Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 14
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Urtësi Murgjërore

    Emri:  MonWisEnglg.gif

Shikime: 528

Madhësia:  32.2 KB

    Letrat e Jeronda Josif Hizikjastit


    Publikuar në vitin 1998 në anglisht nga:

    St. Anthony's Greek Orthodox Monastery
    4784 N. St Joseph's Way
    Florence, Arizona 85232
    U.S.A


    Porositni Librin Online (anglisht):
    http://www.stanthonysmonastery.org/c...w&ref=3MONAEP6




    Shënim i përkthyesit: Në postimet në vazhdim në këtë temë do të lexoni një përkthim të librit në fjalë nga anglishtja në gjuhën shqipe. Libri është një përmbledhje e letrave të shkruara nga dora e Jeronda Josif Hizikjastit që ishte një murg në Malin e Shenjtë, Greqi. Ai jetoi në Malin e Shenjtë në shekullin e XX dhe për shumë besimtarë që e njohën, ishte një shenjtor si në të gjallë edhe pas vdekjes. Kisha Orthodhokse ende nuk e njeh si të tillë. Këto letra u shkruan në gjuhën greke dhe janë përkthyer në disa gjuhë të botës, përfshi gjuhën angleze. Ky është një përkthimi i paautorizuar i librit, prej të cilit unë nuk kam asnjë lloj përfitimi personal. I kërkoj ndjesë Perëndisë për çdo gabim të bërë në përkthim, me dije apo pa vetëdije, pasi njohuritë e mia theologjike janë të kufizuara dhe terminologjia fetare theologjike e gjuhës shqipe është shume e pazhvilluar. Ato fjalë me një rëndësi të madhe theologjike, që nuk kanë një fjalë simotër në shqip, janë lënë të papërkthyera ashtu siç janë në origjinal. Këto janë fjalë që do të jenë shënuar me një simbol * nga pas, kuptimin e të cilave do të mund ta lexoni në seksionin e fundit të librit "Fjalori". Në javët e muajt në vazhdim do të mundohem të sjell përkthimet e letrave me rradhë. Qëllimi i vetëm i përkthyesit është ndarja e këtij thesari të madh shpirtëror edhe me besimtarët e krishterë shqiptarë. Përkthyer nga Ilirjan Papa dhe publikuar ekskluzivisht për ForumiShqiptar.com. Materiali nuk mund te blihet, shitet apo riprodhohet, por mund ti referoheni kësaj teme në Forumin Shqiptar.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-10-2014 më 16:27

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Manastiri i Shen Andonit

    Emri:  StAnthonys2.jpg

Shikime: 275

Madhësia:  16.6 KB



    Dedikim

    Ia dedikojmë këtë botim me përulësi të gjithë asketëve të ndriçuar më dritë hyjnore të Malit të Shenjtë të cilët na e kanë lënë ne këtë urtësi murgjërore të tyre si trashëgimi.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Emri:  elder_joseph_the_hesychast.jpg

Shikime: 308

Madhësia:  49.6 KB

    Jeronda Josif Hizikjasti


    "Valët e mendimeve mahnitin mendjen time; gjuha më mpihet e nuk mundem të flas, nuk i nxjerr dot fjalët nga goja siç duhet. Sifonet noetike shpërthejnë me rryma plot vesë, por ama në kohën tonë ka vetëm pak tokë. Pasuritë e Zotit janë të shumta, por për fat të keq ka vetëm pak trashëgimtarë. Që t'i trashëgosh këto pasuri nevojitet një përpjekje e përgjakshme, por këtu kemi vetëm dembelizëm. Kështu që unë jam i detyruar që t'i hap këto tuba për gjithë botën; Sepse kam shpresë se shpirtrat e pastërt do ta dëgjojnë fjalën time, dhe unë do të mund të marr shpërblimin e dashurisë. Kështu që më dëgjoni fjalët e mia, vëmani veshin..."
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-08-2014 më 00:34

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Parathënie

    Siç më vjen ndër mend, unë isha vetëm 19 vjeç kur mora udhën që më solli në Kopshtin e Theotokos*, në Malin e Shenjtë*. Udhën që më solli në jetën murgjërore ma tregoi nëna ime filomurgjërore që tani njihet si Murgesha Theofana, me kujtim të bekuar.

    Gjatë viteve të para të vuajtjeve në kohën e pushtimit gjerman, m'u desh që ta lija shkollën e mesme dhe të zija punë, dhe po në atë kohë na erdhi një hieromurg* nga Mali i Shenjtë i cili u bë prifti i grigjës sonë, një prej dy grigjave që ndiqnin kalendarin e vjetër në Vollos të Greqisë. Ai ishte dishepulli* i një plaku që njihej si Jeronda Josif Hizikjasti*, i cili u bë për mua at shpirtëror. Ky hieromurg nga Mali i Shenjtë u bë për mua në atë periudhë një këshilltar i çmuar dhe ndihmës në udhëtimin tim shpirtëror. Teksa dëgjoja shumë nga historitë e tij nga Mali i Shenjtë dhe merrja këshillat e tij shpirtërore, menjëherë e ndjeva se zemra ime po më largohej nga bota dhe po mbërthehej nga Mali i Shenjë. Sidomos kur më fliste për jetën e Jeronda Josifit, digjesha nga dëshira e zjarrtë se kur do të vinte ajo ditë që do të mund ta takoja.

    Kur erdhi ora që ta takoja - 26 shtator 1947 - një varkë e vogël na solli ngadalë një mëngjes nga bota në Malin e Shenjtë, dhe mu duk sikur vinim nga ana e të përkohshmes në anën tjetër të të përjetshmes.

    Tek skela e Shen Anës një murg plak i nderuar, Jeronda Arsen, po më priste.

    "Je ti Jani nga Vollosi?" - më pyeti.
    "Po", iu përgjigja, "po ju si më njihni?"
    "Oh", tha ai, "I Nderuari Pararendës (Joani) iu shfaq Jeronda Josifit dje dhe i tha: "Po të dërgoj një qengj të vogël. Fute në tufën tënde.""
    Mendimet e mia ishin fiksuar tek Pararendësi i Nderuar, shenjtori im mbrojtës, pasi unë kam lindur në të njëjtën ditë me të. Isha shumë mirënjohës ndaj Tij që kujdesej për mua në këtë mënyrë.

    "Jani, hajde të shkojmë", tha Jeronda, "se Jeronda Josif po na pret."

    Morëm rrugën e ngushtë e të përpjetë të shtruar me kalldrëm. Çfarë ndjesie! Edhe të dua t'iu tregoj si ndihesha, nuk ua tregoj dot me fjalë.

    Atë natë brenda kishës së vogël të Pararendësit të Nderuar, e cila ishte ndërtuar brenda një guve, bëra metanojinë time të bindjes+ ndaj Jerondës tim. Ishte brenda asaj kishe të vogël e të ndriçuar pak në të cilën shpirti im u njoh në mënyrën e vetë me paraqitjen e ndritshme të Jerondës tim të shenjtë.

    Si nga ana shpirtërore, edhe nga ana fizike, unë isha më i riu në moshë në sinodi* dhe Jeronda Josif ishte një nga personazhet shpirtërorë Hagioritikë++ më të mëdhenj të kohës sonë. I qëndrova Jerondës në krah dhe mësova prej tij, për plot 12 vjet - pasi vetëm kaq vite jetoi Jeronda më pas. Zoti më bëri të denjë që t'i shërbej atij deri në frymën e tij të fundit të shenjtë. Dhe ai ishte i denjë që t'i shërbeje pasi kish bërë plot vuajtje shpirtërore dhe gjithë ato lutje që na i la ne si një trashëgimi të çmuar shpirtërore. Kur unë e njoha, Jeronda ishte një Zot-Mbartës i vërtetë dhe një gjeneral shpirtëror i shkëlqyer, më me përvojë se kushdo në luftën kundër pasioneve dhe demonëve. Ishte e pamundur për njerëzit që vinin e rrinin me të që të mos shëroheshin nga pasionet, pa marrë parasysh fare sa shume pasione kishin dhe sa të forta ishin, për aq kohë sa tregoheshin të bindur ndaj Jerondës.

    Jeronda gjithmonë u mësoi murgjve të tij se bindja, si bindja e Krishtit, është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ai i lejoi të njohurit e tij të krishterët që jetonin në botë që të praktikonin lutjen noetike*, por gjithmonë nën udhëzimin e atyre që ishin me përvojë, sepse ai vetë kish parë shumë mashtrime, dhe ia kishte frikën. Jeronda na thosh shpesh: "Nëse hasni në një person që nuk kërkon këshilla, ose nuk ia vë veshin këshillave që i japin të tjerët, kini për të parë që ka për të përfunduar i mashtruar shumë shpejt."

    Përsa i përkiste ushtrimit tonë asketik, ai ishte shumë strikt. Jeronda e donte me gjithë shpirt kreshmimin, vigjiljet dhe lutjen. Ushqimi që hante ishte gjithmonë nën moderim. Ai nuk hante ushqime të gatuara rishtazi nëse e dinte që kish ushqim të mbetur nga një ditë më parë, apo në disa raste edhe nga tre dite më parë.+

    Përsa i takonte dietës tonë të murgjve të rinj të vëllazërisë, Jeronda u tregua më i moderuar. E pa këtë gjë si të nevojshme pasi e pa se sa dobësi të shumta fizike kishim. Por ama na u duk sikur ky lëshim i tij karshi nesh ishte lëshimi i vetëm që ai na bëri; përveç ushqimit, për gjithë gjërat e tjera ndaj nesh ai u tregua jashtë mase kërkues. E bëntë këtë gjë jo se nuk dinte të falte gabimet apo të duronte dobësitë tona, por donte që ne të vinim në punë të gjitha fuqitë tona shpirtërore e fizike në sipërmarrjen tonë asketike. Jeronda na thosh shpesh: "Çdo gjë që nuk ia japim Zotit që ta përdori në përpjekjet tona shpirtërore, do të përdoret nga ai tjetri (Satanai). Zoti ynë na jep urdhërimin që ta duam Atë me gjithë shpirtin e me gjithë zemrën* tonë, në mënyrë që i keqi të mund të mos gjejë vend për tu prehur brenda nesh."

    Ne qëndronim zgjuar gjithë natën në lutje. Ky ishte tipikoni* ynë. Jeronda na kërkonte që të përpiqeshim - të derdhnim gjakun tonë - kundër gjumit dhe kundër mendimeve të trupit*. Vetë Jeronda mbante vigjilje në errësirën e qelisë së tij të vogël së bashku me shokun e tij të pandarë, lutjen noetike që nuk e pushonte kurrë. Edhe pse ishte i izoluar në qelinë e tij, ai e dinte se çfarë po ndodhte jashtë dhe si po silleshim ne. Me një shikim të thjeshtë ai na lexonte mendimet tona. Sa herë që shikonte se ne kishim nevojë për ngritje shpritërore na rrëfente veprat e çuditshme të Etërve të Malit të Shenjtë. Jeronda me mënyrën se si rrëfente histori të bënte për vete. Kur fillonte së rrëfyeri histori, nuk doje që të ndalonte. Pavarësisht dhuntisë së tij për të rrëfyer, shpesh na dukej sikur haste në vështirësi kur fillonte të fliste për ndriçimin* hyjnor dhe përjetimet e ndryshme të hirit, sepse fjalori njerëzor ishte i varfër dhe i pamjaftueshëm për të për të shprehur kuptimet e thella. Jeronda nuk fliste dhe dukej sikur mendjen nuk e kish më aty por larg, duke mos qenë në gjendje që të na komunikonte ne ato gjëra që egzistojnë në sferën e krejt të paditurës, në majën e tejet të shkëlqyeshme të mistikëve - atje ku e thjeshta dhe absolutja, misteret e pandryshueshme dhe të parrëfyeshme të theologjisë gjenden.

    Jeronda im nuk studioi theologji akademike por theologjinë në thellësinë e madhe. Ai na shkruan në një nga letrat e tij: "Kur nëpërmjet bindjes dhe hizikisë* shqisat e një murgu pastrohen, nousi* i tij qetësohet, dhe zemra e tij pastrohet, atëherë ai arrin të marri hir dhe lartësim shpirtëror prej dijes*. Ai bëhet gjithë dritë, gjithë nous, gjithë kthjelltësi. Ai përmbytet me kaq shumë theologji sa edhe sikur tre veta të ulen të shkruajnë çfarë po dëgjojnë, nuk do të mund të përballonin dot rrymën e hirit që vjen si valë duke shpërndarë paqe dhe një qetësim të plotë të pasioneve në gjithë trupin. Zemra digjet nga dashuria hyjnore dhe bërtet: "O Krishti im i dashur, ndali valët e hirit Tënd se po tretem si dylli." Shkrin me të vërtetë pasi nuk është në gjendje që t'i përballojë. Nousi* i tij kapet nga theoria*. Një përzierje ndodh; murgu transformohet dhe bëhet një me Zotin në atë pikë sa ai nuk njeh apo dallon dot as veten e tij, ashtu si hekuri në furrën e zjarrtë bëhet një me zjarrin." (Letra e Dyzetë e Tetë)

    Nga këto fjalë ne kuptojmë se "rreja" hyjnore e cila ndriçohet nga drita e pakrijuar, nuk ishte diçka e panjohur apo e paprekshme për të, por Jeronda e shihte si një vend dhe një sjellje e prezencës së Zotit, si një mister të parrëfyeshëm, si dritë e shkëlqyeshme. Dhe e gjithë kjo ishte e mundur për të pasi Jeronda dinte si të lutej. Shpesh herë e pamë fytyrën e Jerondës të ndryshuar dhe të ndritshme pas orësh të tëra të praktikimit të lutjes së zemrës*. Nuk është aspak e çuditshme që drita në të cilën lahej vazhdimisht shpirti i tij do të lante dukshëm edhe trupin e tij. Gjithashtu, kurorat e dritës të shenjtorëve dhe engjëjve që na shohin sytë në ikona*, nuk janë gjë tjetër veçse reflektim i dritës së pakrijuar të hirit që shkëlqen brenda tyre.

    Pastërtia e Jerondës ishte me të vërtetë mahnitëse. Mbaj mend që kur hyja në qelinë e tij natën, binte erë një aromë e këndshme. E ndjeva aromën e lutjeve të tij të mbushi gjithçka rreth tij, duke ndikuar jo vetëm tek shqisat tona të brendshme, por edhe ato të jashtme. Sa herë që na fliste për pastërtinë e trupit dhe shpirtit gjithmonë merrte si shembull Nënën e Tërëshenjtë Të Zotit.

    "Nuk ua përshkruaj dot se sa shumë Panagjia* e do dëlirësinë dhe pastërtinë. Sepse ajo është Virgjëresha e Vetme e Kulluar, dhe kështu ajo na do që të bëhemi dhe na do të gjithëve që të jemi... Nuk ka sakrificë më aromatike për Zotin se sa pastërtia e trupit dhe shpirtit që arrihet nëpërmjet derdhjes së gjakut dhe një lufte të tmerrshme." Dhe do ta mbyllte me fjalët: "Kështu që përpiquni me forcë që të pastroni trupin dhe shpirtin tuaj, dhe mos lejoni asnjë mendim trupor që të hyjë në nousin tuaj."

    Përsa i përket qetësisë, Jeronda nuk nxirrte asnjë fjalë nga goja dhe fliste vetëm kur ishte e nevojshme. Sidomos gjatë Kreshmës së Madhe, kur ishte së bashku vetëm me Jeronda Arsenin, nuk nxirrnin asnjë fjalë nga goja gjithë javën. Flisnin vetëm kur ishte e nevojshme duke filluar nga Mbrëmësorja të shtunën deri në shërbesën e Pasdarkës të Djelë, dhe pastaj rrinin prapë pa folur e në qetësi për gjithë javën në vazhdim, përdornin gjeste me duar kur u duhej të komunikonin me njëri-tjetrin. Duke qenë se Jeronda e shikonte këtë praktikë si shumë të dobishme, na e ndaloi edhe ne që të flisnim, vetëm në ato raste kur ishte vërtet e nevojshme. Kur na dërgonte me ndonjë detyrë jashtë oshënarisë sonë, e kishim të ndaluar që të flisnim me njeri. Më kujtohet se si sa herë që kthehesha, gjithmonë më bënte pyetje me imtësi për të parë nëse isha treguar i bindur dhe nëse kisha mbajtur qetësi absolute. Për një shkelje të vogël prej dy apo tre fjalësh dënimi im i parë ishte dyqind metanoi.

    Por ky njeri hyjnor ishte me të vërtetë një mjeshtër për të shërruar dishepujt e tij nga pasionet. Kur dishepujt ia dilnin që ti qëndronin pranë në bindje të plotë, përjetonin rilindje shpirtërore. Shumë njerëz vinin që të mësonin në krah të tij, por shumë pak zgjodhën të qëndrojnë. Nuk ishte e lehtë të jetoje me të. Disa e kishin të vështirë të kuptonin se si qortimet e tij ndaj padenjësisë sime ishin një dëshmi e dashurisë së tij atërore dhe kujdesit të tij ndaj shpirtit tim. Për shembull, gjatë atyre dymbëdhjetë vjetëve që jetova me të, rrallë e dëgjova Jerondën që të më thërriste në emër. Sa herë që më thërriste apo më drejtohej mua, përdorte sharrje nga më të ndryshmet dhe mbiemra të pahijshëm. Pas gjithë këtyre abuzime verbale dhe sharrjeve të bëra me kaq mjeshtëri fshihej dhembshuria e vërtetë atërore dhe një interes i sinqertë i tij në pastrimin e shpirtit tim. Sa mirënjohës është shpirti im tani për atë dhembshuri atërore!

    Qëndruam në një vend të shkretuar për disa vite. Por falë vështirësive të shumta, gati të gjithë u sëmurëm. Jeronda u informua teksa lutej se duhet të lëviznim nga lartësia e shkrepave të Skitës* së Vogël së Shen Anës ku jetonim, më poshtë tek Skita e Re. Atje klima ishte më e butë, puna jonë ishte më pak e mundishme, dhe në pak kohë të gjithë e morëm veten nga shëndeti - të gjithë me përjashtim të Jerondës. Ai kish qënë sëmurë gjithë jetën e tij. Falë mbajtjes së kreshmës, raskapitjeve gjatë vigjiljeve të gjata, djersës së lutjeve të tija, falë edhe pësimeve nga tunduesi, trupi i tij ishte kthyer në një plagë të madhe. Një ditë e pyeta Jerondën: "Jeronda, përse vazhdon të mbash kreshmë edhe kur je raskapitur gjithë jetën tënde kaq shumë?"

    "Lutem tani, biri im, që Zoti ynë t'iu japi Hirin e Tij të gjithëve ju."

    Pavarësisht nga sëmundjet fizike dhe dhimbjet, ai ndjente kaq shumë lumturi dhe qetësi brenda shpirtit të tij aq sa e kish të vështirë ta përshkruante. Na thosh vetëm se ai ndjente diçka si parajsë përbendra vetes.

    Më në fund, erdhi ora për ndarjen e tij. Vdekjen e priste gjithë jetën e tij pasi qëndrimi i tij në këtë botë ishte i mbushur me tundime dhe mundime. Shpirti dhe trupi i tij vuanin për prehje. Edhe pse ai na kish ngulitur fort në shpirtrat tanë kujtimin e vdekjes, njohja e tij me "atë misterin më të frikshëm" - vdekjen - na bëri të gjithëve ne shumë përshtypje. Na dukej sikur ai po bëhej gati për një festë të gëzueshme. Kaq shumë ndërgjegjia e tij e njoftonte për mëshirën e madhe hyjnore që e priste. Sidoqoftë, në ditët e tij të fundit ai derdhi më shumë lotë se zakonisht. Që ta ngushëllonte, Jeronda Arseni i thosh: "Jeronda, je munduar dhe lutur kaq shumë gjithë jetën tënde, ke qarë për shpirtin tënd kaq shumë, dhe tani qan akoma?"

    "Eh Jeronda Arsen. Ajo që thua është e vërtetë por unë në fund të fundit jam njeri. Ku e di unë që punët e mia janë të pëlqyeshme nga Zoti? Ai është Zot dhe nuk gjykon siç gjykojmë ne njerëzit. Pastaj, nuk është se unë do vi që të qaj prapë më vonë, kjo është mundësia ime e fundit. Sa më shumë njeriu qan e vajton për mëkatet e tij, aq më shumë do të ngushëllohet."

    Dashuria e tij pë Nënën e Zotit nuk mund të përshkruhet dot me fjalë. Sa e zinte në gojë emrin e saj, syte e tij do të derdhnin lotë. Ai kish kohë që i përgjërohej asaj që ta merrte nga kjo botë që të mund të prehej, dhe Mbretëresha e gjithësisë ia vuri veshin lutjes së tij. Ajo e njoftoi Jerondën një muaj para se të vdiste se kishte ardhur ora e tij. Jeronda më thirri mua dhe më udhëzoi se çfarë duhet të përgatisja. Pastaj ne prisnim.

    Në mbrëmjen e festës së Fjetjes së Theotokos, - 14 gusht 1959 - Z. Sotiri Skoinas nga Vollos na bëri një vizitë që të takonte Jerondën. Ata të dy ishin shokë të gushtë.

    "Si je Jeronda? Si je me shëndet?"
    "Nesër, Sotiri, do nisem për në Atdheun e përjetshëm. Silli ndër mend këto fjalë që po të them nesër kur të dëgjosh kambanat që bien."

    Atë natë, gjatë vigjiljes së Fjetjes së Theotokos, Jeronda psallti së bashku me gjithë Etërit e tjerë, aq sa e lejonte trupi i sëmurë. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, përpara se të merrte misteret e pamëkatshme, Jeronda tha: "Përgatitje për jetën e përjetshme." Ishte herët në mëngjes, data 15 gusht. Jeronda ishte ulur në karriken e tij të vogël të martirizimit në oborrin e hizikajsteronit+ tonë. Po priste orën dhe momentin e ndarjes nga kjo botë. Jeronda ishte i sigurt që do të ndodhte siç i kish premtuar Panagjia. Ama kur lindi dita dhe dielli filloi të ngjitej në qiell, Jeronda u shqetësua pak për vonesën. Ishte vizita e fundit që i bëntë i ligu. Më thirri mua dhe më kërkoi që: "Biri im, pse po vonon Zoti që të vijë e të më marrë? Dielli po ngjitet në qiell e unë jam akoma këtu!"

    "Jeronda, mos u shqetëso. Ne do të themi lutjen* për ty tani dhe pastaj do të ikësh." Lotët i pushuan. Të gjithë etërit po e thoshin lutjen pa pushim me litarët e lutjes*. Nuk kishin kaluar as pesëmbëdhjetë minuta kur Jeronda tha: "Thirr etërit e sinodisë që të vinë e bëjnë metonainë e fundit se jam gati për të ikur." Të gjithë ne bëmë metanoinë para tij dhe morrëm bekimin e tij. Menjëherë pas kësaj, Jeronda filloi ti nguli sytë në qiell për rreth dy minuta. Pastaj, u kthye nga ne me një fytyrë të qetë e me një habi shpirtërore të papërshkrueshme dot me fjalë, dhe na tha: "Gjithçka mbaroi. Unë po iki. Po ndahemi. Qoftë e bekuar!" Pastaj e vari pak kokën poshtë në të djathtë, hapi e mbylli gojën dhe sytë me qetësi për tre minuta, dhe kaq ishte. Ia dha shpirtin e tij Atij për të Cilin ai kish punuar që në moshë të re.

    Vdekja e tij ishte me të vërtetë e shenjtë. Neve na solli një ndjesi të ngjalljes. Përpara nesh kishim një të vdekur, dhe vajtimi ishte me vend, ama përbrenda nesh ishim duke përjetuar ngjalljen. Kjo ndesi nuk është ndarë prej meje që nga ajo ditë. Eshtë kjo ndjesi që gjithmonë shoqëron kujtimet e mia me Jerondën e shenjtë e të paharrueshëm.

    Jeronda Josif nuk ishte i shkolluar përsa i takon shkollimit të tij laik. Ai kish mbaruar vetëm dy klasa shkollë filloreje. Por ai ishte i ditur në gjëra hyjnore, pasi e kish mësuar Vetë Zoti.
    Universiteti i Vendit të Shkretuar i mësoi atë për të cilën ne kemi nevojë: hyjnoren.

    E dimë se murgjit do të përfitojnë nga letrat e Jerondës. E dimë gjithashtu se shumë besimtarë të thjeshtë që janë duke "luftuar luftën e mirë"6 në botë kanë përfituar nga letrat. Vetëm Zoti e di se kush tjetër do të përfitojë nga letrat e Jerondës. Sidoqoftë, këto gjëra nuk bëhen dot për vete kollaj pa patur një shpirt të fortë, as nuk i aplikojmë dot në jetët tona pa një përpjekje shpirtërore e pa shumë mundime.

    I falenderojmë të gjithë, dhe kërkojmë lutjet e Jerondës për të gjithë ata që kontribuan në publikimin e këtij libri. Ju kërkojmë ndjesë me përulësi për të gjitha gabimet tona.


    Arkmandriti Efrem,
    Ish-Aboti i Manastirit të Shenjtë të Filotheut
    në Malin e Shenjtë




    + Kur një person ka zgjedhur atin e tij shpirtëror dhe është pranuar prej tij, personi bën një metanoi* që simbolizon nënshtrimin e tij.
    ++ Hagioritik rrjedh nga Hagion Oros, qe në greqisht do të thotë - Mali i Shenjtë.
    + Duhet të kini parasysh se në atë kohë nuk kish energji elektrike për frigoriferë në Malin e Shenjtë.
    + Hizikajteron është vendi ku jetojnë hizikjastët.
    6 1 Tim 6:12
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 28-08-2014 më 00:59

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Hyrje

    Nga Dr. Constantine Cavarnos



    [ përkthimi i hyrjes do të bëhet me vonë ]

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Pjesa e Parë

    Letra drejtuar murgjve dhe besimtarëve të thjeshtë



    Pjesa e Parë: Letrat


    Letra e Parë

    Drejtuar një të riu që e pyeste në lidhje me "lutjen"


    Vëllai im i dashur në Krisht, lutem që të jesh mirë. Sot morra letrën tënde e do t'iu përgjigjem të gjitha pyetjeve të tua. Informacioni që ti kërkon nuk më ha shumë kohë mua që të mendohem e të përgjigjem. E njoh lutjen noetike aq mirë sa edhe çdo njeri njeh zanatin e tij sepse kam punuar me të për më shumë se tridhjetë e gjashtë vjet.

    Kur erdha në Malin e Shenjtë, menjëherë fillova të kërkoj oshënarët që praktikonin lutjen. Në atë kohë, dyzetë vjet më parë, kish plot njerëz që kishin jetë brenda tyre, - njerëz të virtytit, jeronda të së kaluarës. Ne zgjodhëm një prej tyre si jerondën tonë dhe morëm udhëzime edhe nga disa të tjerë.

    Tani përsa i përket lutjes, që të fillosh ta zotërosh lutjen noetike duhet ta detyrosh veten që vazhdimisht ta përsëritësh lutjen pa pushim. Në fillim duhet ta thuash lutjen shpejt: nousi nuk duhet të gjejë kohë që të krijojë mendime që të largojnë mendjen nga lutja. Trego vëmendje vetëm ndaj fjalëve: "Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua." Kur e thua lutjen gojarisht për një kohë të gjatë, nousi mësohet me të dhe me kohën fillon e thotë vetë lutjen. Pastaj lutja bëhet e ëmbël për ty sikur ke mjaltë në gojë, dhe do që ta thuash në çdo kohë. Kur pushon së thëni lutjen, ndihesh shumë i shqetësuar.

    Kur nousi mësohet me të dhe është mbushur me të, - kur e ka mësuar mirë - pastaj ia dërgon zemrës. Duke qenë se nousi i servir ushqimin nousit, detyra e nousit është që çfarëdo gjë të mirë apo të keqe që dëgjon apo shikon t'ia dërgojë poshtë zemrës, e cila është epiqendra e fuqive fizike dhe shpirtërore të njeriut, froni i nousit. Kështu pra, kur ai që thotë lutjen e ruan nousin dhe nuk e lejon që të imagjinojë gjëra të tjera, dhe i kushton vëmendje vetëm fjalëve të lutjes, atëherë arrin që duke marrë frymë butësisht me një farë vullneti dhe detyrimi personal, të sjelli nousin e tij poshtë tek zemra, dhe e mban atje brenda zemrës si në izolim duke e thënë lutjen në mënyrë ritmike.

    "Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua!"

    Në fillim e thotë lutjen disa herë dhe pastaj merr frymë. Më pas, kur nousi mësohet që të qëndrojë në zemër, thotë një lutje për çdo frymëmarrje: "Zot Jisu Krisht" merr frymë, "ki mëshirë për mua" dhe pastaj nxirre frymën. Kjo zgjat derisa hiri të mbulojë shpirtin dhe të fillojë të veprojë brenda teje. Përtej kësaj është theoria.

    Pra lutja thuhet kudo, i shtrirë në krevat, duke ecur apo duke qëndruar në këmbë. "Lutuni pa pushim. Dhe për çdo gjë falenderoni."(1) thotë Apostulli. Sidoqoftë, nuk mjafton që të luteni vetëm para se të bini të flini. Lutja kërkon përpjekje: edhe duke qëndruar në këmbë edhe kur jeni ulur. Uluni kur lodheni. Pastaj ngrihuni prapë në këmbë që mos t'iu zërë gjumi.

    Kjo quhet "praksis"*. I tregoni qëllimin tuaj të mirë Zotit, por çdo gjë varet nga Ai nëse ua jep apo jo. Zoti është fillimi dhe fundi. Hiri i Tij është forca kryesore që aktivizon gjithçka.

    Përsa i takon aktivizimit të dashurisë, do ta mësoni si aktivizohet duke respektuar urdhërimet e Zotit. Kur ngriheni natën e luteni; kur takoni një të sëmurë dhe ju dhimbset; kur takoni një të ve, jetimë apo pleq dhe bëni bamirësi ndaj tyre, atëherë Zoti ju do ju. Dhe ju e doni Zotin në këtë pikë. Ai na do i pari dhe na e derdh Hirin e Tij, dhe ne i kthejmë atë që është e Tij, "Të Tuat nga të Tuat."

    Pra, nëse kërkon ta gjesh Atë nëpërmjet lutjeve, mos lini asnjë frymëmarrje të vetme që t'iu iku pa thënë lutjen. Vetëm tregoni kujdes që të mos pranoni asnjë fantazi. Sepse Hyjnorja është pa formë, e paimagjinueshme dhe pa ngjyrë; Ai është i përsosuri suprem dhe nuk është subjekt sillogjizmash. Ai lëviz si një fllad i lehtë në mendjet tona.

    Keqardhja vjen kur sjell ndër mend se sa shumë e ke trishtuar Zotin që është aq i mirë, aq i ëmbël, aq i mëshirshëm, aq i sjellshëm, dhe i gjithi i mbushur plot me dashuri; i Cili u kryqëzua dhe i pësoi të gjitha për ne. Kur meditoni për këto gjëra e gjëra të tjera se sa shumë ka vuajtur Zoti për ne, këto sjellin keqardhjen.

    Kështu që nëse jeni në gjendje që ta thoni lutjen me zë e pa pushim, brenda dy tre muajve do të mësoheni me të. Pastaj hiri ju mbulon dhe ju freskon. Vetëm thuaje lutjen me zë e pa ndaluar. Kur nousi e kap lutjen, atëherë filloni që të mos ta thoni më me zë; dhe kur nousit i shpëton lutja nga duart, gjuha duhet të fillojë përsëri që ta thotë me zë. Duhet ta detyroni forcërisht gjuhën që ta thotë lutjen në fillim derisa të mësoheni me të. Pastaj, gjatë gjithë viteve të jetë suaj, nousi juaj do ta thotë pa u munduar fare.

    Siç më shkruan, kur të vish në Malin e Shenjtë, hajde e na tako. Por kur të vish do flasim për të tjera gjera. Nuk do kesh kohë për lutjen. Ke për ta gjetur lutjen vetëm kur mendja është duke pushuar. Kur të vish këtu ke për të vizituar manastiret dhe mendja jote do të hutohet nga gjërat që do të shikosh e dëgjosh.

    Jam i sigurt që ke për ta gjetur "lutjen". Mos ki asnjë dyshim. Vetëm trokit menjëjerë në derën e mëshirës hyjnore, dhe sigurisht që Krishti ka për të ta hapur derën. Eshtë e pamundur për Të që të mos e hapi derën. Sa më shumë do ta duash Krishtin, aq më shumë Ai do të japi. Madhësia e dhuratës së Tij, e madhe apo vogël, varet nga madhësia e dashurisë tuaj ndaj Tij, nëse është dashuri e madhe apo e vogël.




    1 1 Selanikasve. 5:17-18
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 04-09-2014 më 01:15

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Dytë

    Drejtuar të njëjtit personi në lidhje me lutjen, dhe një përgjigje për një pyetje.

    Padurimi yt për ti ardhur në ndihmë shpirtit tënd më kënaqi. Edhe unë kam një etje për t'i ardhur në ndihmë çdo vëllai që kërkon shpëtimin. Prandaj, vëllai im i dashur, hapi veshët.

    Qëllimi i njeriut, që nga momenti që lind, është që të gjejë Zotin. Sidoqoftë, njeriu nuk e gjen dot Atë, pasi duhet që më parë Zoti ta gjejë atë. "Brenda tij jetojmë e lëvizim."(1) Fatkeqësisht, pasionet tona na kanë mbyllyr sytë e shpirtit e nuk shikojmë dot. Por kur Zoti ynë i dashur na kthen syrin e Tij të dhembshur nga ne, ne zgjohemi sikur të ishim në gjumë dhe fillojmë të kërkojmë shpëtimin.

    Përsa i përket pyetjes suaj të parë, Zoti të ka parë tashmë; Zoti po të ndriçon dhe po të udhëzon. Vazhdo të punosh aty ku je. Thuaje lutjen pa pushim, edhe me gojë edhe nëpërmjet nousit. Kur gjuha të lodhet fillo ta thuash lutjen me nousin, dhe kur nousi rëndohet, gjuha le të fillojë prapë nga puna - vetëm mos pusho. Bëj shumë metanoi; mbaj vigjilje natën aq sa të mundësh. Dhe po tu ndez në shpirt një flakë me dashuri ndaj Zotit, dhe nëse kërkon hizikian dhe nuk mund të qëndrosh dot më në botë sepse lutja po të merr flakë breda teje, më shkruaj dhe unë do të mësoj se çfare duhet të bësh. Por nëse hiri nuk vepron në këtë mënyrë dhe zelli yt është i kufizuar deri në mbajtjen e urdhërimeve të Zotit karshi fqinjit tënd, atëherë rri në paqe ashtu siç je dhe do jesh mirë. Mos kërko më shumë. Ke për të zbuluar ndryshimin mes tridhjetës, gjashtëdhjetës dhe njëqindës (2) kur të lexosh Evergetinos. Atje ke për të gjetur shumë histori prej të cilave do mësosh shumë.

    Tani, në lidhje me pyetjen tjetër tënde, lutja duhet të thuhet me zërin e brendshëm*. Por duke qenë se në filli nousi nuk është mësuar me të, harron që ta thotë lutjen. Kjo është arsyeja se përse disa herë e thua gojarisht lutjen dhe disa herë e thua nëpërmjet nousit. Kjo zgjat derisa nousi të ngopet dhe hiri fillon të veprojë brenda teje.

    Ky "veprim" i hirit është gëzimi dhe kënaqësia që ti ndjen brenda teje kur thua lutjen, dhe do ta thuash pa ndalesë. Kështu që kur nousi e kap lutjen dhe ti fillon e ndjen këtë gëzimin që unë po të shkuaj, lutja do të thuhet pa pushim brenda teje vetvetiu. Kjo quhet perceptim i veprimit të hirit sepse hiri vepron pa vullnetin e njeriut. Njeriu ha, ecën, fle, zgjohet teksa përbrenda thotë lutjen me zë të fortë e pa pushim. Dhe njeriu ka paqe dhe gëzim.

    Në lidhje me orët e lutjes: duke qenë se jeton në botë dhe ke nevoja të ndryshme, lutu sa herë që ke kohë. Por detyroje veten vazhdimisht dhe me forcë që të lutet, në menyrë që të mos bëhesh neglizhent. Përsa i përket "theoria" për të cilën më pyet, është e vështirë të arrihet në botë ku jeton ti, pasi kërkon një qetësi absolute.

    Jeta shpirtërore ndahet në tre stade dhe hiri vepron tek njeriu sipas stadit në të cilën ndodhet. Stadi i parë quhet pastrimi* gjatë së cilit personi pastrohet. Ajo që ke ti tani quhet hiri i pastrimit. Ky lloj hiri e drejton njeriun drejt pendimit*. Gjithë padurimi që ti ke për të mësuar për gjërat shpirtërore vjen falë vetëm hirit. Asgjë nuk vjen prej teje. Hiri vepron fshehurazi mbi gjithçka. Kur ti ushtron lutjen, ky hir qëndron me ty për një farë kohe. Kur një person bën progres me lutjen noetike, ai merr një tjetër formë hiri që është komplet ndryshe.

    Siç e zura në gojë më lart, kjo formë e hirit quhet "perceptim i veprimit të hirit" dhe është hiri i pastrimit. Që do të thotë, në këtë pikë, kur dikush lutet e ndjen praninë e energjisë hyjnore brenda tij.

    Forma e dytë e hirit quhet hiri i ndriçimit. Në këtë stad, personi merr dritën e dijes dhe lartësohet në vegimin e Zotit. Kjo nuk do të thotë se do shikosh drita, fantazi dhe imazhe, por do të thotë kthjelltësim të nousit, pastërti të mendimeve, aftësi të thellë dalluese. Që një person të arrijë këtë stad, ka nevojë për një qetësi absolute dhe një udhërrëfyes të pagagueshëm.

    Stadi i tretë - kur të mbulon hiri - është stadi i përsosmërisë, me të vërtetë një dhuratë madhështore. Nuk do të shkruaj për këtë tani pasi nuk është e nevojshme. Sidoqoftë, nëse do të lexosh e mësosh për këtë stad, unë edhe pse jam njeri analfabet kam shkruar me dorën time një pamflet të shkurtër të titulluar: "Trumpeta që lëviz Shpirtin", dhe këtë e shkruajta kur isha vetë duke përjetuar këto transformime. Kërkoje pamftetin. Gjithashtu të duhet të blesh edhe librin e Shen Makarios të shkruar nga Zt. Schoinas titulluar "Homilitë Asketike të Shen Isak Sirianit" pasi ke për të përfituar shumë prej tij. Gjithashtu, më shkruaj për çdo transformim që has dhe do të përgjigjem me padurim të madh.

    Këto ditë jam duke iu shkrujtur të gjithë atyre që më shkruajnë letra e më pyesin. Këtë vit erdhën njerëz nga Gjermania që të më pyesnin në lidhje me lutjen noetike. Më shkruajnë që nga Amerika e largët dhe më pyesin e presin të mësojnë me padurim për lutjen noetike. Ka edhe shumë të tjerë nga Parisi që kërkojnë të mësojnë me zell të madh. Kurse ne që i kemi të gjitha këto mu para këmbëve tona, përse tregohemi neglizhentë? A është me të vërtetë kaq punë e vështirë që të thërrasim pa pushim emrin e Krishtit që Ai të ketë mëshirë për ne?

    Për më tepër, një nocion i keq i të ligut mbizotëron në kohën që ne po jetojmë: që njerëzit që e thonë lutjen rrezikojnë që të mashtrohen. Përkundrazi, vetë ky mendim është një mashtrim.

    Çdo njeri që ka dëshirë duhet ta provojë lutjen. Kur lutja vepron brenda nesh për një kohë të gjatë, kemi për të ndjerë parajsën përbrenda. Ai njeri që çlirohet nga pasionet ka për tu bërë një njeri i ri. Dhe nëse ndodhet në shkretëtirë kur kjo gjë ndodh, - oh! oh! - ka për të parë që kjo lutje nuk njeh kufij!




    1 Veprat 17:28
    2 Mateu 13:8
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 04-09-2014 më 01:14

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Tretë

    Drejtuar një murgu që po hyn në fushëbetejën e luftës

    Gëzo në Zot biri im i dashur se hiri i Krishtit tim të ka ndriçuar dhe shpëtuar nga bota; dhe ke fluturuar në një vend të shkretuar dhe jeton në një manastir me sinodinë e shenjtë, dhe tani lavdëron dhe falënderon Zotin me gjithë shpirtin tënd.

    Hiri hyjnor, biri im, është si karem që hyn në shpirt dhe e tërheq personin jo me zorr në gjëra më të larta dhe superiore. Di si të na kapi ne peshqit racionalë dhe të na nxjerri nga deti i botës. Po çfarë ndodh pastaj?

    Pasi Zoti e merr aspiruesin murgjëror nga bota dhe e sjell në një vend të shkretuar, nuk ia tregon menjëherë pasionet dhe tundimet e tij, derisa bëhet murg dhe Krishti e lidh me frikën e Tij. Atëherë fillojnë mundimet, përpjekja dhe lufta.

    Kur një fillestar përpiqet që nga fillimi dhe e ndez pishtarin e tij të asketizmit me përpjekjet e tij para se të jetë shumë vonë, flaka e pishtarit nuk do të shuhet kur hiri të tërhiqet dhe tundimet të fillojnë. Përndryshe, kur hiri tërhiqet, murgu do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Pastaj, bazuar në pasionet që ai kish kur ishte në botë, tundimet do të ngrejnë kokë e do të ringjallin zakonet e vjetra që e skllavëronin pasi vetë ai i ushqente.

    Para së gjithash, biri im, duhet të dish që ka dallime të mëdha mes dy murgjve dhe mes dy njerëzve. Ka shpirtra me karakter të butë që binden shumë kollaj. Ka edhe shpirtra me një karakter të fortë që nuk nështrohen dot kollaj. Dallojnë aq shumë nga njëri-tjetri si pambuku me hekurin. Pambukun mjafton që ta fërkosh me fjalë, por hekurin ka nevojë për një zjarr dhe furnaltë ë shpirt i tillë duhet të tregojë durim gjatë tundimeve në mënyrë që të pastrohet. Kur murgu nuk ka durim, është si puna e fenerit pa vaj: do të digjet shumë shpejt.

    Prandaj, ku një person me natyrë më të fortë se hekur vjen e bëhet murg, sapo hyn në fushëbetejë, ai rebelohet ndaj bindjes. Menjëherë e thyen premtimin dhe del nga beteja. Pastaj kur hiri tërhiqet pak për të testuar qëllimet dhe durimin e tij, shikon se si menjëherë murgu i flak tej armët dhe fillon pendohet që u bë murg. Pastaj i kalon ditët e tij plot mosbindje dhe zemërim, gjithmonë duke të kthyer fjalën me arrogancë.

    Pastaj, falë lutjeve të jerondës së tij, hiri i shpërndan sadopak retë e tundimeve në mënyrë që murgu të vijë pak në vete dhe të ndryshojë sjellje. Por menjëherë pas kësaj, ai i kthehet përsëri vullnetit të tij, mosbindjes, shqetësimit dhe mërzisë.

    Ti më shkruan për atë vëllanë që shikon atje dhe çuditesh se edhe pse ai mundohet kaq shumë duke bërë diakonemën* e tij, egoja brenda tij përsëri e pushton atë. Pse si kujton se është e lehtë për njeriun që të mundi pasionin e tij?

    Veprat e mira dhe bamirësia dhe gjithë gjërat e tjera të mira të jashtme nuk e nënshtrojnë dot mendjemadhësinë e zemrës së njeriut. Por puna mendore, dhimbja e pendimit, keqardhja e thellë dhe përulësia janë ato që përulin një shpirt të panënshtrueshëm. Eshtë e padurueshme dhe e mundimshme që të merresh me një njeri të pabindur. Mund njerëz të tillë mund të merremi vetëm duke treguar një durim shumë të madh. Këta njerëz kokëshkretë mund të vinë në vete vetëm falë durimit të madh të jerondave dhe vetëpërmbajtjes dhe dashurisë së treguar nga vëllezërit ndaj tyre. Por shiko: shpesh herë, edhe vetë këta njerëz kokëshkretë janë aq të dobishëm sa edhe dora jonë e djathtë. Pothuajse në të gjitha rastet, të tillë njerëz, të cilët shpesh bën vaki që të kenë më shumë dhunti se të tjerët, e përulësojnë vetveten me vështirësi. E mbajnë veten për njerëz të ditur dhe i shikojnë me përbuzje njerëzit e tjerë.

    Kështu që nevojitet një punë e madhe dhe durim derisa të arrijmë të gërmojmë themelin e vjetër të krenarisë, e vendin e tij ta zërë themeli i ri me përulësinë dhe bindjen e Krishtit. Por Perëndia, kur shikon përpjekjet dhe vullnetin e mirë të tyre, lejon një tjetër vuajtje të bier mbi ta që kundërvepron ndaj pasionit të tyre, dhe me mëshirën e Tij, Ai "Që do t'i shpëtojë gjithë njerëzit"(1), i shpëton edhe këta. Ndërsa ti, mund të marrësh si shembull kë të duash.

    Do të ishte gjë e mrekullueshme sikur të gjithë njerëzit të kishin një karakter të mirë, përulësi dhe bindje. Por nëse natyra juaj është më e fortë se hekuri, mos u dëshpëroni. Duhet vetëm të përpiqeni dhe nëpërmjet hirit të Perëndisë do të fitoni. Zoti nuk është i padrejtë në atë që Ai pret prej secilit prej nesh. Zoti pret që ne t'ia ripaguajmë borxhin në atë vlerë sa edhe vlera e dhuratave që Ai na ka dhënë.

    Sepse që nga fillimi i krijesës Zoti e ndau njeriun në tre klasa: Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, dhe atij tjetrit vetëm një. Ai i pari ka dhuratat më të çmuara: ai ka kapacitet mendor më të madh dhe quhet "i mësuar nga Zoti", sepse merr mësime nga Zoti pa praninë e një mësuese, siç kemi shembullin e Shen Andonit të Madh, Shen Onufrit, Shen Maria e Egjiptit, Qiril Filiotis, Llukan i Steironit dhe mijëra të tjerë që në kohët e lashta u bënë perfekt pa një udhëzues. Llojit të dytë të njeriut duhet që t'i mësosh se çfarë është e mirë që ta bëjë edhe vetë. Dhe lloji i tretë, edhe po ta dëgjojë, edhe po ta mësojë, ai prapë e fsheh nën tokë, nuk bën asgjë me atë që mësoi.

    Kjo është arsyeja përse ka një dallim të madh mes murgjve dhe njerëzve që ti takon aty. Dhe kjo është arsyeja që para së gjithash duhet që "të njohësh vetveten." Që do të thotë, të njohësh atë që ti je me të vërtetë dhe jo ajo që ti imagjinon se je. Me këtë dije të vetvetes ti bëhesh njeriu më i urtë. Me këtë lloj vetëdije ti arrin përulësinë dhe merr hirin e Perëndisë. Ke për të qëndruar gjithmonë larg rrugës së duhur nëse nuk arrin të fitosh vetëdijen por mjaftohesh vetëm me mundime. Profeti nuk thotë: "Shiko o Perëndi mundimin tim", por thotë: "Shiko përulësinë e mundimin tim."(2) Mundimi është për trupin dhe përulësia është për shpirtin. Gjithashtu, të dyja këto bashkë, mundimi dhe përulësia janë për njeriun e plotë.

    Kush e ka mundur djallin? Ai njeri që njeh dobësitë, pasionet dhe mangësitë e veta. Kushdo që ka frikë që të njohi vetveten i qëndron larg dijes dhe nuk bën gjë tjetër veçse shikon gabimet e njerëzve të tjerë dhe i gjykon ata. Një njeri i tillë nuk shikon dhunti në njerëzit e tjerë por vetëm mangësi. Dhe nuk shikon mangësitë e veta por vetëm dhuntitë e tij. Kjo pra është sëmundja që na ka pllakosur ne njerëzit e mijëvjeçarit të tetë*: nuk arrijmë dot të dallojmë dhuntitë e njëri-tjetrit. Një njeri i vetëm mund të ketë shumë mangësi por shumë njerëz së bashku kanë gjithçka. Ajo që i mungon njërit e ka tjetri. Po ta pranonim këtë gjë, do të kishim plot përulësi, sepse Zoti, i Cili e stolisi njeriun në shumë mënyra dhe tregoi pabarazi në gjithë krijesën e Tij, nderohet dhe lavdërohet; jo ashtu siç thonë të pafetë, që mundohen të sjellin barazi duke përmbysur krijesën hyjnore. Zoti i bëri të gjitha gjërat me urtësi.(3)

    Prandaj, biri im, tani që është akoma fillimi, përpiqu që ta njohësh vetveten mirë, që përulësia të bëhet një themel i fortë. Përpiqu që të mësosh bindjen dhe të fitosh lutjen. Frymëmarrja jote të kthehet në "Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua."

    Mos e lejo mendjen që të vijë vërdallë kot në mënyrë që të mos mësosh dot gjëra të liga. Mos e lejo veten që të shikosh gabimet e të tjerëve, sepse pa e ditur fare, do të kthehesh në ortak të të ligut dhe nuk do të bësh dot përpara në virtyt. Mos bëj aleancë me armikun e shpirtit tënd falë injorancës.

    Armiku dinak di shumë mirë se si të fshihet pas pasioneve dhe dobësive. Kështu që nëse do ta godasësh armikun, të duhet të luftosh dhe të mposhtësh vetveten - e kam fjalën për gjithë pasionet e tua. Kur "njeriu i vjetër"(4) vdes, armiku i keq humbet fuqinë e tij.

    Nuk jemi duke bërë betejë me një njeri të cilin mund ta vrasësh në disa mënyra, por me fuqitë dhe sunduesit e errësirës. Këta nuk i luftojmë dot me të ëmbla dhe llokume, por me lotët që na rrjedhin çurkë, me dhimbje të shpirtit deri në vdekje, me përulësi absolute dhe me durim të madh. Gjak duhet të të rrjedhi nga tejlodhja e thënies së lutjes. Duhet të mos qëndrosh dot në këmbë për javë të tëra nga lodhja e shkaktuar nga thënia e lutjes, sikur të ishe i sëmurë keq. Dhe nuk duhet të dorëzohesh në betejë, derisa demonët të munden dhe tërhiqen. Atëherë ke për të fituar lirinë nga pasionet.

    Kështu pra, biri im, detyroje veten që nga fillimi që të hyjë nga porta e ngushtë, sepse vetëm ajo të shpie në hapësirën e pafund të parajsës. Prije vullnetin tënd çdo ditë dhe çdo orë, dhe mos kërko asnjë shteg tjetër përveç këtij. Ky është shtegu që këmbët e Etërve të Shenjtë shkelën. Tregoja shtegun tënd Zotit dhe Ai ka për të të udhëzuar. Tregoja mendimet e tua jerondës dhe ai ka për të të shërruar. Asnjëherë mos fsheh as një mendim të vetëm pasi djalli ka për të fshehur dinakërinë e tij brenda tij: sapo ta rrëfesh mendimin, ai ka për tu zhdukur. Mos trego gabimin e dikujt tjetër si një mënyrë për të shfajësuar vetveten, sepse ai hiri që të kish mbuluar ty deri në atë moment, menjëherë ka për të treguar gabimet e tua. Sa më shumë ta mbulosh vëllanë me dashuri, aq më shumë hiri do të ngrohë dhe mbrojë ty nga akuzat e rreme të njerëzve.

    Përsa i përket atij vëllait tjetër që zije në gojë në letër, duket sikur ai ka disa mëkate të parrëfyera, sepse ka turp që t'ia thotë jerondës së tij. Dhe kjo është arsyeja përse e zë ai tundim. Ai duhet ta korrigjojë këtë sjellje të pahijshme pasi pa rrëfim të sinqertë njeriu nuk pastrohet dot. Eshtë turp të tallen demonët me të. Thellë brenda tij egoja është fshehur. Perëndia e ndriçoftë që të vijë në vete. Dhe ti të lutesh e ta duash atë e gjithë të tjerët; ama ruaje veten nga të gjithë.

    Sidoqoftë, tani që hyre në fushëbetejë, ke për t'iu nënshtruar shumë tundimeve të ndryshme, kështu që përgatitu të bësh durim. Thuaje lutjen pa ndërprerje dhe Zoti ka për të të ardhur në ndihmë me hirin e Tij. Tundimet asnjëherë nuk janë më të forta se hiri.



    1. 1 Thimotheut 2:4
    2. Psallmi 24:18 (Të gjitha citimet nga Dhiata e Vjetë janë nxjerrë nga Septuagintët)
    3. Psallmi 103:24
    4. Romaneve 6:6

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Katërt

    Biri im, po t'i mbash parasysh të gjitha ato që unë të shkruaj...

    Biri im, po t'i mbash parasysh të gjitha ato që unë të shkruaj, dhe e detyron veten që ti zbatosh, ke për të përfituar shumë. Të gjitha ato gjëra po të ndodhin pasi nuk je duke e detyruar veten që të thuash lutjen. Detyroje veten që ta thotë lutjen pa pushim; mos e lër fare gojën të pushojë. Kështu do të mësohesh me lutjen brenda teje dhe pastaj nousi do ta bëjë lutjen për vete. Mos ki besim të tepruar në mendimet e tua se ke për tu dobësuar dhe fëlliqesh. Nëse lutesh dhe e detyron veten që të lutet, ke për të parë se sa shumë hir ke për të marrë.

    Biri im, jeta e njeriut është e mbushur plot me hidhërime pasi njeriu është në mërgim. Mos kërko çlodhje të përsosur. Ashtu si Krishti ynë mbajti Kryqin e Tij, ashtu edhe ne duhet të mbajmë mbi supe kryqin tonë. Po i duruam të gjitha vuajtjet, kemi për të marrë hirin e Perëndisë. Perëndia lejon që ne të tundohemi që të testojë zellin dhe dashurinë tonë për Të. Prandaj nevojitet durim. Pa durim nuk ke për të fituar përvojë, nuk ke për të marrë dije shpirtërore, nuk ke për të arritur asnjë lloj virtyti apo përsosmëri.

    Duaje Jisuin dhe thuaje lutjen pa pushim dhe lutja ka për të treguar shtegun që të shpie tek Ai.

    Trego kujdes që të mos gjykosh njeri sepse pastaj Zoti do të lejojë hirin që të largohet dhe do të lejojë që ti të biesh dhe përulesh në mënyrë që të shohësh gabimet e tua.

    Të gjitha çfarë më shkruaje janë gjëra të mira. Gjërat e para që po ndjen janë falë hirit të Zotit; kur hiri vjen, e bën njeriun shpirtëror dhe e bën çdo gjë të duket e mirë dhe e bukur. Dhe pastaj ai fillon të dojë gjithë njerëzit dhe ndjen keqardhje, derdh lotë, dhe ka një shpirt të zjarrtë. Por ama kur hiri largohet që të testojë njerinë, gjithçka kthehet në fizike dhe shpirti bie. Mos u dekurajo në këtë pikë por detyroje veten që ta thuash lutjen me zë pa ndalesë me ankth, me fuqi dhe më kryesorja: "Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua!"

    Thuaj të njëjtën lutje vazhdimisht e pa ndalesë. Dhe sikur të ishe duke ia ngulur sytë Krishtit noetikisht, thuaj Atij: "Të falenderoj Ty, o Krishti im i dashur, për gjithë gjërat e mira që më ke dhënë dhe gjithë vështirësitë që vuaj. Lavdi Ty, Lavdi Ty o Zoti im!" Dhe po u tregove i duruar, hiri dhe gëzimi kanë për të të ardhur prapë. Megjithatë, tundimet, hidhërimet, ngacmimet dhe nervozizmi kanë për të ardhur prapë; pas tyre vjen lufta, fitorja dhe falenderimi. Kjo ndodh derisa pak nga pak ti pastrohesh nga pasionet e trupit dhe bëhesh njeri shpirtëror. Me kohën, me kalimin e viteve, arrin edhe çlirimin nga pasionet*.

    Megjithatë, të duhet të luftosh. Mos prit që gjërat e mira të vinë vetvetiu. Nuk ke për tu bërë murg me lluks dhe rehati. Murgu duhet fyer, përqeshur dhe testuar. Duhet që të rrëzohet dhe të ngrihet prapë në këmbë që të bëhet njeri i vërtetë. Nuk duhet të përkëdhelet në krahët e nënës. Keni dëgjuar për ndonjërin që u bë murg duke i qëndruar afër nënës së tij? Sapo murgu t'ia bëjë "Oh" nëna do t'i thotë: "Haje këtë që të mos sëmuresh!"

    Asketis*, biri im, kërkon privim. Nuk mund të arrish virtyte nëpërmjet jetës së lehtë dhe lluksoze. Nevojitet luftë dhe punë e madhe. Nevojitet që t'i thërrasësh Krishtit ditë e natë. Nevojitet durim gjatë gjithë tundimeve dhe vuajtjeve. Nevojitet që të shtypësh inatin dhe dëshirat e tua.

    Ke për tu lodhur shumë derisa të kuptosh që lutja pa vëmendje dhe pa vigjilencë* është një kohë e humbur kot; punë e pa paguar. Duhet të tregosh vëmendje si një roje vigjilent tek të gjitha shqisat e tua të brendshme e të jashtme. Po nuk tregove vëmendje, si nousi si fuqitë e shpirtit shpërndahen në gjëra të kota e të zakonshme, si ai uji i pashfrytëzuar që rrjedh nëpër rrugë. Asnjë njeri nuk e ka gjetur lutjen pa vëmendje dhe pa vigjilencë. Asnjë njeri nuk është numëruar si njeri i denjë për tu ngjitur lart pa përçmuar më parë gjërat këtu poshtë. Do të qëllojë shpesh që do të lutesh dhe mendja jote bredh sa këtu atje, ku i do qejfi, tek ato gjëra që i janë bërë zakon. Nevojitet një forcë e konsiderueshme dhe një luftë që ta largosh mendjen prej andej e t'i kushtojë vëmendje fjalëve të lutjes.

    Shpesh herë armiku do të hyjë me dinakëri në mendimet e tua, në fjalët e tua, në dëgjimin tënd, në sytë e tu, dhe ti as nuk do ta kuptosh. Kur ta kuptosh më vonë, do të duhet të luftosh shumë që ta pastrosh veten. Megjithatë, asnjëherë mos u dorëzo së luftuari kundër shpirtrave të këqinj. Falë hirit të Perëndisë, ke për të dalë fitimtar, dhe pastaj ke për t'u gëzuar për gjithçka që vuajte.

    Gjithashtu, ki kujdes - dhe thuaj edhe të tjerëve - që të mos i bëni komplimenta njëri-tjetrit kur jeni të dy të pranishëm, sepse nëse komplimentat dëmtojnë edhe njerëzit e përsosur, mendo sa më shume dëm do t'iu sjellin ju që jeni akoma të dobët.

    Ishte njëherë një shenjtor që i kish vajtur një vizitor. Tre herë i tha vizitori shenjtorit që po bënte një punë dore të mirë. Pas herës së tretë, shenjtori ia ktheu: "Që kur erdhi ti këtu, ma përzure Zotin prej meje!"

    A e shikon se sa preçizë ishin shenjtorët? Për këtë arsye, duhet të tregojmë kujdes të madh në gjithçka. Vetëm korrigjimet dhe fyerjet e ndihmojnë njeriun shpirtërisht, sepse prej tyre lind përulësia. Me anë të tyre fiton kurora, dhe duke duruar, i shtyp kokën egotizmit dhe mburrjes. Prandaj kur të të fyejnë: "Ti o egoist arrogant, ti o hipokrit i paduruar", etj, është momenti që duhet të bësh durim. Po u përgjigje, e humbe.

    Kështu që gjithmonë të kesh frikën e Perëndisë. Të kesh dashuri për të gjithë e bëj kujdes që të mos mërzitësh apo lëndosh njeri në asnjë mënyrë, sepse hidhërimi i vëllait tënd ka për t'u kthyer në një pengesë për ty kur të lutesh. Të bëhesh një shembull i mirë për të gjithë si në fjalë edhe në vepra, dhe hiri hyjnor gjithmonë ka për të të ndihmuar dhe mbrojtur.

    Dhe bëj kujdes, biri im; asnjëherë mos harro gjatë gjithë jetës tënde se murgu duhet të jetë një shembull i mirë për njerëzit e thjeshtë e nuk duhet të sillet në mënyrë skandaloze, ashtu si edhe engjëjt janë një shembull i mirë për murgun.(1) Prandaj është detyra e murgut që të jetë shumë i kujdesshëm që të mos bier pre e mashtrimeve te Satanait.

    Nëse është e nevojshme që një murg të shkojë e vizitojë botën, lëreni të shkojë. Por ama murgu duhet t'i bëjë sytë katër dhe gjithë dritë, duhet të shikojë shumë qartë që të mos dëmtojë veten teksa mundohet të ndihmojë të tjerët. Murgjit dhe murgeshat e reja në moshë, që janë në lulen e rinisë së tyre, janë më në rrezik kur shkojnë e vizitojnë botën, sepse janë duke ecur në mes të shumë kurtheve. Kurse ata murgj që janë më të pjekur në moshë dhe i kanë tharë trupat e tyre falë asketizmit, nuk janë në rrezik aq të madh. Kur këta kanë përvojë dhe dije, nuk e dëmtojnë veten por ndihmojnë shumë njerëz. Por në përgjithësi, murgu nuk përfiton gjë nga bota - vetëm lëvdata dhe nderime, dhe këto e zbazin murgun dhe e lënë bosh përbrenda. Dhe mjerë ai murg të cilin hiri hyjnor nuk e mbron sipas nevojës dhe qëllimit që ai shkoi të vizitojë botën.


    1 Shkalla e Ngjitjes Hyjnore - hapi 26:31

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,422
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Pestë

    Mos e vishni veten vetëm me gjethe

    Biri im i dashur në Zot, fëmijë e Frymës Hyjnore, unë gëzoj kur edhe ti gëzon. Zotërimet dhe Principatat gëzojnë së bashku me Çerubimin dhe Serafimin, me Ushtrinë engjëllore, me korin e Martirëve dhe të Drejtëve, dhe me Nënën tonë të Tërë-Kulluar, Mbretëreshën dhe Zonjën e të gjithëve.

    Sot më ke gëzuar shpirtin me ato që më shkruaje me letër dhe stilopas. Do të gëzohem shumë e kënaqem pa masë nëse i përmbush me besim ato që më shkruan.

    Lufta e armikut fillon pas tre ose katër vjetëve, sepse hiri largohet që të na testojë, dhe pishtari na fiket. Gjërat që të duken të bukura tani - dhe me të vërtetë janë të bukura - kanë për t'u dukur të shpifura, të zeza e të errëta. Prandaj as mos të shkojë mendja se gjërat që po je duke kaluar tani janë tundime të vërteta, sepse dikush tjetër është duke të mbrojtur. Dhe meqënëse, ti biri im i dashur, kërkove një këshillë prej një njeriu të ulët si unë, më dëgjo:

    Mos e vish veten vetëm me gjethe por hapi rrënjët thellë që të gjesh një burim, ashtu siç bën edhe pema e panjës, që të mund të tërheqësh ujë dhe të mund të rritesh vazhdimisht. Kështu që kur të bier thatësira mbi ty, nuk ke për t'u dëmtuar, se ke gjetur burimin tënd. Kur pishtari që të bën dritë tani të të fiket, do të kesh një tjetër pishtar të ndezur falë punëve të tua, dhe nuk ke për të vuajtur nga errësira. Metoda se si t'i marrësh këto bekime, është si më poshtë:

    Para së gjithash, trego një bindje të përsosur dhe të padyshimtë ndaj të gjithëve. Nga kjo lind përulësia. Shenja dalluese e përulësisë janë lotët e bollshme, që rrjedhin çurkë për tre apo katër vjet. Prej lotëve lind lutja pa ndërprerje që quhet lutja noetike. Sapo thua: "Krishti im i dashur!", lotët rrjedhin çurkë. Sapo thua: "Nëna ime Shen Mari!", nuk je në gjendje që ta kontrollosh dot veten. Pastaj prej lutjes lind qetësia në gjithë trupin dhe një paqe e përsosur.

    Njëherë një nga vëllezërit murgj desh ta kish veten nën kontroll - sepse lotët i kishin filluar t'i rridhnin e dikush i kish trokitur në derë - por nuk ishte dot në gjendje që ta kontrollonte veten dhe lotët i pushuan vetvetiu. Kaq shume fuqi kanë këto lotë.

    Kështu që po arrite ti marrësh këto bekime, nuk ke për të qenë i rrezikuar nga asgjë, pasi ke për t'u bërë tjetër lloj personi. Natyra jote nuk ka për të ndryshuar, por hiri i ndryshon cilësitë e natyrës falë energjive hyjnore të Zotit.

    Shërbesat kishtare duhet të kenë përmbajtje ashtu si edhe gjethet fshehin frutat e pemës. Psllaja duhet të bëhet me përulësi. Nousi duhet të gjurmojë kuptimin e fjalëvë të himnit. Intelekti* duhet të ëmbëlsohet nga mendimet e nousit dhe duhet t'i sodisi* ato.

    Po ashtu, edhe leximi duhet të bëhet me shumë vëmendje, në mënyrë që me anë të tij shpirti të mund të shtohet e rritet. Kështu zbehet e vdes "njeriu i vjetër" kurse njeriu i ri freskohet e mbushet plot nga dashuria për Krishtin. Dhe pastaj nuk të pëlqejnë më fare gjërat tokësore, por ke një uri të vazhdueshme për gjërat hyjnore.

    Edhe trupi, gjithashtu, duhet të luftojë me gjithë fuqinë e vetë. Gjithmonë trupi duhet t'i nënshtrohet shpirtit. As mos të të vijë keq fare për trupin. Dhe nëse je duke ngrënë apo duke punua, asnjëherë mos e ndërpre lutjen.

    Dhe në të gjitha lutjet, nousi duhet të ndjeki dhe kuptojë çfarë je duke thënë. Se nëse ti vetë nuk e kupton se çfarë je duke thënë, si do të mund të komunikosh dot me Zotin, që Ai të ta plotësojë atë që ti kërkon?

    Po bëre kështu siç të thashë, ke për ti bërë mirë vetes. Ke për të shpërtuar përgjithmonë dhe ke për të më bërë edhe mua të lumtur. Por po u tregove i pabindur falë neglizhencës, ke për të hidhëruar shumë veta.

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •