Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,832
    Postimet në Bllog
    18

    Përgjimet e telefonave tregojnë se Policia e Ramës në shërbim të grupeve mafioze të vendit

    Shefat me SKY ECC/ Si u shndërruan policët në ushtarë të Krimit!

    Emri:  shefat-e-policise-me-sky-2048x1152.jpg

Shikime: 41

Madhësia:  50.2 KB

    Me mesazhet e përftuara nga aplikacioni SKY ECC krijohet një hartë për gjeografinë e krimit në Shqipëri, madje mund të përcaktohen edhe zonat ku forca e krimit i mbivendoset vullnetit të Policisë së Shtetit. Sepse në jo pak raste, mesazhet e SKY tregojnë llumin ku është zhytur policia shqiptare sot.

    Në mesazhet e SKY ECC nuk flitet për ryshfetin e zakonshëm me pak lekë të policëve të qarkullimit, as për ndonjë shkelje të rëndomtë ku polici i thjeshtë bën një sy qorr e një vesh shurdh për një grusht me para. Në to bisedohet për organizimin e vrasjeve nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, ku shefat e policisë japin një ndihmë duke dhënë informacione sekrete. Flitet për parcela me kanabis, ku shefat e policisë qëndrojnë si mburojë dhe shqetësohen bashkë me trafikantët se po policë të tjerë po vijnë dhe po ua shkatërrojnë. Flitet në këto mesazhe edhe për kazino të fshehta apo për informacione sekrete që i vihen në dispozicion njërës bandë në dëm të bandës tjetër.

    Implikimi i uniformave blu në krim është alarmant. Mesazhet në SKY ECC tregojnë se tradhtia vjen nga kupola drejtuese, njerëz që i japin policisë fytyrën e një bishe që ka dalë jashtë kontrollit.

    Klodian Shahini, bashkëpuntor në shpërthimin shkatërrues në Tiranë

    Emri:  shperhtimi-tirane-scaled.jpg

Shikime: 35

Madhësia:  44.1 KB

    Shpërthimi i makinës tip Benz në urën tek Nisharaku në Tiranë katër vite më parë nuk është i vështirë të sillet ndërmend. Sepse ndodhi në pikun e lëvizjes së kalimtarëve dhe makinave në këtë zonë, përgjatë një pasditeje të ngrohtë shtatori, që ruhet ende e freskët në kujtesën e banorëve të zonës.

    Emri:  xfgffgh.png

Shikime: 38

Madhësia:  531.5 KB

    Pamjet e një njeriu që gulçonte nga dhimbjet brenda gjysëm-makinës të shkatërruar morën brenda pak sekondash vëmëndjen e opinionit. Emri i burrit që i mbijetoi atentatit ishte Preng Gjinit, një 50-vjeçar nga Mirdita, që tërhiqte pas vetes zinxhirin e hakmarrjes me fisin Reçi.

    Menjëherë u rihapën arkivat e vrasjeve mes dy fiseve të Mirditës për ta shpjeguar atentatin me përmasat e një akti terrorist. Intuita e gazetarëve nuk ishte e gabuar. Përgjimet e SKY ECC në dosjen që disponon Lapsi.al konfirmojnë pikërisht atë që raportuan edhe gazetarët asokohe, që shpërthimi ishte ndëshkim për të vrarët në anën e fisit Reçi, më konkretisht organizimi i atentatit ishte kryer nga Elson Reçi që bazuar në mesazhet e SKY ECC, u hidhërua tej mase kur Preng Gjini i mbijetoi dy kallëpeve me tritol që i shpërthyen nën kroskotin e makinës.

    Por ajo që nuk dihej në atë kohë ishte se Elson Reçi kishte edhe njeriun e tij në polici që e ndihmoi për të kryer atentatin. Klodian Shahini, në atë kohë ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Ai është vetëm një nga policët e zbuluar në përgjimet e SKY ECC, që veshi uniformën blu thjesht si kamuflim, sepse në të vërtetë qëndroi në shërbim të krimit.

    Nga dosja e SPAK, që Lapsi.al e ka lexuar thuhet se Klodian Shahini ishte kushëri me organizatorin e atentatit, Elson Reçin.

    “I kam bo llogaritë e mia. Do sakrifikoj vetë për pjesën tjetër të familjes. Unë e kam vendin brenda katër mureve” shkruan Elson Reçi në SKY ECC në një moment sinqeriteti, duke pranuar fatin e tij si ushqim për gjakmarrjen me fisin tjetër të Mirditës. Dhe në këtë mision, kushëririn e tij Klodian Shahini e ka në krah.

    Në dosjen e SPAK janë disa momente kur shefi i policisë së Lezhës, Klodian Shahini përdor sistemet e Policisë së Shtetit për të verifikuar mjetet që i duhen Elson Reçit. Ai kontrollon vazhdimisht makinat me të cilat lëviz objektivi i tij dhe përdor SKY ECC për të komunikuar me Klodian Shahinin. Në disa raste, thuhet në dosje, ai thjesht dërgonte foton e një makine dhe Klodian Shahini e verifikonte pa pasur nevojë t’i thoshte asnjë fjalë, por i dërgonte të dhënat e makinës.

    Ishte kjo mënyra me të cilën Preng Gjini u lokalizua. Kështu u gjetën mjetet me të cilat ai lëvizte për t’i vendosur më pas tritolin që shpërtheu tek ura e Nisharakut në Tiranë.

    Bashkëpunimi për atentatin ndaj Gjinit ishte vetëm një anë e medaljes. Puna kryesore e Klodian Shahinit ishte të manipulonte të dhënat për parcelat me kanabis, megjithëse ai drejtonte Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Lezhë.

    “Elsoni shërben si ndërmjetës i Klodian Shahinit me personat që kultivojnë lëndë narkotike për të dhënë informacione në rast se policia organizon operacione për gjetjen dhe prishjen e parcelave apo edhe për t’i dhënë mbrotje atyre në zonë” thuhet në dosjen e SPAK.

    Ky rol ilustrohet me disa biseda ku bie në sy se Klodian Shahini i bindet plotësisht grupeve kriminale, madje në valle fut edhe shefin e tij, Henerigert Mitri, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Policisë Lezhë. Së bashku bien dakort të fshehin filmimet me dron mbi parcelat me kanabis apo të njoftojnë kultivuesit e kanabisit për itinerarin e helikopterit të Guardia di Finanza, gjithnjë duke i servirur informacione mbi targat e mjeteve dhe hyrje-daljet në TIMS për shënjestrat e bandave.

    Ushtari i Pëllumb Gjokës, Drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri

    Emri:  Henerigert-Mitri-scaled.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  34.9 KB
    Henerigert Mitaj, ish drejtor i policise se Lezhes

    Biznesmeni Pëllumb Gjoka që është arrestuar gjatë aksionit të parë të SPAK në bazë të përgjimeve të SKY ECC rikthehet në skenë edhe në dosjen e dytë falë aftësive të tij për të rekrutuar policët në punët e tij. I tillë është rasti i Drejtori i Lezhës, Henerigert Mitri. Ky i fundit nuk i ka rezistuar ofertës për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh në lidhje me një kazino të vogël, me rreth 20 kompjutera që Pëllumb Gjoka e kishte përshtatur në Lezhë.

    Por kur një oficer i Drejtorisë Hetimore, i quajtur Gentian Ndoji i futet në kazino, arreston menaxherin dhe sekuestron kompjuterat, për Henerigert Mitrin, që kishte dalë garant mbi ecurinë e biznesit, dalin probleme.

    “Drejtor tjetri” habitet Oltion Bistri ish-shef i operacionales, kur e njoftojnë çfarë kishte ndodhur me biznesin fitimprurës të Pëllumb Gjokës në Lezhë. Vetë Bistri ishte garant për kazino të tjera të Gjokës dhe para se të merrte përsipër një punë, gjithnjë konsultohej paraprakisht me shefat e tij.

    “Pajisjet janë kapur dhe “Gerti” nuk duhet t’i kishte dhënë siguri Pëllumbit në zhvillimin e këtij aktiviteti nëse nuk ka pasur dakortësinë e eprorëve” shkruhet në dosjen e SPAK, një përmbledhje e këshillave që jep Oltion Bistri.

    Henerigert Mitri përveç të tjerash përshkruhet në mesazhet e SKY ECC edhe si “I madhi” falë rolit që kishte ai si drejtues i policisë së Lezhës. Sigurisht që garancia për vetëm një kazino ishte shumë pak për një drejtor.

    Mitri ka bërë çmos bashkë me Klodian Shahinin, drejtorin e antitrafiqeve në Lezhë për të shpëtuar parcelat me kanabis. Por megjithë përpjekjet që bëjnë për të shmangur kontrollet në zonat e mbjella me kanabis, në fund duket se Henerigert Mitri dështon dhe nuk arrin të sigurojë punët që ka marrë përsipër pasi policët “nga Tirana” vinin dhe u prishnin punë.

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg” dhe e akuzon për “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.

    Ushtari i Durim Bamit, efektivi i RENEA-s Altin Morina

    Emri:  640-0-1678870028xefektibi-624.jpg

Shikime: 38

Madhësia:  49.1 KB

    Gati një vit më parë, Altin Morinën me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA e kapën në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me një mjet luksi. Brenda në makinë iu gjetën 113 mijë euro, që efektivi i RENEA-s e kishte të vështirë t’i justifikonte.

    Lajmi kaloi tangent në media dhe teoritë konspirative për lëvizjet e 43-vjeçarët nuk ngjitën shumë, për t’u harruar brenda pak ditës. Por në dosjen e SPAK për mesazhet e SKY ECC, Altin Morina rikthehet si ushtar i vrasësit me pagesë, Durim Bami.

    Në kapitullin ku pasqyrohen komunikimet e Durim Bamit me Endrit Doklen dhe Xhelal Rrajën, del edhe emri i Altin Morinës.

    Fillimisht ai është i shqetësuar për mikun e tij Durim Bami, të cilit i thotë se i ka shkruar 100 herë, por nuk ka marrë përgjigje. Më pas, të dy bisedojnë për lëvizjet e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Tiranë, Arben Ndoka.

    Morina duket i gatshëm të ndihmojë me ç’të mundet, informacion, ndërhyrje dhe këshilla të veprimeve që ai i njeh mirë, si për shembull metodat për t’iu ruajtur përgjimeve ambjentale të policisë. Disa herë ai e këshillon Durim Bamin të ruhet dhe të urdhërojë njerëzit e tij të mos flasin shumë sepse me gjasë janë në përgjim. Ai është i gatshëm të krijojë kontakte me shefin e komisariatit nr.2 në Tiranë, që prokurorët e SPAK kujdesen të përcaktojnë se ka qenë në detyrë gjatë kohës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

    Ish-shefi i Krimeve Ardit Hasanbegaj, ushtar i Pëllumb Gjokës

    Emri:  0858a77363ca62cbbb49d3f4dfe9696d_XL.jpg

Shikime: 37

Madhësia:  33.1 KB

    Shefi i krimeve në Shkodër, Ardit Hasanbegaj ka qenë një nga personat e rekrutuar nga Pëllumb Gjoka dhe që është zbuluar nga mesazhet e dosjes “Metamorfoza 1” Pas vrasjes së Gjin Boriçit në 9 Gusht 2020, Gjoka e urdhëron shefin e krimeve të mos merret me zbulimin e vrasjes, ndërsa i kërkon informacion për një nga shënjestrat e tij, pjesë e grupeve kundërshtare, Dorian Dulin.

    Lexoni më poshtë se çfarë shkruhet në dosjen “Metamorfoza 1”

    “Në orën 14.49 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardit Hasanbegaj.

    Pëllumbi e pyet se, cfarë ishte ajo e mbrëmshmja (vrasja e Gjin Ndoj).

    Ardriti i përgjigjet që, nuk e di, paska qenë me hasmëri, për punën e një vëllait, plus paska qenë kollarexhi.

    Pëllumbi e pyt që, si duket si dorë?

    Ardriti i përgjigjet që, ka punuar mirë kopili dhe si duket kanë qenë dy ose më shumë. Të vështirë do e kemi por besoj do të nxjerrim dicka.

    Pellumbi i thotë që, lëreni në kollaren e vet.

    Në orën 17.09 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardrit Hasanbegaj dhe ky i fundit e pyet nëse, ky e njihte DD sepse vëllai i ktij ka takuar Dor Dulin.

    Pëllumbi i shprehet që, këta të vrasin dhe të vijn edhe me u pjek.

    Pëllumbi i shkruan Arditit nëse, ke info për Dorin më thuaj”

    Konfirmohet nga bisedat se ish-shefi i Krimeve të Shkodrës, Ardit Hasanbegaj i shërbeu bandës së Bajrave edhe për kërkimet e Ibrahim Licit, që ishte shënjestra e tyre kryesore në Shkodër. Madje familja Lici u vu në përgjim për komunikimin me Ibrahim Licin dhe informacionet e policisë kalonin direkt tek banda kundërshtare që kërkonte vrasjen e tij. Pasi biznesmeni Pëlumb Gjoka gjen numrin e celularit të Ibrahim Licit, ia kalon këtë shefit të krimeve që e vë në përgjim dhe i raporton:

    “Atij nuk i ka dalë asnjëherë në valë antenna, vetë aty në shtëpi dhe është i vëllai se e njeh në zë ai lart (operatori i përgjimit), i njeh si shtëpi, ua njeh zërat.

    Arditi në vazhdimësi i tregon Pëllumbit që “Dori ka qenë në Tiranë dje, më tha ai shoku, ka takuar një zyrtar. Jo në “pol”, por nuk e ka thënë si emër, një zyrtar se i ka kërkuar takim, më tha shoku. Pëllumbi shprehet që “do ketë takuar ndonjë nga lsi”.

    Oltion Bistri, ish shefi i policisë, ushtar i Pëllumb Gjokës

    Emri:  oltion-bistri.jpg

Shikime: 40

Madhësia:  29.6 KB

    Oltion Bistri është ndër oficerët më të lartë të goditur nga Metamorfozat. Në momentin kur u arrestua, ai sapo ishte shkarkuar nga detyra si shef i Forcave Operacionale. Më herët kishte qenë drejtor policie në Lezhë, Durrës dhe shef i komisariatit nr.2 në Tiranë.

    Disa ditë më parë SPAK i sekuestroi miliona euro pasuri, mes të cilave 22 dyqane, 10 apartamente, një vilë, një sipërfaqe tokë truall dhe një garazh. Gjatë përgjimeve të SKY ECC, kuptohej se Bistri kishte dalë garant për kazinotë e Pëllumb Gjokës në Tiranë në këmbim të ryshfetit.

    “Më datë 25.11.2019 ora 03.17 shtetasi Pellumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DB7ED1 i identifikuar si Oltian Bistri. Ky i fundit i shkruan, ai tek xhevo kishte thène, ka 25 kompjutera dhe nje ruletë. Ju kish thene do e filmoj tjua sjell edhe dua I miljon lek për informacionin. E gjen dot cili eshte? Sma tha dr. Se ai ma tha para se te ikja, kish merak e para se te ikja ne Gjermani me takoj. Duhet kujdes pak se drejtori eshte trembur. I thash per njërin qe donte te fuste tre copè dhe kishte frike”, shkruhet në dosje për komunikimin mes Bistrit dhe Pëllumb Gjokës.

    Byroja Kombëtare e Hetimit, strukturë paralele me policinë e shtetit

    Emri:  1200-630-1671203601xaltin-dumani1-256.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  17.8 KB

    Zbardhja e komunikimeve me SKY ECC ka zbuluar se policia e shtetit është infektuar deri në nivelet më të larta në bashkëpunimin që ka me krimin. Nga mesazhet e SKY ECC kuptohet se nuk janë policët e thjeshtë ata që i shërbejnë krimit, por janë drejtuesit e policisë që shndërrohen në ushtarë të grupeve kriminale.

    Prandaj dhe në SPAK, duket se besimi tek policia është i ulët. Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pranoi disa javë më parë se ka çështje për të cilat e ka të pamundur të punojë me policinë, ndaj zgjedh të punojë vetëm me Byronë Kombëtare të Hetimit.

    “Janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në” u shpreh Dumani.

    Pavarësisht kësaj deklarate, rezultatet kanë qenë jo të kënaqshme. Operacionet e ekzekutimit të arrestimeve të dosjeve Metamorfoza 1 dhe 2 kanë qenë një dështim. Banditët kryesorë të episodeve kriminale janë larguar në kohë dhe nuk janë arrestuar.

    Lapsi.al

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    ATMAN (23-05-2024)

  3. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,832
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Përgjimet e telefonave tregojnë se Policia e Ramës në shërbim të grupeve mafioze të vendit

    Altin Dumani: Eshtë ulëritëse që drejtues të lartë të policisë bashkëpunojnë me krimin

    Emri:  duman.jpg

Shikime: 24

Madhësia:  34.2 KB

    Në raportin vjetor para deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka listuar të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të pandehur apo janë hetuar.

    Dumani u shpreh se janë kryer gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion: 5 magjistratë, 3 ish-gjyqtarë të shkallës së parë, një ish-gjyqtare i apelit dhe një ish-prokuror.

    “5 ish-kryetar bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie, dy kryetarë bashkie, një ish ministër Finance, një ish ministër Mbrojtje, një ish ministër Mjedisi, një ish ministër shëndetësisë, një ish-zv.ministër Shëndetësie, një ish kryeministër, një ish sekretar i ministrit të mjedisit, një ish sekretar i ministrisë së drejtësisë dhe një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë.

    Për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona me hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.

    Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim 12 persona të pandehur në cilësinë e ish zyrtarit të lartë me funksione: 5 ish-kryetarë bashkie, një ish gjyqtar, një ish ministër mjedisi, një ish ministër Finance, dy kryetarë bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie dhe një ish sekretar i ministrisë i ministrisë së Shëndetësisë.

    Janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion: Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish-nënkryetar bashkie. Janë në proces gjykimi 4 ish-magjistratë, është në hetim një ish magjistratë në gjykatë e lartë, janë dënuar nga gjykata dy ish magjistratë”, tha Dumani.

    Kreu i SPAK, Altin Dumani edhe pse tha se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është shumë e mirë, ngriti shqetësimin se ka punonjës të lartë të policisë së shtetit që bashkëpunojnë me krimin e organizuar.

    Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Dumani theksoi se vetë SPAK ka proceduar rreth 70 punonjës policie.

    “Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të punonjësve të policisë që janë të angazhuar ditë e natë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duhet ti diferencoj ata nga një pakicë e inkriminuar.

    Në shumë nga hetimet tona ka luajtur policia, por në3nvizoj se në shumë nga hetimet tona kemi evidnetur lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të policisë së shtetit.

    Korrupsioni në radhët e policisë është problematike.

    Janë proceduar nga ne rreth 70 punonjës policie. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë të lidhur me krimin. Është ulëritëse kur bën pjesë dhe bashkëpunon me krimin e organizuar”,- tha Dumani.

    Koha Jone

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    ATMAN (23-05-2024)

  5. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,832
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Përgjimet e telefonave tregojnë se Policia e Ramës në shërbim të grupeve mafioze të vendit

    Metamorfozat/ Përgjimet e SKY ECC nxjerrin fytyrën tjetër të Rilindjes

    Emri:  IMG_7244.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  34.9 KB

    Dosja e dytë e hartuar nga përgjimet e SKY ECC që Lapsi.al e disponon është një sagë tjetër banditësh, e denjë për serialet e Amerikës Latine ku vazhdimisht ka intrigë për porositë e vrasjeve, që e kanë zanafillën tek konfliktet e kumarit, hakmarrjet e mbartura, trafiku i drogës, sherret e çastit apo ndonjëherë tek një keqkuptim siç është vrasja e Gjin Ndojit. Aleancat funksionojnë sipas parimit “armiku i armikut tim është miku im” dhe grupe të fortësh nga Tirana bashkohen me të Vlorës, të Laçit lidhin kontrata me të Shkodrës, për t’u bashkuar në Durrës dhe për t’u ndarë sërish në Fushë-Krujë.

    Nga bisedat e zbardhura të SKY në dosjen e lexuar nga Lapsi.al zbulohet një ndërmarrje kolosale e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka që kërkon të vrasë me patjetër Durim Bamin, njeriun që e akuzon për vrasjen e të vëllait, Aleksandër Ndoka. Aty gjenden bisedat e Ervis Martinajt, në një përpjekje për t’u sqaruar me ish-ortakun e tij në kumar Leonard Duka. Janë bisedat e Emiljano Shullazi që angazhohet nga burgu të gjejë vrasësit e Durim Bamit. Janë vëllezërit e deputetëve të Partisë Socialiste, Armando Ndreca dhe Xhelal Rrja, që përdorin SKY ECC herë për drogë e herë për të ndihmuar në një vrasje, apo shefa policie që u binden kokave të krimit si ushtarë të rëndomtë.

    Por ajo që bie në sy mes emrave është që grupet kriminale të dosjeve “Metamorfoza” 1 dhe 2 janë shpesh të lidhur me pushtetin dhe marrin favore apo kanë një familjar të tyre në nivele të caktuara të qeverisjes. I marrim me radhë:

    Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka në Lezhë

    Emri:  rama-ndoka-840x440-1-840x440-1.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  30.5 KB

    Ish-deputet i Partisë Socialiste në Lezhë Arben Ndoka nuk arriti ta çojë deri në fund mandatin e deputetit, kur u përfshi në një sherr në parlament me ish-deputetin e PD, Gent Strazimiri. Shkak i konfliktit u bë denoncimi që ai kishte qenë i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali. Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit dhe më vonë u arrestua nga policia për çështjen e pronave në bregdetin e Lezhës gjatë aksionit “Volvo-4”. Në dhjetor 2017, vritet Aleksandër Ndoka vëllai i deputetit dhe që nga ajo kohë ish-deputeti u përfshi në një kërkim të ethshëm të porositësit të vrasjes së tij, gjë që e çoi në bashkëpunim me grupet më të rrezikshme kriminale në vend.

    Ndihmësi i Vangjush Dakos në Durrës, Astrit Avdyli

    Emri:  1627332547_astritavdyli.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  19.7 KB

    Atrit Avdyli është i njohur për komunikimin intensiv që kishte me Vangjush Dakon gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2017, për të të bërë presion mbi votuesit në Durrës dhe për të ndihmuar PS. Në bisedat me Vangjush Dakon, kuptohej që grupi i Avdylajve me ndikim në Shijak ishin angazhuar për të mbledhur vota për PS, por kërkonin edhe të impononin kandidatët e tyre në Shijak e më tej. Në përgjimet e publikuara nga media gjermane ‘Bild’, dëgjoheshin edhe emrat e ish-kryebashkiakut të Durrësit Dako, deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, kryebashkiakut të Shijakut Ardian Kokomani e kandidatëve për deputet e kryebashkiak, Ilir Ndraxhi e Elton Arbana që komunikonin me grupin Avdylaj.

    Pëgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryheshin për laboratorin e heroinës në Has, por nga përgjimet e SKY ECC kuptohet se shijakasi ofronte edhe shërbimin e vrasjeve me pagesë nëpërmjet nipit të tij Aldo Avdyli dhe shokut të tij Arben Mërkuri.

    Emiljano Shullazi, i forti që ndihmoi PS në fushatën e 2013 në Tiranë

    Emri:  61aa2e5ed289femiljano-shullazi-dhe-grupi-i-tij-i-cunave.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  31.3 KB

    Gjatë viteve kur Saimir Tahiri ishte Ministër i Brendshëm, Emiljano Shullazi ishte një ndër njerëzit e paprekshëm nga policia. Socialistët e kishin pasur me vete gjatë fushatës së vitit 2013 dhe në Tiranë ai bashkë me njerëzit e tij kishin punuar për të sjellë në pushtet Rilindjen.

    Shullazi u përmend disa herë nga ambasadorët amerikanë për lidhjet që kishte në nivelet e larta të policisë. Gjatë një bisede në Opinion, ish zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani kujtoi një ngjarje qe ka ndodhur ditën e zgjedhjeve, në datën 23 qershor, të 2013.

    “Atë ditë në darkë (23 Qershor 2013) kam lëviz duke kontrolluar shërbimet, se ishte një gjendje jo e mirë. Dhe është e vërtetë. E kam parë para njësisë bashkiake numër 6, Saimir Tahirin dhe Emiljano Shullazin. Sa u afrova unë, u larguan. Ishin para njësisë bashkiake numër 6, ishin bashkë. Saimir Tahiri ishte me kryetarin e njësisë nr.6, ky ishte aty afër”, deklaroi Breçani.

    Pas përfshirjes në vrasje dhe gjobëvënie, Emiljano Shullazi u arrestua dhe aktualisht është në burg. Por siç dëshmojnë përgjimet e SKY ECC ai u përfshi intensivisht në gjetjen e vrasësve për Durim Bamin, siç i kërkonte Arben Ndoka.

    Armando Ndreca, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Eduart Ndreca në Lezhë

    Emri:  armando-eduart-ndreca.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  29.8 KB

    Armando Ndreca është vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca. Ai është arrestuar bashkë me djalin e xhxhait, Elvisi Ndreca për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

    Armando Ndreca u arrestua edhe më 10 mars, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhës. Por Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës, ku u arrestuan 2 persona.

    Tashmë me zbardhjen e SKY ECC është konfirmuar përfshirja e vëllait të deputetit socialist në kultivim të kanabisit.

    Madje dy zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me vëllain dhe kushëririn e deputet Eduard Ndreca, Armando dhe Elvis Ndreca, duke i favorizuar në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, sipas dosjes që ka lexuar Lapsi.al

    Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja në Fushë-Krujë

    Emri:  1668521174_finalprojekt.00155818.Still002.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  44.8 KB

    Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja. Ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Xhelal Rraja akuzohet se ka marrë pjesë në organizimin e një atentati ndaj Arben Ndokës, së bashku me Durim Bamin dhe Indrit Doklen.

    Së fundmi, Xhelal Rraja u përfshi në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Xhelal Rraja u shpall në kërkim atëherë nga policia po nuk u arrestua asnjëherë.

    Pëllumb Gjoka, investitori strategjik nga “Metamorfoza 1” në Velipojë

    Emri:  dsvfdx.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  140.3 KB

    Në grupin e parë të të arrestuarve nga përgjimet e SKY ECC, prokuroria speciale urdhëroi arrestimin e Pëllumb Gjokës, që kishte porositur një vrasje në Tiranë, por që ishte shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria Rama. Opozita e kishte akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të Partisë Socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk nisi asnjëherë.

    Antarë të grupit të Bajrave që ndihmuan PS në zgjedhjet e 14 Majit në Shkodër

    Emri:  enver-bajri-ne-shkolle.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  27.6 KB

    Një nga grupet më të goditur nga përgjimet e SKY ECC janë Bajrat e Shkodrës. Ata qenë të përfshirë në disa vrasje, mes të cilave ajo që është zbardhur plotësisht është eleminimi i Gjin Ndojit si porosi e Ervis Martinit. Bajrat bashkëpunonin ngushtë me Pëllumb Gjokën, por në zgjedhjet e 14 Majit u zbulua angazhimi i tyre në ndihmë të Partisë Socialiste. Një prej njerëzve më me ndikim të grupit, Behar Brajoviq del edhe në grupin e dytë të përgjimeve kur flitet për vrasjet e porositura mes bandave.

    Lapsi

  6. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,832
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Përgjimet e telefonave tregojnë se Policia e Ramës në shërbim të grupeve mafioze të vendit

    Berisha: Ky regjim sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve

    Emri:  auto_302caa79-e69a-4418-8dd4-3b00d32ab7791716921361.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  22.9 KB

    Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës.

    Sipas tij, ‘ky regjim sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve’.

    Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

    Të dashur miq, ky regjim që ka shtrirë vellon e zezë të krimit në të gjitha skajet e këtij vendi me qeverisjen e tij.

    Ky regjim që ka shtrirë pushtetin e tij të drogës në të katër anët e vendit.

    Ky regjim që sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve, bandave të tjera.

    Ky regjim i pamëshirë sa vetë pamëshirësia u thotë shqiptarëve çdo ditë se në këtë vend, në këtë tokë ju nuk keni vend. Ju duhet t’ia mbathni sa më parë.

    Por a është Shqipëria një vend për t’u braktisur?

    Jo dhe jo. Shqipëria është një vend për të luftuar dhe vdekur 100 herë për të.

    Shqipëria është një vend që meriton çdo sakrificë.

    Shqipëria është një vend që meriton çdo përpjekje.

    Shqipëria është vend që meriton jetët tona.

    Shqipëria është vend që meriton gjithçka!

    Shqipëria nuk mund të dorëzohet barbarëve, nuk mund t’i dorëzohet hajdutëve, nuk mund t’i dorëzohet kriminelëve, nuk mund t’i dorëzohet vrasësve, qeveritarëve në pushtet.

    Miqtë e mi, të gjitha këto kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë një betim të çdo shqiptari për të marrë fatin e tij në dorë.

    Dhe për të marrë fatin e tij në dorë do të thotë t’i thotë vetes se jam shqiptar dhe se do marr Shqipërinë në duart e mia.

    Dhe se Shqipërinë nuk do ta lejoj kurrë të rrokulliset si as në kohën e pushtimeve të saj më të zeza.

    Ndaj dhe koha, ora e saj fton shqiptarët për sakrifica.

    Fton shqiptarët t’i rikthehen lajtmotivit kur ata kanë luftuar për liri.

    Kur ata kanë sakrifikuar për liri.

    Kur ata kanë hedhur mënjanë regjimet më të zeza, diktaturat më poshtëruese.

    Syri

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 05-05-2024, 14:24
  2. Kadri Veseli: Në shërbim të vendit tim
    Nga Gogi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 29-12-2022, 07:37
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-08-2022, 14:18
  4. Përgjimet telekomunikative, tani edhe nga Policia e Shtetit.
    Nga DI_ANA në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 10-05-2008, 10:54
  5. Pergjimet: Bie miti i Telefonave Celulare mbi pergjimet
    Nga news24 në forumin Lajme nga informatika
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-10-2006, 09:25

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •