Dy punonjës të UNMIK-ut u kapën nga policia kosovare pasi kishin kryer gërmime në kalanë e Novobërdës. Nuk është hera e parë që kryhen gërmime të paligjshme në territoret e monumenteve të kulturës
Për piratët e rrënojave nuk ka kohë më të përshtatshme. Kur të gjithë janë në ethe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pakkush e çon mendjen tek objektet e trashëgimisë kulturore, të cilat, së fundmi janë vënë në fokusin e gjurmuesve të thesarëve. Nuk janë aventurierë të thjeshtë, por njerëz nën petkun e “ndërkombëtarëve”. Vetëm pak ditë më parë, dy punëtorë të administratës së UNMIK-ut, një i huaj dhe një vendas janë kapur në flagrancë duke kërkuar për sende të arta në kalanë e Novobërdës. Me një detektor metali dhe një lopatë, kanë dalë në gjuetinë e arit, por pa sukses. U ndalën nga policia kosovare, ndërsa kanë lënë gjurmë ngado në territorin e kalasë së shek. XIV.
Rojtari i monumentit dhe i 1200 hektarëve përreth, Islam Vllasaliu, është shprehur për të përditshmen kosovare “Express” se ky është rasti i parë që nuk bie në gjurmë të piratëve (lajmin e ka mësuar nga mediat), pasi dy vjet më parë, ishte pikërisht ai që raportoi gërmimet që po bënin dy policë rumunë, edhe ata nën uniformën e UNMIK-ut. Islami tregon se derisa rumunët mbaruan procesin e kërkimit të sendeve me vlerë, i sekuestruan celularin dhe mjetin e identitetit, të cilat ia kthyen më vonë. Sipas “Express-it” deri tani nuk është njoftuar ndonjë masë ndaj policëve, ndërsa për rastin e fundit u informua edhe Shërbimi Policor i Kosovës, i cili mundësoi ndalimin e dy policëve. Sipas togerit Ismet Hashani, nga zyra për informim në rajonin e Gjilanit, rasti u raportua para disa ditësh. Hashani u shpreh për “Express” se gjatë ndalimit, personave iu sekuestrua një lopatë dhe një detektor. Mësohet se dy “unmikasit” nuk janë nën arrest, por nën hetim. I pyetur në lidhje me këtë rast, funksionari Rusell Geejk nga zyra e informacionit të UNMIK-ut, pranon se bëhet fjalë për një punonjës të këtij organizmi, por nuk mund të japë detaje, pasi me këtë çështje po merret policia.
Më shumë se një rast i veçuar, shqetësues është fenomeni që po ndodh me trashëgiminë kulturore të Kosovës. Thuhet se Ministria e Kulturës së Kosovës ka treguar vëmendje vetëm për objektet e shkatërruara gjatë marsit të vitit 2004, ndërsa janë lënë në harresë shumë monumente të tjera. Mungesa e kujdesit dhe e investimeve i ka kthyer monumentet në gërmadha, ndërsa objektet e trashëgimisë kulturore kanë marrë rrugët e Evropës. Rojtari i kalasë së Novobërdës thotë se gjatë kohës që ai ka punuar aty nuk mban mend që në kala të jenë kryer ndonjëherë investime, gjë që ka çuar në shkatërrimin e monumentit dhe kthimin e tij në një gërmadhë. I pyetur nga “Express” për këtë çështje, Baki Svirca, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, thotë se problemi kryesor është mosrespektimi i prioriteteve në fushën e trashëgimisë. “Faktori i dytë është politizimi i trashëgimisë, ndërsa faktori i tretë është mungesa e buxhetit”, - thotë Svirca, ndërsa shton se puna çalon edhe në mosrakordimin e punëve mes palëve, që janë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore. “Të gjitha këto dobësi i shfrytëzojnë hulumtuesit ilegalë. Edhe në Kosovë janë përhapur të ashtuquajturat “ethet e arit” dhe prandaj kemi kësi lloj dëmtimesh. Këto hulumtime janë vetëm një prej dëmtimeve, sepse edhe vizitat joformale të paautorizuara, të pakoordinuara, të pamenaxhuara, shkaktojnë dëmtime në trashëgimi”,- vazhdon Svirca. Sipas tij, në rastin konkret, në kalanë e Novobërdës ka shumë dëmtime, pasi ka shumë vizitorë, të cilët ngjiten nëpër mure, duke shkaktuar rrëzimin e gurëve.
Shekulli
Krijoni Kontakt