Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri

    Besimtarët orthodhoksë në mbarë botën festojnë festën më të madhe të kalendarit orthodhoks, Pashkën, Ngjalljen e Krishtit nga varri.

    Emri:  LRPTheResurrectionlevel_1800x1800.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  70.4 KB

    Krishti u ngjall së vdekurësh.
    Me vdekje, vdekjen shkeli.
    Dhe të varrosurve, jetën ua fali!


    Ky është himni që besimtarët këndojnë plot gëzim e shpresë, pasi me ngjalljen e Tij nga varri, Jisu Krishti e mposhti vdekjen dhe hapi udhën e jetës pa fund për të gjithë ata besimtarë që i mbajnë besën Perëndisë.

    Krishti u ngjall!
    Vërtet u ngjall!

    PASHKA E MADHE. NGJALLJA E ZOTIT JISU KRISHT.

    Në shoqërinë njerëzore zënë një vend të veçantë festimet. Kjo vjen si një nevojë e brendshme e njeriut për tu shkëputur nga puna, angazhimet dhe rutina e përditshme, por në të njëjtën kohë dhe për të krijuar një marrëdhënie me të shkuarën, duke e sjellë atë në përjetimin e së tashmes, duke aspiruar dhe synuar të ardhmen. Festat të cilat shoqëria njerëzore feston mbështeten në ngjarje e persona dhe mbi të gjitha mbi mesazhin që ato transmetojnë. E tillë është dhe festa e Pashkës.

    Zanafillën e saj do ta gjejmë në zemrën e historisë fetare dhe kombëtare të popullit judaik. Gjendet në kalimin e Detit të Kuq, në kohën kur populli i Izraelit nën udhëheqjen e Moisiut (rreth shek. XIV para Krishtit) u çlirua nga robëria egjiptiane dhe marshoi drejt tokës së premtuar. Pikërisht “Pashka” e gjen rrënjën e vetë në fjalën aramaishte “pasha” apo hebraishte “pesah”, ku më e mundshme është e para. Kjo fjalë shpreh në mënyrë metaforike këtë kalim të popullit të Izraelit nga robëria egjiptiane drejt tokës së premtuar (Eksodi 12:13,23,27), por njëkohësisht shpreh dhe ceremoninë teleturgjikale me këngë dhe lutje rreth flijimit (III Mbretërit 18:21,26).

    Kjo festohej gjithmonë në mbrëmje, më 14 të muajit Abib ose Nisan (Eksodi 12:14, Levitiku 23:5). Festimi i Pashkës judaike kremtohej nëpërmjet një simbolike të trefishtë: Flijimi i qengjit, më 14 ose 15 të muajit Nisan; ngrënia e bukës pa maja, sepse nuk kishin mundësi të merrnin maja apo brumë të ardhur, kur u nisën nga Egjipti; si dhe ngrënia e barishteve të hidhura, duke kujtuar në këtë mënyrë hidhërimet që kishin kaluar në tokën e Egjiptit.

    Pashka është një festë që vazhdon të festohet nga të krishterët, por që nuk i referohet kalimit të popullit izraelit nga robëria egjiptiane në tokën e premtuar. Për të krishterët Pashkë është momenti i kalimit nga vdekja në jetë dhe ky moment lidhet me personin e Jisu Krishtit, i cili ndryshoi rrënjësisht historinë njerëzore. Pashka e krishterë lidhet me Krishtin, i cili “u ngjall së vdekurish, me vdekje, vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali” - psalet në përlëshoren e Ngjalljes. Gjatë shekullit II-III lindi problemi i festimit të Pashkës, pasi një pjesë e kishave të Azisë së Vogël e festonin më 14 të muajit Nisan, pavarësisht nga dita e javës. Ndërsa një pjesë tjetër e kishave e festonte Pashkën të Dielën e parë pas Ekuinoksit pranveror.

    Në Sinodin e I-rë Ekumenik (325, në Nikea të Azisë së Vogël) u vendos që Pashka të festohej të Dielën e parë pas Ekuinoksit pranveror, që bie nga 22 Marsi – 25 Prill, sipas kalendarit Julian (për nder të emrit Perandorit romak Jul Çezarit, fillimet rreth vitit 44 para Krishtit). Por futja e kalendarit të ri, Gregorian (për nder të papa Grigorit të Romës, fillimet në vitin 1582 pas Krishtit) bën që koha e festimit të Pashkës të shkojë nga 3 Prilli – 8 Maj, për shkak të një diference 13 ditësh midis tyre. Duhet thënë se të krishterët orthodhoksë asnjëherë nuk e festojnë Pashkën e tyre para ose të njëjtën ditë me Pashkën Judaike. Gjithashtu duhet thënë se kishat orthodhokse ecin një pjesë me kalendarin Gregorian, ku një prej tyre është dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe një pjesë me kalendarin Julian, e megjithatë të gjitha kishat orthodhokse e festojnë Pashkën në të njëjtën ditë, por në data kalendarike fetare të ndryshme.

    Pashka për të krishterët do të thotë kalimi nga vdekja në jetë, festë kjo që lidhet me shumë ngjarje të rëndësishme, ku më thelbësore janë Kryqëzimi, Vdekja dhe Ngjallja e Zotit Jisu Krisht. Janë këto ngjarje, të cilat janë të ngarkuara me një ngarkesë emocionale, pasi përballen mohimi, mëkatësia dhe kundërvënia e qenies njerëzore me dashurinë, faljen dhe sakrificën e Krishtit. Duke pasur këto ngarkesa emocionale duhet që besimtarët të jenë përgatitur shpirtërisht, për të kuptuar dhe përjetuar këto ngjarje. Ky është një nga qëllimet që besimtarët orthodhoksë të kreshmojnë plot 7 javë para Pashkës. Kreshmimi është nga njëra anë heqja dorë nga konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij, qumështit dhe nënprodukteve të tij, vezës dhe peshkut dhe nga ana tjetër lutje më të gjata, një reflektim dhe një dedikim më të madh ndaj Zotit.

    Mënjanimi i përkohshëm nga produktet ushqimore që përmendëm më sipër nuk konsiderohet si një përbuzje ndaj këtyre produkteve, pasi ato janë të mira të dhuruara nga Perëndia dhe për besimtarët orthodhoksë asgjë nuk është e papastër. Por ky veprim bëhet që besimtarët të ushtrojnë vetveten e tyre, të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen për urinë që kanë të uriturit e kësaj bote, të kuptojnë vuajtjet e të vuajturve të kësaj bote. Gjithashtu me anë të kreshmimit t’i lënë më shumë hapësirë përkujdesjes dhe angazhimit shpirtëror. Besimtarët, duke kreshmuar dhe lutur më shumë gjatë kësaj periudhe, përpiqen të rregullojnë balancën midis angazhimit trupor dhe atij shpirtëror, pasi vetëm në këtë mënyrë do arrijnë të kuptojnë ngjarjet e rëndësishme të Pashkës, ngjarje të cilat shtrihen si në botën shpirtërore edhe në atë materiale.

    Kreshma e Pashkës nuk është vënë asnjëherë në diskutim, pavarësisht se në fillim të shekullit të III-të filloi të mbahej gjatë gjithë javës para Pashkës në një pjesë të kishave të krishtera dhe nga shekulli IV-ët zbatohej nga të gjitha kishat. Më pas Kreshmës një javore iu shtuan plot dhe gjashtë javë të tjera dhe arsyet ishin: Parapërgatitja më e madhe për katikumenët, ata që do pagëzoheshin ditën e Pashkës dhe një “ripajtim” i besimtarëve me Kishën, pasi shpesh shikohej një lloj ftohje në marrëdhëniet e tyre me Perëndinë. Megjithë shtimin e gjashtë javëve kreshmë, Java e Madhe, pra java para Pashkës nuk e humbi ritmin dhe rolin e saj parapërgatitor. Në fakt ajo fillon 8 ditë para Pashkës nga mbrëmja e dielës paraardhëse, nga e Diela e Dafinave ose Palmave ku kremtohet Hyrja e Zotit Jisu Krisht në Jerusalem. Java e Madhe e arrin kulmin në tre ditët para Pashkës sepse në ato ditë kremtojmë ngjarjet më prekëse, ngjarje ku hidhërimi dhe gëzimi, frika dhe guximi, mëkati dhe shenjtëria, errësira dhe drita, vdekja dhe jeta ndeshen midis tyre në fund të fundit triumfon Ngjallja që përmban brenda saj gëzimin, shenjtërinë, dritën dhe jetën.

    Emri:  krishti_u_ngjall.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  29.3 KB

    Në këto ditë Kisha me anë të lutjeve, psaljes së tropareve, leximeve nga Shkrimi i Shenjtë, veprimeve simbolike kuptimplotë, litania dhe nderimi i Kryqit dhe Epitafit të Zotin Jisu Krisht, na fut në një botë tjetër në një botë, e cila i kapërcen kufijtë e saj. Në këto ditë do na vijnë në mendje dhe do na jepet më shumë mundësia për të kuptuar Darkën e fundit, Darkën mistike, që Jisu Krishti ndau me apostujt e vet, që kremtohet të Enjten në mëngjes, arrestimin, gjykimin, kryqëzimin të Enjten në mbrëmje, varrosjen në varr të Premten në mbrëmje, zbritjen në Hadh dhe mbi të gjitha Ngjalljen e Tij në mesnatë midis së Shtunës dhe së Dielës.

    Duke qenë se Pashka për të krishterët orthodhoksë do të thotë kalim nga vdekja në jetë është e lidhur me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht. Kështu që Ngjallja e Jisu Krishtit është ngjarja qendrore e jetës shpirtërore të Kishës Orthodhokse. Ky qëndrim vjen nga fakti se mëkati për teologjinë dhe besimtarët orthodhoksë nuk është një thyerje rregulli apo ofendim ndaj Perëndisë, por një tronditje e marrëdhënies së njeriut me Perëndinë, është një errësim i “imazhit” (“ikonës”) e me pasojë vdekjen e njeriut.

    Këto elementë na tregojnë se mëkati kishte pasoja ontologjike dhe jo thjesht morale apo ligjore te njeriu, prandaj dhe çlirimi i njeriut nga kjo situatë mund të ndodhte me anë të një veprimi po aq ontologjik siç është Ngjallja. Gëzimi dhe hareja, që ofron Ngjallja e Krishtit, dhe që besimtarët e përjetojnë duke marrë pjesë në lutjet dhe jetën adhuruese të Kishës, zbukurohet dhe me respektimin e disa traditave të cilat u formuan me përjetimin për një kohë të gjatë.

    Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën, në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e ditës së Pashkës dhe më tepër çukitja e vezëve. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, që në momentin që shpërthen del në dritë. Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin dhe në rastin konkret simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Kështu lëvozhga e vezës simbolizon varrin e Krishtit, që u hap dhe dha jetë. Po për vezën e kuqe ekziston dhe një gojëdhënë e Kishës: Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.
    Atmosferën e Pashkës besimtarët e shprehin, duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shpreh më shumë frymën e periudhës së Pashkës është përshëndetja “Krishtit u ngjall” dhe si përgjigje jepet “Vërtet u ngjall”.

    KOASH
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 04-05-2024 më 20:02

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri

    “Mposhtja e hidhërimeve me fuqinë e Ngjalljes”, Anastas Janullatos për Pashkën: Mesazhi i Krishtit kumbon në mes të melankolisë së luftës në Gaza, Ukrainë dhe vende të tjera

    Emri:  68793eda-b897-4c55-b52b-9a18dbc94732.jpg

Shikime: 18

Madhësia:  36.7 KB

    Me rastin e festës së Pashkës ortodokse, kryepeshkopi Anastas Janullatos, lëshoi një mesazh për besimtarët, duke theksuar se mesazhi i Krishtit ende kumbon në mes të errësirës dhe melankolisë të shkaktuara nga ngjarjet e dhimbshme Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës.

    Janullatos thotë se ky mesazh kumbon edhe për realitetin në vendin tonë, shpesh i munduar nga mërzitë, përçarjet dhe armiqësitë.

    Reagimi i plotë:

    Himni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

    Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10).

    Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti.

    Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur. Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj.

    Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2). Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

    Balkanweb
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-05-2024 më 14:04

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri


  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri

    Predikimi i Pashkës nga Shën Joan Gojarti

    Shën Joan Gojarti, Kryepeshkopi i Konstandinopojës

    Ai që është besimtar i devotshëm dhe e do Perëndinë, le të gëzojë në këtë panair dhe festë vezulluese e triumfale. Ai që është shërbëtor i urtë, le të hyjë gëzueshëm në gëzimin e Zotit të tij. Ai që është munduar për një kohë të gjatë duke kreshmuar, le ta marri tani shpërblimin. Ai që na vjen që nga ora e parë, le të marrë shpërblimin e tij. Ai që ka ardhur që nga ora e tretë, le ta mbajë kreshmën me mirënjohje. Ai që ka ardhur në orën e gjashtë, mos të mërzitet se nuk ka për të ngelur aspak pa gjë. Ai që vonohet deri në orën e nëntë, le të afrohet pa pasur aspak frikë. Ai që ka ngelur mbrapa deri në orën e njëmbëdhjetë, dhe ai, po ashtu, le të mos alarmohet nga vonesa e tij; se Zoti, i cili është xheloz për nderin e tij, do të pranojë edhe të fundit ashtu siç priti të parin; ai i jep prehje tek vetja e tij atij që vjen në orën e njëmbëdhjetë, ashtu siç i dha atij që erdhi që në orën e parë.

    Dhe ai tregon mëshirë për të fundin, dhe kujdeset për të parin; njerit i jep, dhe tjetrit i dhuron dhurata. Dhe ai pranon veprat e të dyve, dhe mirëpret qëllimin, dhe nderon aktin dhe lavdëron dhurimin. Prandaj, hyni të gjithë në gëzimin e Zotit, dhe merrni shpërblimin tuaj, si ti i pari, po ashtu dhe ti i dyti. Ti i pasur dhe ti i varfër së bashku të bëni një festival të madh. Ti i kujdesshëm dhe ti i shkujdesur, nderojeni këtë ditë. Gëzoni sot, si ju që keni mbajtur kreshmë edhe ju që nuk keni mbajtur fare kreshmë. Tryeza është shtruar plot, gëzoni të gjithë mes gjithë të mirave. Kau është dhjamur, askush të mos iki prej këtej i urritur.

    Gëzoni të gjithë festën e besimit: Merrni të gjithë thesaret e mirësisë. Askush të mos qahet për varfërinë e tij se mbretëria universale na u shfaq. Askush të mos qajë për paudhësitë e veta, se falja na erdhi nga varri. Askush të mos e ketë frikë vdekjen, se vdekja e Shpëtimtarit na çliroi. Ai që u burgos nga vdekja, Ai e shkatërroi vdekjen. Duke zbritur në Ferr, Ai e mbërtheu Ferrin. Ai e hidhëroi Ferrin kur ky shijoi trupin e Tij. Dhe Isaia, duke e parashikur këtë, thirri me të madhe: Ferri, tha ai, u hidhërua kur të hasi Ty në rajonet e ulëta. U hidhërua se mori fund. U hidhërua sepse u tallën me të. U hidhërua sepse u vra. U hidhërua sepse u rrëzua. U hidhërua sepse e lidhën me zinxhirë. Mori një trup njeriu, dhe e takoi Zotin ballë për ballë. Mori baltë dhe takoi Qiellin. Mori ate që shihej dhe ra mbi atë që nuk shihet me sy.

    O Vdekje, ku është gjembi yt? O Ferr, ku është fitoria jote? Krishti u ngjall dhe ju u rrëzuat. Krishti u ngjall dhe demonët u rrëzuan. Krishti u ngjall dhe engjëjt gëzojnë. Krishti u ngjall dhe jeta mbretëron. Krishti u ngjall dhe as edhe një i vdekur nuk mbeti në varr. Se Krishti, duke u ngjallur së vdekuri, u bë fruti i parë i atyre që kanë fjetur. Atij i takon lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.

    Predikimi Katekizmik i Shën Joan Gojartit lexohet gjatë Mëngjesores së Pashkës.

  5. #5

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri

    KRISHTI U NGJALL!
    VËRTETË U NGJALL!

    Për shumë vjet e gëzuar!
    Mësoi të tjerët me jetën tënde dhe jo me fjalët e tua

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,717
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri


  7. #7
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,526

    Për: Besimtarët orthodhoksë festojnë Pashkën, ngjalljen e Krishtit nga varri

    Emri:  21.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  61.3 KB
    Emri:  22.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  16.8 KB
    Emri:  23.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  55.2 KB

Tema të Ngjashme

  1. Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin
    Nga Albo në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 10-04-2024, 15:21
  2. Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën
    Nga Albo në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 31-03-2024, 22:42
  3. 6 janar 2024 - Besimtarët orthodhoksë festojnë Ujin e Bekuar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 07-01-2024, 00:10
  4. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 06-01-2022, 13:18
  5. Si i festojne Pashket besimtaret Ortodokse
    Nga Matrix në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 29-03-2010, 17:57

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •