Edikti bullgar dhe edikti shqiptar

Një debat në anën tjetër të Adriatikut mbi median publike italiane dhe rolin e gazetarisë në një shoqëri demokratike është mirë të na shërbejë për të hedhur sytë drejt shërbimit të Televizionit Publik Shqiptar, një zyrë e partisë në pushtet, pa gazetarë të pavarur dhe pa sindikatë.

Nga Gjergj Erebara

Emri:  rtsh.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  42.7 KB

Politika italiane krijoi në vitin 2002 termin Editto bulgaro, që mund të përkthehet: “Edikti bullgar” apo “Diktati bullgar”. Është një term tallës, një imitim në miniaturë i ngjarjeve të mëdha të historisë së njerëzimit, si, fjala vjen, Edikti i Milanos nga perandori Kostandin apo Edikti i Nantës nga mbreti Henri i IV.

Edikti bullgar ishte nofka që gazetarët italianë i vunë një deklarate të Silvio Berlusconi-t, në atë kohë, kryeministër, kundër disa gazetarëve legjendarë të televizionit publik italian, të cilët nuk pranuan të ulin kokën para qeverisë dhe vijuan të raportojnë, në mënyrë kritike.

Deklarata e Berlusconit-t ishte kjo: “Përdorimi që i kanë bë televizionit publik Biaggi… si quhet ai tjetri? Santoro dhe ai tjetri… Lutazzi… është një përdorim kriminal, paguar me paratë e të gjithëve.” Ai po fliste për gazetarin Enzo Biaggi, një gazetar legjendar dhe kritik i pushtetit ekonomik dhe politikave populiste të Berlusconi-t, për gazetarin Michele Sartoro, i cili kishte bërë krimin që të intervistonte komedianin Daniele Luttazzi. Ky i fundit, duke imituar Satirikonin e famshëm të Gaius Petronius Arbiter, u tall me Berlusconi-n dhe pasurinë e tij.

Berlusconi ia doli ta largojë Biaggi-n nga RAI, por jo pa pasoja. Në obituarin për Biaggi-n, the Guardian vëren se si gjuha e përdorur nga Berlusconi në Sofia ishte me një ngjashmëri të pakëndshme me gjuhën e Musolinit, diktatorit fashist, i cili, përveçse njihet për diktaturën dhe censurën e shtypit që në ditët e para të kësaj diktature, njihet edhe për oportunizmin, një mënyrë e paskrupullt e të bërit politikë populiste, e cila e transformoi atë nga të qenit një socialist, në të qenit fashist, në një kthesë 180 gradë në të gjithë spektrin politik.

Sindikata e gazetarëve USIGRAI krijoi se fundmi termin: Edikti shqiptar! Ata iu referuan në këtë mënyrë komenteve të kryeministres Giorgia Meloni në Peskara, e cila kritikoi raportimin e gazetarëve për paktin e saj me Ramën si “linçim”, jo vetëm të paktit, apo të Ramës, por të “popullit shqiptar”. Sipas Melonit, krimi i gazetareve kësaj here është që ata “kanë sajuar një raport për Shqipërinë, në të cilin, Shqipëria prezantohej si një narkoshtet”. Dhe gjithashtu Meloni tha: “Më lejoni t'i dërgoj Edi Ramës solidaritetin tonë, sepse ai dhe populli shqiptar u linçuan vetëm sepse tentuan të ndihmojnë kombin tonë.”

Sa i përket mundësisë që Meloni të përdorë pushtetin politik, si në rastin e Berlusconi-t për t'i mbyllur gojën gazetarëve kritikë, dukshëm shoqëria italiane është sot më e përgatitur për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e gazetarëve, si parakushte të lirisë së atyre vetë, sa të mos e lejojnë diçka të tillë.

USIGRAI ose Unioni Sindikal i Gazetarëve të RAI-t, njoftoi grevë në datën 6 maj për të bërë të qartë se vlerat nuk negociohen. Dhe sa i përket deklaratës së Melonit në Pescara, sindikata e konsideroi këtë “sulm” dhe një rast për të shprehur solidaritetin e vet me gazetarët.

“Për Giorgia Meloni-n, të hedhësh dritë mbi detajet se si u formalizua marrëveshja me kryeministrin Edi Rama për qendrën e emigrantëve që do të ndërtohet në Shqipëri, kjo është e barabartë me “linçimin” e popullit shqiptar”, shkroi sindikata në deklaratë. [Link]

Sindikata shton se, sipas këndvështrimit të tyre, emisioni nuk mbart kurrfarë fyerje për popullin shqiptar dhe shtoi se ata “shprehin solidaritet [me popullin shqiptar] për shkak se ai është tërhequr në valle nga kryetarja e Këshillit të Ministrave për arsye elektorale”.

“Ne prisnim që qeveria të vinte një fjalë në mbrojtje të gazetarisë në shërbim publik por dukshëm për këtë e kemi pasur gabim,” shtohet në deklaratë.

Këto janë gjëra që ndodhën në Itali. Një debat i gjallë që zhvillohet në televizionin publik italian, i cili paguhet nga taksat e qytetarëve për t'i ofruar atyre shërbime informimi të pavarura dhe korrekte.

Në këtë kontekst, ndoqa edicionin e lajmeve të Televizionit Publik Shqiptar, një televizion që, normalisht do të duhet të jesh naiv deri në budalla që të presësh një emision investigativ që të kritikojë paktin e Ramës me Melonin, e aq më pak, që të gërmohet për lidhjet mes krimit dhe politikës.

Këto ishin lajmet e edicionit kryesor të datës 29 prill 2024:

Lajmi i parë: Taulant Balla duke shpallur në kërkim tritolvënësin e Shkodrës. Lajmi i dytë: Rama për turizmin. Lajmi i tretë: Skaneri i syrit mund të bëhet tani edhe në QSUT. Lajmi i katërt: përvjetori i 64 -rt e krijimit të Televizionit Shqiptar. Kronika thotë se drejtuesit e rinj, që prej një viti, po punojnë parreshtur për ta bërë TVSH-në të madh “si dikur”. Studio moderne janë mundësuar nga “drejtuesit e rinj”. [Link] Edicioni vijon me lajme nga bota.

Vini re gjuhën idioteske të përdorur në kronikën e katërt. Ndërsa shqiptarët shpenzojnë mbi 20 milionë euro në vit për të paguar televizionin publik, brenda një paragrafi përmendet dy herë që janë “drejtuesit e rinj” dhe jo taksapaguesit, ata që mundësojnë “studio moderne”. Këta “drejtuesit e rinj”, të cilët theksohet se i përkasin “vitit të fundit”, sipas kronikës, kanë plane për ta bërë TVSH-në “të madhe si dikur”. Kronika nënvijëzon se për katër dekada TVSH ishte i vetmi televizion në vend, një fakt që tingëllon sikur ndjehet keqardhje që në një botë demokratike lejohet të ketë edhe televizione private. Dhe shikoni mungesën konceptuale të këndvështrimit kritik dhe admirimin e të shkuarës diktatoriale në fjalët e kësaj kronike. TVSH u themelua me të vërtetë 64 vjet më parë. Ajo shërbeu si një zyrë propagande përgjatë të gjithë kohës. Telekronikat në të cilat populli cytej të brohoriste për të varur armiqtë në litar transmetoheshin aty krahas kronikave për mrekulli ekonomike në kohën e tollonit, radhës së qumështit dhe krizës së lidhëseve të këpucëve. Por jo! Sipas kronikës, e shkuara është, jo diçka për t'u kritikuar, por një shembull se si nuk duhet të jetë televizioni publik; diçka për t'u pasur objektiv, një premtim nga drejtuesit “e vitit të fundit” për ta bërë këtë ent “të madh si dikur”.

Larg qoftë, TVSH-ja të ketë ndonjë sindikatë e cila, duke qenë se televizioni publik ka lidhje të vjetra me RAI-n, t'i bashkohej apo të mbështeste deklaratën e sindikatës së RAI-t në mbrojtje të gazetarisë investigative.

Problemi natyrisht që nuk konsiston vetëm te TVSH-ja apo te fakti që një deputet socialist është zgjedhur drejtor i përgjithshëm. Problem duhet të jetë fakti që ne të tjerët e pranojmë të gjithë këtë si diçka “normale”. Shembulli i gazetarëve të RAI-t së paku duhet të na shërbejë për të vërejtur se TVSH duhet të ndërrohet, jo për t'i bërë “i madh si dikur”, por për t'u bërë një ent i pavarur nga politika, një ent kritik ku paratë e taksapaguesve përdoren për të informuar dhe jo për të propaganduar.


BIRN