Asnjë projekt i rëndësishëm në zonat shqiptare
Asnjë promovim të projekteve grandioze nëpër komuna, asnjë projekt për themelim apo zgjerim të institucioneve nëpër komunat shqiptare dhe një pasivitet i theksuar ka qenë pasqyra e aktiviteteve të ministrave shqiptarë në kabinetin e Gruevskit
Para fushatës zgjedhore por edhe afateve të përcaktuara që nuk do të konsideroheshin si fushatë zgjedhore, ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e BDI-së nuk kanë realizuar asnjë projekt të madh që ka të bëjë shqiptarët. Kështu që është lënë pas dore edhe projekti i ngritjes së zonës së lirë ekonomike në Maqedoninë Perëndimore.
Partitë opozitare kanë drejtuar tone të ashpra kritike për neglizhencën dhe pasivitetin e skajshëm të ministrave shqiptarë për të realizuar projekte të mëdha, sidomos në këtë periudhë kur janë mundur të arrihen projekte dhe buxhete të caktuara edhe për zonat shqiptare. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka akuzuar ministrat shqiptarë por edhe partinë e koalicionit BDI për mos realizimin e asnjë projekti të rëndësishëm për shqiptarët. “Derisa në Maqedoninë Lindore harxhohen 55 milion euro investime për ato zona, në Maqedoninë Perëndimore asgjë nuk ndodhë. Shqiptarët ditë e më keq po varfërohen dhe po anashkalohen. Ky është një diskriminim i paparë që po ndodhë dhe pikërisht nga një parti që trumbetonte më shumë të drejta dhe që gëzon shumicën e elektoratit shqiptar”, ka theksuar nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi.
Nga ana tjetër, BDI ka hedhur poshtë akuzat e drejtuara nga opozita, duke shtuar se ata po realizojnë projekte konkrete. Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku ka theksuar se ministrat çdo ditë mund të shihen në opinion duke kryer projekte.
“Unë nuk e di, nga është kjo ide se ata nuk kanë punuar. Çka më shumë duhet, për të konfirmuar se ata kanë realizuar projekte konkrete, se sa shfaqja e tyre e rregullt në publik, duke konfirmuar gatishmërinë e tyre për punë. Ministrat Shqiptarë, punën e tyre, për projekte të qeverisë, e kanë shfaqur haptazi, nëpër media”, ka theksuar Duraku.
Sipas tij, ministri i Ekonomisë për shembull në çdo dy tre ditë ka qenë nëpër media, duke prezantuar punët e kryera, e njëjta vlen edhe për Bujar Osmanin, ministrin e shëndetësisë. E njëjta vlen edhe për Ministrin për punë dhe politikë sociale. Ky ka qenë reagimi dhe vlerësimi i dhënë nga ana e zëdhënësit të Qeverisë.
(INA)
Krijoni Kontakt