO kanë shkaktuar një terror të tillë, kjo sugjeron gjithashtu se korrupsioni është kaq sistemik sa çdokush mund të dënohet. Kjo sugjeron se Rama është praktikisht i papunë.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,637
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Vetëm në Albanistan: Arka e shtetit shqiptar tejmbushet me para, por paratë nuk investohen!

    Nga inceneratorët te ‘5D’, zyrtarët nuk pranojnë të firmosin/ Gonxhe i dëshpëruar: Kanë frikë nga hetimet

    Emri:  auto_ramagonxhe1709198659.jpg

Shikime: 2

Madhësia:  28.8 KB

    Blendi Gonxhe, super ministri i Edi Ramës, që drejton Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, është zyrtari i parë që pohon me zë dhe figurë se ata që punojnë në shtet kanë frikë të firmosin dhe kanë frikë nga hetimet.

    Dhe gjithçka ndodh në një kohë kur pothuajse çdo ditë raportohen skandale pas skandali që kanë përfshirë Qeverië dhe Bashkitë.

    Skemat mafioze të grabitjes së parave publike, abuzimet me koncensionet, inceneratorët, PPP, dhe së fundmi edhe përmes ‘5D’ kanë krijuar këtë situatën që duket se ka detyruar Blendi Gonxhen të shfaqet i dëshpëruar dhe të kërkojë persona që do të pranonin të punonin në shtet.

    Pak kohë më parë u denoncua publikisht se punonjës të Bashkisë së Tiranës refuzonin të firmosnin letrat që iu jepeshin nga drejtuesit dhe gjithçka ndodhi pas zbulimit të aferës së fundit, por më të sofistikuarës, ku banda ‘5D’ e kapos Veliaj grabiste jo 20 apo 30%, por 100% të fondeve publike, përmes tenderave që vetë caktonin kriteret, vetë konkuronin, vetë caktonin fondin dhe në fund i çertifikonte ‘kapo’.

    “Unë ju ftoj të gjithëve kush ka mundësi, të motivojë dikë që ka pranë, që të provojë edhe njëherë tjetër që të punojë në shtet.

    Unë e di që shumë njerëz janë të zhgënjyer, kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet, kanë frikë nga situate, janë gjëra konkrete që jetohen përditë.

    Unë i kam bodrumet në depresion total se aty punonte ekonomia që kam gjetur, në bodrum”, shprehet Gonxhe.

    Duket se halli për Qeverinë Rama, ashtu edhe për Bashkinë Veliaj, është aq i madh, sa duket se as patronazhistët që zakonisht strehohen bodrumeve, nuk po mund t’ua zgjidhin.

    Syri

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,637
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Vetëm në Albanistan: Arka e shtetit shqiptar tejmbushet me para, por paratë nuk investohen!

    Shpenzimet kapitale 71% më pak se plani në 3-mujor, niveli më i ulët që nga 2009-ta

    Emri:  Buxhet-financa-tatime-ekonomi-dogana.jpg

Shikime: 2

Madhësia:  30.6 KB

    Zëri më produktiv i buxhetit, shpenzimet kapitale këtë vit po tregon dobësi të theksuar teksa disa ente publike që ofrojnë shërbime jetike si spitalet po kalojnë vështirësi.

    Në tremujorin e parë të vitit 2023 buxheti i shtetit ka alokuar vetëm 4,8 miliardë lekë investime. Kjo shumë është 71 për qind më e ulët se, plani i tremujorit 2024, ndërsa ishte gjithashtu 61 për qind më e ulët se fakti i vitit të kaluar në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

    Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, investimet e tremujorit të parë 2024 ishin më të ulëtat që nga tremujori i parë i vitit 2019, por ndërkohë fondi i investimeve kapitale këtë vit është më i madhi në histori.

    Ecuria e deritanishme e fondit të investimeve kapitale sinjalizon për përqendrim të alokimeve në fund të vitit duke hedhur dyshime për eficencën e përdorimit të tyre.

    Teksa ka kaluar 1 e katërta e vitit, buxheti ka shpenzuar vetëm 3.6 për qind të programit vjetor të investimeve prej 145 miliardë lekësh.

    Historia e përdorimit të fondit të investimeve publike tregon se në tremujorin e parë alokimet kanë vështirësi për shkak të vonesave në prokurime. Por këtë vit ecuria e investimeve ka qenë shumë e dobët se të gjithë tremujorët e parë të 15 viteve të fundit.

    Burimet nga entet publike pohojnë se ka hezitim për të firmosur tenderët nga frika e SPAK.

    Struktura e Posaçme e Hetimit të Korrupsionit ka hetuar skema alarmante të abuzimeve me taksat e shqiptarëve nëpërmjet prokurimeve publike. Korrupsioni në prokurime nga pagesat e përqindjeve nën dorë ka kaluar në nivele të tilla, ku zyrtarët krijojnë kompani dhe kanalizojnë të gjithë tenderin si përfitim vetjak.

    Shqipëria vitet e fundit ka përmirësuar arkëtimin e të ardhurave buxhetore në vlerë si rrjedhoje e rritjes ekonomike dhe inflacionit të lartë, por rishpërndarja e taksave mbetet shume problematike.

    Institucionet financiare ndërkombëtare nga ana tjetër kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat që nga klasifikimi i projekteve deri tek zbatimi i tyre.

    Në analizën e plotë të rishikimit të programit me Shqipërinë këtë vit Fondi Monetar ndërkombëtar referoi se SPAK ka vërtetuar shqetësimet e mëparshme se korrupsioni ka rritur koston e investimeve publike. “Ndjekjet penale të kohëve të fundit në profilin e lartë nga SPAK që përfshijnë disa nga projektet më të mëdha të PPP-vë në vend, tregojnë se si korrupsioni, i shoqëruar me një kuadër të dobët kornizës së investimeve mund të rrisë koston e investimeve publike” vuri në dukje FMN në janar 2024. B.Hoxha

    Emri:  sh2.jpg

Shikime: 2

Madhësia:  31.6 KB
    Burimi: MF

    Emri:  sh1.jpg

Shikime: 2

Madhësia:  21.6 KB
    Burimi: MF


    REVISTA MONITOR

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 31-03-2024, 23:21
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-04-2021, 11:34
  3. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 27-02-2021, 14:38
  4. SHBA: Paratë e pista investohen në ndërtim
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-03-2008, 15:37
  5. Tirana pastron paratë e krimit para syve të BE
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-06-2003, 13:46

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •