Filozofia, letërsia dhe kultura orientale kanë qene jo vetëm pjesë e formimit intelektual të Fan Nolit, por ato u përfshinë dhe në interesat shkencore dhe në veprimtarinë e tij letrare e studimore. Kjo natyrisht nuk qe një rastësi në jetën e Nolit. Ai lindi dhe u shkollua në një mjedis oriental, njohu dhe mësoi gjuhë të Lindjes si turqishten, hebraishten, arabishten dhe persishten, tregoi afinitet shpirtëror me sfera të botës orientale si poezia dhe filozofia. Për hir të së vërtetës, nga gjithë universi oriental, eruditi ynë i shquar e gjeti veten në poezinë dhe filozofinë persiane. Fryt i lidhjeve të tij të veçanta me këto janë siç dihet shqipërimi i Rubairave të Omar Khajamit dhe studimi i filozofisë dhe poezisë së Rilindjes persiane. Por puna e Nolit dhe interesimi i tij për vlerat universale të Orientit nuk u kufizua me kaq. Ai do të shkonte dhe më tej, kur do të njihej dhe do të studionte dhe fenë zotëruese të Orientit siç është Islami, në viset e së cilës ajo lindi dhe u bë një fe botërore. Do ta quaja veten me fat që, gjatë hulumtimeve të mia në arkivin e Fan Nolit në Bibliotekën e tij pranë Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, do të zbuloja skicën biografike “Muhameti”, të shkruar nga ai në janar të vitit 1938 dhe të pabotuar, me sa dimë, në gjallje të tij.
Ky studim i Nolit paraqet interes në radhë të parë për vëmendjen e posaçme dhe vlerësimin objektiv e dashamirës që tregon ndaj figurës së Profetit Muhamet. Edhe pse në pozitën e një kleriku të lartë të Kishës Ortodokse, kjo nuk e pengon, po përkundrazi, të japë gjykime të çmuara dhe të hedhë dritën e së vërtetës mbi personalitetin e tij të madhërishëm.
Në studimin “Muhameti” Noli do të përqendrohet më dy aspekte: në paraqitjen e disa elementëve bazë të jetës së Profetit dhe në mendimet dhe risinë që solli doktrina e tij fetare në shoqërinë njerëzore. Për këtë ai, siç e pohon edhe vetë, u mbështet kryesisht në burimet kryesore, te Kurani dhe Hadikaja, pra në të dhënat e gojëdhënat e shenjta të Islamit, të cilat i lexoi në arabisht. Sipas tij ekzistojnë mbi 7000 gojëdhëna, të mbledhura nga El Bohan, por një pjesë e tyre janë hedhur poshtë nga studiuesit si të dyshimta. Ai shpjegon se origjina e Kuranit është kryesisht gojore dhe përmbledhjen e parë të tyre e bënë pas vdekjes së Profetit Muhamet pasardhësit e tij, siç qenë Kalifi Aba Bakiri dhe Kalifi Omar. Por ky version u refuzua nga Kalifi Omajad Otman dhe me urdhër të tij ai u dogj dhe u hartua një version tjetër i revizionuar. Ndërkaq, pas 70 vjetëve të vdekjes së Profetit u hartua një përmbledhje e re, e cila përsëri u asgjësua nga kalifët Omajad, kundërshtarët më të egër të Muhametit. Ata e paraqitën figurën dhe predikimet e tij të shtrembëruara dhe të falsifikuara, në prizmin e interesave të dinastisë së Omajadeve. Por fatmirësisht kompiluesit e tyre i paraqitën të dhënat aq shtrembër dhe kontradiktore, sa studiuesit seriozë me të drejtë i hodhën poshtë. Në këto u mbështet Noli për të bërë një vlerësim e interpretim sa më objektiv të figurës së Muhametit.
Aspekti i parë i studimit të Nolit është paraqitja në vijat kryesore të jetës së Profetit. Ai rridhte nga fisi i Koroishëve, që ruante dhe mbikëqyrte arkën e Qabesë dhe tregun e Mekës, që konsiderohej Venecia e karvanëve arabe. Fisi i tij do të luftonte me Omajadet, një familje aristokrate kalifësh që kontrollonte Mekën, ku Muhameti u shfaq për herë të parë si profet i Islamit. Noli jep të dhënat bazë të biografisë së Profetit kur tregon se ai lindi në Mekë në vitin 570, se mbeti jetim në moshën 5 vjeç dhe se u rrit nga ungji i tij Abu Taleb. Punoi si përçues e shoqërues gamilesh, prona të vejushës së pasur Hadije, me të cilën u martua në moshën 25 vjeçare. Islamin, ai e themeloi fshehtazi në 610, kurse në 616 e shpalli veten Profet të fesë së re. Që në krye Muhameti u ndoq e u persekutua nga Abu Sofiani dhe tarafi i tij, aq sa për t’u shpëtuar kundërshtarëve u detyrua të mërgojë në qytetin rival të Jatribit, që më vonë mori emrin Medina, qyteti i Profetit. Nga kjo ngjarje nis fillimi i Hexhiries, Erës Muhamedane, pra kalendari i saj i njohur sot botërisht. Nga Medina, që u bë kryeqendra e tij, ai do të paralizonte gjithë tregtinë e Mekës, me sulme të guximshme mbi karvanët e saj deri sa i nënshtroi dhe i bindi të pranojnë Islamin. Kështu ai hyri në Mekë triumfalisht më 630 duke shkatërruar idhujt e perëndive kanibale të Arabisë dhe arriti t’i bindë arabët e egër të pranojnë adhurimin e të vetmit Allah të Madh, Perëndisë së Hirit dhe të Mëshirës. Në vitin 632, Muhameti mbylli sytë në moshën 62 vjeçare në Mekë.
Aspekti i dytë i studimit të Nolit ka të bëjë me paraqitjen në një vështrim të përgjithshëm të ideve themelore të fesë së Profetit Muhamet. Ai e konsideron Islamin si një fenomen madhor në jetën shpirtërore të njerëzimit, që lindi si një lëvizje shoqërore e klasave të ulëta. Sipas tij, fillimisht, ai paraqitet si një sekt çifut-kristian dhe se Dhiata e Vjetër dhe Re, u pranuan në Kuran si libra të shenjtë, ndërsa Jerusalemi shpallet qytet i shenjtë islam. Ndërsa jepte frymën e fundit, Profet, lutjen e mbrame do ta shqiptonte duke iu drejtuar Jerusalemit dhe jo Mekës. Gjithnjë sipas Nolit, edhe Maria dhe Jezusi përshkruhen në Kuran nga pozita ortodokse, me përjashtim të disa tipareve heretike, të cilat mund të shpjegohen si korigjime që u bënë më vonë, kur Islami u kthye në një fe krejt e pavarur. Eruditi ynë nënvizon me këtë rast pohimin e Muhametit në Kuran se “Ai që i bën keq një çifuti ose një të krishteri do të më ketë mua si paditës në Ditën e gjyqit të fundit”.
Në studim zënë vend reformat epokale që ndërmori Muhameti, të cilat Noli i vlerëson lartë. Të tilla ai konsideron karakterin monoteist të fesë islame, zhdukjen e idultarisë, heqjen e flijëve njerëzore dhe e vrasjes së fëmijëve, anulimin e feudeve gjinore dhe të kastave shoqërore në gjirin e Islamit apo ndalimin e pijeve alkoolike, kufizimin dhe rregullimin e poligamisë, zbatimin e reformave në të mirë të grave dhe të shtresave të ulëta, trajtimin njerëzor të skllevërve, vëllazërimin e njerëzve brenda Islamit pa dallim race dhe ngjyre. Të gjitha këto ishin hapa progresivë dhe shkallë të reja emancipimi, veçanërisht në vendet e Orientit.
Një vend të rëndësishëm ne mendimet dhe idealet e Muhametit zë mbrojtja që ai i bën gruas, si një qenie njerëzore që meriton respekt dhe admirim. Noli sjell si shembull figurën e Hadijes, gruas së parë të Muhametit, të cilën e quan si një nga gratë më fisnike që ka rrojtur mbi tokë. Ajo do të ishte dishepulla e parë e Muhametit, njeriu i tij më besnik, krah besnik në të gjitha luftërat që ai zhvilloi kundër armiqve të Islamit. Aq e vërtetë është kjo sa, sipas Nolit, edhe Kurani i Omajadeve i atribuon Muhametit fjalët e tij më të mira për Hadije kur thotë: “Zoti nuk mund të më jepte një grua më të mirë, kur unë isha i varfër, ajo më pranoi kur gjithë bota më pandehte si gënjeshtar e më përndiqte, ajo më besoi e më ngushëlloi në momente më të vështira”. Kurse Aishja, gruaja e dytë e Muhametit, thotë: “Duket sikur nuk ka pasur tjetër grua në botë veç Hadijes”.
Një problem tjetër që shtron Noli në studimin e tij është çështja e Haremit, aq e përfolur nga kundërshtarët e Islamit, një dukuri që lindi pas vdekjes së Hadijes. Noli sjell argumente në favor të Muhametit që e ndërmori këtë hap. Sipas tij, arabët, për shkak të klimës tepër të nxehtë, janë të dhënë pak a shumë pas epsheve dhe prej kësaj nuk mund të përjashtohej nga rregulli i përgjithshëm as Muhameti. Ai hedh poshtë akuzat e pabaza e trillimet e kundërshtarëve Omajade porsa i takon epsheve që i veshin Profetit. Ata i zmadhuan dobësitë e tij njerëzore për të përligjur teprimet e tyre dhe më vonë i ndërkallën në Kuranin e tyre për interesat e veta. “Omajadet, - shkruan Noli, - ishin të aftë për çdo gënjeshtër që u vinte për shtat”. Noli, nga ana tjetër, shpjegon drejtë shqetësimin që shkaktoi çështja e Haremit në opinionin e Perëndimit duke e lidhur me nocionin e epsheve. Është fakt historik që çdo martesë e Muhametit pas vdekjes së Hadijes shpjegohet si një akt i nevojës politike se gjithë gratë, me përjashtim të Aishes, ishin gra të veja të shokëve të vrarë në luftë. Këto qenë gra të moshës mesatare, çka në Arabi ka kuptimin gra shumë të moshuara, me që gratë në këto vise janë të pjekura që në moshë tepër të hershme të adoleshencës. “Pra, - konkludon Noli, - ai koleksion grash plaka ishte thjesht karikatura e një haremi, siç e kupton zakonisht Perëndimi. Në të vërtetë, - vazhdon ai, - haremi ishte një azil varfanjakesh për gra të veja e të moshuara. Hadija ishte e vetmja grua e re në këtë tufë plakash”. Nga kjo pikëpamje, Noli vihet në mbrojtje të figurës së Profetit Muhamet duke iu kundërvënë me argumente dhe logjikë shkencore shpifjeve të Omajadeve lidhur me raportet e tij me gratë. Ai i konsideron gënjeshtra dhe trillime të ulëta gjithë përbaltjen që ata bëjnë në drejtim të Profetit të Madh.
Në mbyllje të studimit të tij, Noli arrin në përfundimin se, duke e shpërndarë mjegullën e ngritur nga kundërshtarët dashakeq, figura e Profetit Muhamet na shfaqet jo vetëm më e hijshme e më madhështore, por dhe më historike. Sepse është krejt absurde që një figurë si ai, që e akuzojnë dhe anatemojnë heretikët e tij “mund të bëhej themeluesi i një feje botërore që bëri epokë”.
Ky është përcaktimi më i saktë dhe më dashamirës, gjykuar e përvijuar nga Fan Noli, i cili duke u ngritur mbi pozitën e një kleriku të lartë ortodoks, pohon dhe argumenton shkencërisht e ndershmërisht të vërtetën për figurën e Profetit Muhamet.
Nga Prof. Nasho Jorgaqi
http://www.revistamapo.com/index.php...226d56a435906b
Ketu eshte nje intervist qe eshte ber dikur me kete shkrimtar
http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=23455
Edhe ketu eshte nje artikull qe flet per punen shkrimtarit
http://www.shqiperia.com/kat/m/shfaq...shqiptare.html
Dine dikush te me tregoi ato shkrime e Nolit qe flet per Muhamedin apo Islamin, a jane te botuara dikund ?
Shpresoj qe nuk do ti fusin hunt injorantet edhe ne kete teme, e kame fjalen per ata injorant te cillve ju vjen orgasma duke nenqmuar dhe ofenduar.
Krijoni Kontakt