Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Veliaj pas 7 orësh në SPAK: Kisha kërkuar takim, dhashë shpjegime për inceneratorët



    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë një deklaratë për media pas daljes së tij nga Prokuroria e Posaçme, ku qëndroi për rreth 7 orë.

    Veliaj shpjegoi se takimi ishte kërkuar prej kohësh nga ana e tij dhe shtoi se dha shpjegime në lidhje me çështjen e inceneratorëve.

    Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se më në fund ndihet i lehtësuar që pati mundësi të thotë fjalën e tij në organin e akuzës dhe të sqarojë rolin e bashkisë së Tiranës në çështjen e inceneratorëve.

    “Është krijuar një institucion serioz. Isha me dy kolegë hetues profesionist. E vetmja gjë që mund të bëjmë është që të forcojmë institucionet. Mos ti përgojojmë. Isha këtu si bashkëpunëtor. Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Patëm një ezahurim total të inceneratorëve, gjithë shpjegimet e nevojshme. Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe për çështje të sekretit hetimor duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë dhe disa prova të tjera mu kërkua që të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë sime. Ndjehem i lehtësuar që më në fund pata mundësinë të them fjalën time. Gjithashtu besoj se dhe armiqtë e mi ndihen të lehtësuar”-tha ai.

    Euronews

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Erion Veliaj del pas 8 orësh nga SPAK: Ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Armiqtë e mi tani…

    Emri:  veliaj-ne-spak.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  42.9 KB

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dalë nga dyert e Prokurorisë së Posaçme pas rreth 8 orësh ku ka dëshmuar për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.

    “Falënderoj kolegët e SPAK. Një institucion me të cilën unë nuk kisha të bëja përpara por që pas këtij takimi ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari në Shqipëri. Është krijuar një institucion serioz. Isha me dy kolegë hetues profesionist të disiplinuar dhe unë them që e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mos përgojojmë institucionet, por t’i forcojmë. Isha këtu si bashkëpunëtor.

    Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 9 me 10 pasi kishte edhe një seancë tjetër. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC, i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish-bashkia me 37 euro toni. Ky proces ishte komplet gjë tjetër, e pa kërkuar nga investitor të tjerë dhe që nuk kishin lidhje me bashkinë e Tiranës dhe që nuk kishin lidhje me IFC. Sigurisht që u thanë edhe disa detaje të tjera.

    Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të sekretit hetimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë edhe disa prova të tjera, mu kërkua që të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do të jenë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi ndihen më të lehtësuar. Pata mundësinë që të them fjalën time. Besoj edhe armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Njeriu duhet gjykuar edhe nga armiqtë të bën dhe jo vetëm nga punët që bën.

    VIDEO

    Balkanweb

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Pse u paraqitët 1 orë përpara në SPAK? Veliaj: Mund të merreni me makinën e Fahri Balliut dhe milionerëve…

    Emri:  Erion-Veliaj1-2.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  40.2 KB

    Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dalë nga SPAK pas shumë orësh, pasi u mor në pyetje nga prokurorët.

    Veliaj u pyet nga gazetarja e News24, Klodiana Lala se përse u paraqit në SPAK një orë më përpara nga se ishte thirrur. Veliaj shmangu pyetjen, duke thënë se “mund të merreni me makinën e Fahri Balliun dhe milionerëve të opozitës”.

    Gazetarja Klodiana Lala: Pse erdhët një orë përpara në SPAK, kur jeni thirrur për një nga aferat më të rënda korruptive ndër vite?

    Erion Veliaj: Ka nisur mbledhja e këshillit Bashkiak dhe duhet të shkoj. Erdha një orë më parë. Mund të merreni me makinën e Fahri Balliut dhe milionerëve të opozitës.

    VIDEO

    Balkanweb

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Në dyert e SPAK/ E ka shitur, apo e mbron Rama Erion Veliajn

    Emri:  Screenshot_20240428_222308_InCollage-Collage-Maker.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  42.9 KB

    Lajmi se më në fund Erion Veliaj do të paraqitet edhe publikisht në dyert e SPAK ka risjellë në sipërfaqe një enigmë që ngre krye herë pas here: e ka shitur, apo e mbron Rama, Erion Veliajn? Këto pandehma kanë marrë shkas nga qëndrimet kontradiktore të kryeministrit, që lehtësisht mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

    Ata që janë më çdo çmim kundër Veliajt, mes të cilëve ka dhe shumë socialistë, e morën si një sinjal domethënës deklaratën e Ramës në Report TV, se SPAK duhet ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit në bashki. “SPAK ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye, ku ka prova për këdo qoftë, që nga njëra anë është reshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët, dhe nga ana tjetër që e shfrytëzon postin për punën e përveçme dhe krejt të pa amistueshme për përfitim të paligjshëm, të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas as lart as poshtë, por vetëm drejt”, tha pak ditë më parë kryeministri.

    Po të tilla deklarata, që u komentuan me zell në ato pak media anti Veliaj që i kanë mbetur pranë opozitës, duhen marrë me rezervë. Në shumë raste të tjera kryeministri e ka përdorur si argëtim lojën e maces me miun kundrejt vartësit të tij më servil. Në të njëjtën mënyrë u komentua nga opozitarët një foto e një ritriti të PS me kryebashkiakët, ku Veliaj ishte lënë jashtë tryezës, si një i zgjebosur që duhet të qëndronte në distancë higjeike larg të tjerëve (shih fotot poshtë).

    Emri:  velo-ritrit.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  36.6 KB

    Emri:  velo-ritrit-2.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  30.9 KB

    Po ashtu, qëndrimi i Ramës ndaj njeriut që herë e denigron publikisht duke e trajtuar si bojaxhi, që duhet të lyej muret e shkallëve dhe herë e ysht të kapi lopën e një fshatari, u komentua si anti Veliajt kur u arrestuan drejtorët e 5 D. Për disa ditë kryeministri heshi dhe kjo i entuziazmoi “armiqtë” e Lalit. Por gëzimi nuk u zgjati shumë. Se më në fund ai e përkrahu publikisht kryebashkiakun e njollosur me mëkate të njëjta. Ata u shfaqën me deklrata të përbashkëta dhe të rakorduara për arrestimet e drejtorëve.

    Ndërkohë që prej një jave pas prangosjes qarkullonte dilema nëse lideri do ta shiste apo mbronte delfinin e tij, epilogu publik i kësaj pikpyetjeje ishte teksti i shkruar i Ramës: “Bashkohem fjalë e presje me qëndrimin e Erionit”. Pra një gjë u duk qartë: së paku gojarisht ai i doli në krahë Lalit. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet. Në strategjinë e mbrojtjes që zgjodhi, Veliaj përdori me “fjalë e presje” të njëjtat argumentat që shefi i ka thënë shqiptarwve kur është gjendur në të njëjtin hall.

    Pra, Edi Rama se paku publikisht, nuk mund të dilte e të thoshte se parimi që vlen për mua, se “shokët kanë ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës time”, nuk është i vlefshëm për të tjerët. Ai nuk mund të mohonte logjikën që e ka bëtë të vetën se janë kryer punë të mira, pavarësisht se dikush ka pasur qëllime të mbrapshta.

    Por, përpos këtij shpjegimi, që arsyetohet me mbajtjen e një linje koherente, kryeministri mund të ketë edhe arsye praktike që e detyrojnë të mos e shesi Veliajn. Ai është i ndërgjegjshëm se me pushtetin që i ka deleguar, në dhjetë vite, Erioni është shndërruar në një levë të rëndësishme të regjimit. Ai ka pushtet të pamatë ekonomik, kontrollon, siç është parë këto ditë edhe një pjesë të TV të mëdha dhe ka influencë të gjërë mbi sistemin e drejtësisë. Falë këtyre ai ka rezultuar si një nga njerëzit më efikasë për të kryer punët e pista për llogari të shefit. Për këtë arsye, duke vënë në njërën anë të peshores imazhin e njollosur që i lë Veliaj organizatës dhe në anë tjetër, aftësinë e tij për të shërbyer, Rama mund të këtë vendosur ta mbrojë. Prandaj ai doli publikisht me deklaratën e rakorduar se edhe Erionit fajin ia kanë vartësit.

    Por as kjo “mburojë” duket se nuk e ka qetësuar kryebashkiakun që nuk po di si të sillet ndaj thirrjes së SPAK. Ashtu sikurse i ndodh sa herë që gjendet në trysni, kur bwn gafa që e vetë tradhëtojnë, Veliaj bllofoi sikur po paraqitej me vullnet të plotë në Prokurorinë e Posatçme. “Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave. Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin. Unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë”, tha ai në kanalin e partisë Report TV.

    Natyrisht të gjithë e dinë që në SPAK nuk shkon kur vendos ti, por kur të thërrasin. Dhe kjo lajthitje fëmijënore e Veliajt nuk shërben dot si alibi. Gazetarët e kronikës tashmë e dëshmojnë se atij i janë nisur fletërthirrjet. Por makthi i tij është tjetër. Qoftë edhe sa për sy e faqe, ai do të tregojnë se nuk është një politikan që e kanë shitur. Ai do të hiqet sikur situatën e ka nën kontroll. Prandaj dhe mbështetja, qoftë edhe verbale e Edi Ramës, tani për tani e ndihmon.

    LAPSI

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Zëri i Amerikës: Veliaj në SPAK për inceneratorin e Tiranës

    Emri:  c2dc9a84-a829-48a3-b4f8-a69c3956878b-e1714491472212.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  32.5 KB

    Zëri i Amerikës

    Në Shqipëri, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është thirrur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës. Zoti Veliaj ishte thirrur për t’u paraqitur në orën 10.00, por ai shkoi gati një orë më parë, duke u detyruar të priste orarin e caktuar nga prokurorët, në mjediset e hyrjes së godinës.

    Kjo është hera e parë që zoti Veliaj thirret në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa prej shumë kohësh ai është vënë në qendër të sulmeve të opozitës, e cila e konsideron atë si personin kyç për rastin e inceneratorit të Tiranës. Një akuzë të ngjashme lëshoi ndaj tij, por pa ofruar prova e fakte, edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në arrati që prej verës së shkuar, pasi Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e tij po për çështjen e inceneratorëve.

    Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Pas emrit të kompanisë qëndronte një tjetër me seli në Holandë, “Integrated Energy B.V”, e cila më pas ndryshoi emrin në “Geogenix B.V”, ndërkohë që zotëruesit e tyre mbetën të paqartë. Por Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se sipas hetimeve, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Ebasan dhe Fier.

    Në muajin dhjetor, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes urdhërave për arrest me burg figuronte dhe emri i Taulant Tushes, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Po ashtu, urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish-drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes. Urdhërat e arrestit prekën sërish dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

    Zoti Veliaj ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiraës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti”.

    Në mars të këtij viti, Bashkia e Tiranës mori një tjetër goditje kur dy ish-drejtues në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, i cili ka qenë në krye të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, dhe Maringlen Qato, deri para disa kohësh në krye të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, u arrestuan nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.

    Një urdhër i dytë arresti, u lëshua dhe për Taulant Tushen, i dyshuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

    Ish-drejtorët, Molla dhe Qato, dyshohet të jenë pronarët realë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve të deritanishme, ka përfituar në mënyrë të parregullt tendera nga agjencitë në varësi të Bashkisë. Në një dalje të gjatë publike në fillim të muajit, zoti Veliaj u distancua nga ish-drejtorët e tij, duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

    Opozita, e cila ka kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, ku zoti Veliaj të japë shpjegime, prej disa javësh ka organizuar protesta përpara Bashkisë, me thirrjet për dorëheqjen e tij. Protestat janë shoqëruar me tensione me forcat e shumta të policisë si dhe me episode të dhunshme, të lëshimit të molotovëve drejt hyrjes së godinës së Bashkisë. Protesta e radhës është njoftuar pasditen e sotme, pak përpara nisjes së mbledhjes së zakonshme të Këshillit Bashkiak.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,526

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Po nuk arrestuan Veliajn me gjithe keto prova SPAKu eshte me mire te mbyllet sepse nuk vlen me per asgje. Eshte e kote te harxojne kohen kot me drejtora e administrator kot. Ose te shikojn te arrestojn e te denojn ndonje pastruse tjeter.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    ‘Dorëheqja’, Zhulali: Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë qelizë dinjiteti

    Emri:  auto_auto_Ilda_Zhulali16738900651714564563.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  42.4 KB

    Nga Ilda Zhulali/

    Në vijim të skandaleve që nuk kanë të sosur në Bashkinë e Tiranës, ka një akt që e ka në dorë vetëm Erion Veliaj: DORËHEQJA!

    Por Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë qelizë dinjiteti dhe integriteti, ndaj dorëheqja e tij mbetet thjesht një utopi.

    Fjala e djeshme në mbledhjen virtuale të Këshillit Bashkiak përbën një provë të fortë publike për aktin tjetër të pritshëm, por që nuk është më vetëm në dorën e Veliajt.

    1. Refuzimi i përsëritur i Kryetarit të Bashkisë për të dhënë llogari e sqarime përpara Këshillit Bashkiak, në shkelje të hapur të ligjit, përforcon faktin që ai nuk e njeh Këshillin as si institucion vendimmarrës dhe as si institucion kontrollues e mbikqyrës.

    2. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se paratë e taksapaguesve të Tiranës i konsideron si buxhet partiak që shërbejnë për ta mbajtur në pushtet me çdo çmim.

    3. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se shërbimet e Bashkisë i shet si ndere personale, dhe se pronat e Bashkisë i shet si prona vetjake.

    4. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se ai jo vetëm ka dijeni, por është i përfshirë drejtpërdrejt në këto pazare, dhe i përdor herë për të joshur, e herë për presion dhe shtantazh.

    5. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se mund të mashtrojë publikisht pa ndier asnjë grimë përgjegjësie publike dhe ligjore.

    6. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se organet e drejtësisë i konsideron si pjesë të organizatës politike, me funksion amnistimin ose ndëshkimin sipërfaqësor të krimeve rilindase.

    7. Në fjalën e tij toksike Erion Veliaj dje shau, ofendoi dhe volli vrer ndaj gjithkujt, PËRVEÇ bashkëpunëtorëve të organizatës 5D dhe të incineratorit fantazëm të Tiranës, të cilët i ka ose në burg ose në arrati të kapur në vjedhje dhe korrupsion të paimagjinueshëm. Pra edhe një herë, me zë dhe figurë, vërtetoi se vjedhja dhe korrupsioni nuk janë aksidente të sistemit të tij qeverisës, por janë vetë sistemi acid që ka funksionuar me devizën “të gjithë për një e një për të gjithë”.

    Është detyrë e çdo qytetari të bashkohet në protestë kundra këtij sistemi acid që ka detyruar qindra mijëra shqiptarë të largohen nga vendi!

    Të martën, ora 11, protestojmë përpara Bashkisë, kundra modelit qeverisës së Erion Veliajt!

    Emri:  440978468_10228292132022456_8408501644013353032_n.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  45.1 KB


    Syri

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Pse askujt nuk i dhimbset Erion Veliaj?

    Emri:  auto_veliaj1714556433.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  26.9 KB

    Nga Ermal Mulosmani

    Mëngjesi i sotëm ishte mjaft i bukur. Një diell i ngrohtë në një qiell të pastër ma kënaqi shpirtin rrugës për në zyrë. Sapo mbërrita, në kafenenë e katit të dytë, në televizorin përballë, sytë më kapën dhjetëra gazetarë me mikrofona e kamera që prisnin një pre të majme: Shefin e Shefave të tyre, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

    Kishte një mezipritje, një hare të pafshehur mes tyre. Koha e bukur nuk u hynte në punë asfare, kameramanët fluturonin nga gëzimi.

    Befas, në një cep rruge, u shfaq viktima. Si gjithmonë llërëpërveshur e me dosje, i shoqëruar nga dy vartës që me siguri po paguanin haraçin për favoret e deritanishme të Shefit të tyre. Të shkretët përpiqeshin ta krijonin pak largësi nga ai; një distancë sigurie si në kohërat e pandemisë, nga frika e infektimit.

    Në kafene filluan batutat, hidh e prit. Sapo Kryetari i Bashkisë afrohet te rrethimi i SPAK-ut, dëgjohen zëra ofendues: “hajdut, hajdut”, “në burg e ke vendin”, “kriminel”. Ishin zëra të organizuar-me gjasë- nga opozita. Por, përshtypja që pata ishte se po e bënin atë punë me qejf të madh, me një uri dhe urrejtje pasionante.

    Pata ndjesinë e një vetmie të madhe, e një braktisjeje totale ndaj tij.

    Në mendje më erdhën grumbullimet e dikurshme të mbështetësve të Ministrit më të suksesshëm të Rilindjes, Saimir Tahiri. Atëherë, megjithë akuzat e rënda që kishte mbi supe, dhjetëra militantë socialistë duartrokisnin me frenezi dhe hidhnin ulërima mbështetëse ndaj Ministrit të akuzuar për trafik.

    Po pyesja veten, çfarë e solli këtë neveri publike, këtë gëzim keqdashës popullor; pse një njeri që deri sot dukej se gëzonte masivisht mbështetjen e gjithë këngëtarëve, reperëve, aktorëve, piktorëve, përputhasve, bigbrothersave, e shumicës së figurave publike; që në përceptimin publik shihej si Pasardhësi; që kishte pas vetes fuqi financiare dhe pushtet ekzekutiv të jashtëzakonshëm; që komandonte mediat më të fuqishme të vendit dhe dinte të lëvizte fijet e intrigës si pakkush, të katandisej si një pedofil i zënë në flagrancë?!

    Arsyeja e parë që më erdhi në mendje ishte hipokrizia e tij. Për një popull që ka jetuar në komunizëm, nuk ka qenie më të shpifur se idhujtari skematik, propaganduesi dogmatik, llërëpërveshuri, përparësembajtësi, pemëmbjellësi, shërbyesi i zellshëm i të vobektëve dhe të margjinalizuarve. Kjo lloj sjellje mund të jetë trend i mirë në një vend të zhvilluar por është kaq e shpifur për ne. Na kujton aparatçikët servilë komunistë, disa qenie dogmatike të shpifura, relike të një kohe të shkuar. Sa herë e shihnja në azile pleqsh, në festa grash, në mbjellje pemësh, inagurime rrugësh, shkollash, me lopatë në dorë më krijonte përbashkësi me atë sistem të urryer që kishim lënë pas.

    Erion Veliaj është padyshim kontribuesi më i madh në krijimin e një realiteti virtual; të një bote paralele, bashkiake. Në atë realitet nuk kishte vend për halle, atje ka vetëm patetizëm, entuziasëm, lajka, lustra, fanfara, fasada, maska, tautologji të pakuptimtë, parulla, llamburitje verbuese, gëzim, qeshje, buzëqeshje të stampuar, hare… Në atë realitet fshihej me kujdes pisllëku, e keqja, muti, varfëria, vuajtja.

    Një lloj fasade që mpin arsyen dhe luan me imazhin. Kjo është arsyeja e parë e neverisë ndaj tij. Në realitetin velias nuk kishte vend për gazetarë, kritikë, halle. Ai kishte gjithmonë lopatën, VIP-in dhe kameramanin. Jo gazetarë. VIP-at nuk na shtuan dashurinë ndaj Veliajn, përkundrazi na e shtuan urrejtjen ndaj vetes së tyre. Shpresoj t’ia ketë vlejtë, të jenë shpërblyer mirë.

    I mbështetur në lopatë lajmëronte mbjelljen e fidanit të qindramijtë nën lëvizjet marramendëse të dronëve. Një lustër veletitëse që transmetohej në të gjtiha televizionet qendrore e lokale si lajmi i ditës.

    Në të njëjtën kohë që në pyllin e Liqenit Artificial të Tiranës, me firmën e tij, jepte lejen për të zhdukur qindra pemë shumëvjeçare dhe ndërtimin e qindra mijëra katror beton.

    Brenda vijës së mbrojtur, në krah të Sheratonit! Dhjetë kulla 15 katëshe që të gjithë bëjnë sikur nuk i shohin.

    Këtë kronikë sigurisht nuk e jepte askush. Me urdhërin e Veliajt.

    Për këtë krim duhet të paguajë sot.

    Erion Veliaj kishte krijuar një pushtet paralel me Kryeministrin dhe një fuqi financiare të jashtëzakonshme. Drejtorët e tij të majmur nga pushteti i pakufizuar dhe korrupsioni galopant nuk mendonin se do kishte kthim mbrapa. Ata thjesht prisnin kalimin e pushtetit nga, siç e quajnë ata, Sulltoni. Ata ishin në garë për të përfituar secili më shumë nga tenderat, lejet, koncesionet, punësimet.

    Derisa erdhi SPAK-u.

    Erion Veliaj, përveç të tjerave nuk frymëzon askënd. Ai është një intrigant i nënshtruar, një qenie inferiore që bindet ndaj të Zotit me përulësinë e kafshës besnike. Me shpresën e shpërblimit për këtë përulësi. Ai mendon se mund të blejë të gjithë: biznesmenë, pronarë, gazetarë, artistë, kritikë, deputetë, kolegë partiakë.

    E megjithatë kurrë nuk guxoi t’i kundërvihet Sulltonit. Qoftë edhe me ndonjë gjest të vogël siç fjala vjen bën heraherës Fatmir Xhafa. Mosozot! Edhe sikur të gjithë deputetët t’i ketë pas vetes, gjithë mediat, biznesin, showbizin, krimin, prapëseprapë do e brejë dilema e pasigurisë. Ai e pret pushtetin si servil intrigant që demonstron bindje të pashembëllt eunuku.

    Por pushteti nuk është për eunukë.

    Njerëzit neverisin më shumë një të nënshtruar shembullor si Veliaj sesa një arrogant të pashembult si Shefi i tij. Të paktën Rama na i kursen këto leifenizmat dhe jo vetëm kaq. Duke e ditur neverinë popullore për to, nuk lë rast pa ia përbuzur këtë cilësi. Siç qe rasti i poshtërimit me urdhërin për lyerjen e shkallës në 5 të mëngjesit!

    Sot ishte fundi politik i Erion Veliajt. Pavarësisht nga vendimi për të. Sot ai mori vulën publike të neverisë popullore, vulën e një hajduti.

    Syri

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Ç’ndodhi brenda SPAK/ A kanë mbaruar punë prokurorët me Veliajn?

    Emri:  Screenshot_20240501_105201_Chrome.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  41.3 KB

    E marta kur Erion Veliaj u paraqit për herë të parë publikisht në SPAK me sa duket nuk do të jetë as e fundit kur ai kapërcen pragun e kësaj godine. Me gjithë shtatë orët e kaluara atje, palët në deklaratat që bënë pas marrjes në pyetje, theksuan se do të kenë edhe takime të tjera. Vetë Veliaj kur doli përpara gazetarëve pohoi se “bashkëpunimi do të vazhdojë”. Burime të brendëshme i thanë Lapsi.al se tre janë çështjet kryesore që i kanë interesuar prokurorëve.

    Së pari ata kanë pyetur lidhur me hipotezën që Veliaj e ka mohuar shpeshehrë në publik, se me anë të shkresave dërguar për ministrat e financave Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj, ai ka qenë ose jo nismëtari i ngritjes së inceneratorit të Tiranës. Por prokurorët kanë gjetur provat shkresore. Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.

    Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështeste idenë e tij në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.

    “…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,” thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj. Pra interesi i parë i prokurorëve ka qenë se sa ishte ai nismëtar i kësaj afere korruptive që deri më tani ka kushtuar mbi 100 milionë euro.

    Çështja e dytë ka qenë e lidhur me shkresën e famshme, kur pasi i mohohet nga ministria e financave, Veliaj merr personalisht angazhimin financiar për ndërtimin e inceneratorit. Dhe ai nënshkruan një dokument që sështë në kompetencë të tij, por duke anashkaluar Këshillin bashkiak.

    Emri:  auto_hoxha11640769463.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  44.2 KB

    Për të kuptuar këtë duhet njohur pak historia e kësaj afere. Kompania ‘Integrated Energy BV u angazhua që do të ndërtonte djegësin e Tiranës i cili do të financohej nëpërmjet një tarife për incenerimin e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë.

    Sipas të dhënave të mëvonshme që nxori Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe i mori më pas SPAK, kjo qe një ndërmarrje korruptive që do ti kushtonte publikut shqiptar tre fish më shtrenjtë. Po cili qe roli i Veliajt në këtë grabitje? Ai firmosi pa e pasur kompetencë sepse angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi u dha nga kryetari i Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill.

    Pika e tretë e nxehtë për të cilën Lapsi.al ka mësuar se është folur është ajo e depozitimit të dherave, që i kanë dhënë mundësi bosëve të inceneratorëve të përfitojnë rreth 60 milionë euro shtesë nga intertet që depozitonin aty ata që hapnin gropa ndërtimi në Tiranë. Veliaj vuri në dispozicion të këtij operacioni gjithë policinë bashkiak dhe ka shkresa që tregojnë se ai i urdhëronte pronarët ‘de jure” që disa subjekte ti përjashtonin nga pagesa e tarifës.

    Pikërisht për këto tre tema diskutoi mbi shtatë orë Veliaj me “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”. Kur doli nga SPAK ai tha se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve.

    I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.

    “I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.

    Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.

    Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

    Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.

    LAPSI

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,709
    Postimet në Bllog
    18

    Për: SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë

    Klodiana Lala nxjerr dokumentin: Veliaj nuk shkoi vullnetarisht në SPAK

    Emri:  auto_-640-0-erion-veliaj-klodiana-lala-545-9001712610439.jpg

Shikime: 4

Madhësia:  32.2 KB

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi para mediave se kishte shkuar vullnetarisht në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dëshmuar për dosjen e inceneratorëve.

    Por gazetarja Klodiana Lala ka publikuar në emisionin “Open” në News 24, një dokument sipas të cilit SPAK i ka dërguar fletëthirrje kryebashkiakut. Në dokumentin e publikuar nga gazetarja Lala, thuhet se kërkesa ndaj Veliajt është bërë më 24 prill.

    Emri:  klod-lala-2-770x419.jpg

Shikime: 4

Madhësia:  29.4 KB

    Në të njëjtën linjë ishte edhe një shkrim i BIRN, të cilit kreu i SPAK, Altin Dumani i dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme. “I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” – tha Dumani.

    Fletëthirrja:

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar

    Urdhër për thirrjen e shtetasit Erion Veliaj

    Tiranë, 24 prill 2024

    Unë, Dritan Prençi, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar në zbatim të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale për marrjen e të dhënave në funksion të hetimit të procedimit penal numër 255 viti 2020.

    Urdhëroj: Shtetasi Erion Luan Veliaj, i ditëlindjes 17.12.1979, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë, të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 30 prill 2024, ditën e martë, në orën 10:00, tek hetuesi A. S., për marrjen e të dhënave për rrethana të dobishme në funksion të hetimit procedurial penal numër 255, viti 2020 (me vete të ketë dokument identifikimi).

    Paraqitja e shtetasit të mësipërm kërkohet me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni lidhur me rrethanat e hetimit, lidhur me hetimet paraprake procedimi penal 255, viti 2020.

    Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.

    Njoftimi i mësipërm të kryhet me anë të shërbimit postar në adresën e punës Bashkia Tiranë.

    Prokurori i çështjes, Dritan Prençi



    Balkanweb

Tema të Ngjashme

  1. SPAK: Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 05-01-2024, 14:42
  2. Erion Veliaj, 103 tenderë të dyshimtë për 6 muaj
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-12-2018, 20:13
  3. Sa libra ka lexuar ne jeten e tij Erion Veliaj?
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 21-12-2015, 16:36
  4. Erion Veliaj: G99 do të shkrihet me PS-së
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 01-06-2010, 11:27
  5. Erion Veliaj per zerin e Amerikes
    Nga DJAL_BERATI në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 06-05-2008, 15:38

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •