Nga Blerina Darragjati
Meqenëse nuk donte të bëhej skllave e armiqve të saj të përbetuar, të cilët nuk ia falnin sfidën që u kishte bërë gjatë viteve, vendosi t’i jepte fund jetës, ndërsa romakët ishin te porta e pallatit mbretëror.Kështu u mbyll historia e lavdishme e një perandorie të fuqishme të drejtuar nga Kleopatra 36-vjeçare.
Kohët moderne paraqesin shumë gra të pushtetshme, politikane kryesisht, që kanë bërë epokë falë aftësive për ta menaxhuar pushtetin në drejtim të realizimit të qëllimeve personale nëpërmjet ushtrimit të detyrave publike. Perëndimit i njihen kryeministrja e Anglisë, Margaret Theçer, quajtur ndryshe “zonja e hekurt”, apo sekretarja e shtetit të SHBA, Medlin Ollbrajt, por këto janë fare pak në krahasim me pushtetin e tejzgjatur dhe të mirëadministruar nga tetëdhjetëvjeçarja e fuqishme, mbretëresha Elisabet, e cila ka arritur ta radhisë Anglinë në shtatë vendet më të pasura të botës moderne. Ndërsa Lindja, deri para rënies së Murit të Berlinit është shquar më shumë për bashkëshortet e diktatorëve se sa për gratë që e kanë fituar vetë pushtetin.
Në këtë kategori bën pjesë edhe Shqipëria, ku gruaja e Enver Hoxhës, Nexhmija, arriti të ketë pushtet falë të shoqit, sepse gratë e tjera të nomenklaturës ishin vetëm për të plotësuar mozaikun e një diktature, e cila trumbetonte barazinë e gruas me burrin. Në Shqipërinë postkomuniste, gruaja më e pushtetshme politikisht quhet Jozefina Topalli, aktualisht kryetare e Kuvendit. Për të respektuar moshën e saj, le të themi se ajo ka tashmë pak kohë që i ka plotësuar vitet e duhura për të qenë kandidate për presidente. E duke hedhur një vështrim në të ardhmen e afërt, duhet të kujtojmë se Kushtetuta përcakton qartazi që kandidati për president duhet të jetë mbi 40 vjeç. Në këtë pikë, duket se sfida e fundit e Topallit në skenën politike është vetëm presidenca, pasi në pak vite ajo i ka kapërcyer të gjitha shkallët e karrierës. Nëse fiton propozimi i hedhur nga politikanë të majtë e të djathtë që presidenti të zgjidhet nga populli, ajo mund të jetë kandidatja e vetme e së djathtës për këtë post, (me siguri fituese) edhe pse do t’i duhet të heqë dorë nga posti i kryetares së Kuvendit, që praktikisht përkthehet në numrin dy të vendit.
Por nuk dihet ende, nëse ajo e ka në plan të bëhet presidente e vendit pikërisht në atë moment, kur mund t’i duhet të përballet në një sfidë të drejtpërdrejtë në popull, ndoshta me figurën karizmatike të të vetmit kundërshtar të mundshëm për president: Edi Rama. Ndërsa po të zgjidhet në bazë të Kushtetutës, pra nga Parlamenti, nga i cili i duhet të marrë 84 vota, Topalli nuk do ta ketë shumë të lehtë, të paktën gjatë kësaj legjislature, pasi në betejën e fundit parlamentare për mënyrën e votimit për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, deputetja e Shkodrës duket se e kuptoi që nuk i kishte për vete të gjitha votat e mazhorancës. Sigurisht që Topalli, gjatë bllokimit tre-javor të Parlamentit vetëm për shkak të saj, do të jetë këshilluar që të jepte dorëheqjen dhe të kandidonte sërish për atë post, sepse më në fund PD-ja edhe vetë kryeparlamentarja e kuptuan që nuk bëhej fjalë për votimin e fshehtë me kuti, por thjeshtë për çështje emrash, kështu që vendosi të qëndronte dhe as që e provoi sfidën e dorëheqjes.
Ajo e rifitoi postin e kryetares së Kuvendit me shtatë vota më pak nga ç’mori në fillim të kësaj legjislature, gjë që nuk mund të quhet një humbje e vogël. Por si arriti të ketë kaq pushtet gruaja që i hyri politikës në vitin 1996? Duhet pranuar se Topalli hyri në politikë jo si pasojë e aftësive të saj në atë kohë të panjohura, por thjesht si një element femëror në Partinë Demokratike, si një përpjekje e drejtuesve të kësaj partie për të sjellë emra të rinj në politikë, përpjekje që në atë periudhë arriti kulmin me ndërhyrjet e drejtpërdrejta të presidentit në promovimin e disa liderëve në forumin më të madh rinor të opozitës, prej nga dolën kryeministra të ardhshëm. Në disa deklarime të asaj kohe, por dhe më pas, Topalli është shprehur, se në fillim ka hezituar të kandidojë për deputete të kësaj partie në kohën e lulëzimit të pushtetit të PD-së, por më pas e ka pranuar sfidën, që duhet thënë se ishte e para. Dhe pikërisht në atë vit të manipulimit të madh të zgjedhjeve ajo arrin të fitojë bindshëm në zonën zgjedhore me numër shtatë në qytetin e Shkodrës. Në zgjedhjet e një viti më pas, ndër më të vështirat për PD-në, koha tregoi se nuk ishte manipulimi që e kishte bërë Topallin deputete, por merita e saj.
Gjithsesi pas 2 prillit të vitit 1991, në Shkodër, thuajse të gjithë kandidatët demokratë për deputetë kanë fituar, pavarësisht nga emri, aftësitë e tyre politike apo aftësitë menaxhuese të pushtetit të dhënë, por Topalli ishte ndër të parat deputete gra. Menjëherë sapo deputetja e re Topalli hyn në Parlament, duke gëzuar edhe mbështetjen e deputetëve më të vjetër të PD-së, si Pjetër Arbnori dhe Ali Spahija, merr postin e rëndësishëm të kryetares së komisionit parlamentar të ligjeve edhe pse nuk ishte eksperte në këtë fushë. Mandati i saj si deputete mbaron shumë shpejt, më 1997. Pas trazirave të cilat sollën krizë më të rëndë që pas diktaturës komuniste, Topalli fiton mandatin e dytë si deputete, në të njëjtën zonë zgjedhore me numër shtatë (duhet thënë se ky numër i ka sjellë vërtet shumë fat).
Në mandatin e dytë karriera e saj politike do të njohë një stad më të lartë, PD e propozon për nënkryetare të Parlamentit të Shqipërisë, për të cilën votojnë edhe deputetët e majtë. Sigurimi i këtyre dy posteve deri në këtë vit ishte në vazhdën e politikës së demokratëve për përfshirjen e gruas në postet drejtuese si dhe mbështetjen që vazhdonte t’i jepte Arbnori, i cili në atë kohë ishte ende i pushtetshëm në Partinë Demokratike. Më zbehjen e pushtetit të këtij të fundit në PD, Topallit i duhet ta mbrojë vetë postin e saj dhe kjo ishte vështirësi e madhe: mbajtja e pushteti dhe realizimi i ambicieve gjithnjë e në rritje për një karrierë politike jo vetëm brenda partisë. Nuk duhet harruar se në këtë galop drejt fuqizimit, zonjës Topalli nuk i ka munguar mbështetja e pazakontë e shefit të opozitës së atëhershme, Berisha.
Nga ana e saj, Topalli sidomos sipërfaqësisht ka ndjekur vijën politike të Berishës, edhe nëse ndonjëherë ka menduar se ajo ishte e gabuar. Me largimin e disa politikanëve nga PD-ja, rruga e saj për të siguruar pushtet të padiskutueshëm në këtë parti ishte e hapur dhe pa shumë probleme. Duket se politikanet nuk ishin ndonjë problem shumë i madh për t’i shmangur jo vetëm nga ndonjë post drejtues në parti, por edhe për të zbehur deri në injorim pushtetin e forumit të grave të kësaj partie. Pas vitit 1991 gratë që u përfshinë me politikën e PD ishin shumë: Rushen Golemi, Margarita Qirko, Natasha Lako, Lajla Përnaska (aktualisht deputete e PR), Albina Karamitro, Marjeta Pronjari, Antoneta Malja, e shumë të tjera që gjatë qeverisjes së parë të PD u lejuan të ngjiten deri në postet e zëvendësministreve. Por sikurse konstatohet lehtë, aktualisht asnjëra prej tyre nuk ka mbijetuar, qoftë në hierarkinë e PD-së apo të pushtetit.
Ndoshta nuk është e gabuar të mendohet se Topalli ka luajtur një rol jo të vogël në shmangien e disa prej grave me poste e më mbështetje në PD. Fakti që karriera e saj politike vazhdon të rritet në këtë parti, në përpjesëtim të zhdrejtë me rënien e zonjave të tjera nga kupola drejtuese e PD-së, tregon se ajo ka triumfuar, sepse ato ishin të paafta për të garantuar pushtetin e tyre në PD, ose u gjendën krejt papritur përballë një rivaleje, e cila luante një lojë politike krejt të ndryshme dhe agresive. Sigurisht që kjo është një meritë e padiskutueshme për Topallin, sepse jo më kot arritja e një sigurie të tillë shihet me lakmi nga politikanët e hershëm në PD.
Loja e Topallit do t’i ketë interesuar edhe Berishës, të cilit i duhej pranë një jo oponent që nuk vinte në rrezik postin e tij si kryetar, prandaj nuk e ka ndaluar rritjen e saj në politikë. Për mungesën e grave në PD, por edhe në politikë, kryetarja e Kuvendit, në disa deklarime ka ironizuar duke thënë, se nuk mund t’i marrë nga kuzhina për t’i bërë politikane, ato duhet të jenë protagoniste. Megjithatë, nuk duket se mund të shpjegohet vetëm me gjendjen e lehonës, fakti që protagonistja e fushatës elektorale të demokratëve, që u (vetë)përdor për t’i treguar elektoratit fytyrën e re të PD-së, Majlinda Bregu, është më e heshtur se kurrë.
Ajo tani i ka të gjitha mundësitë dhe kohën për ta kthyer protagonizmin e saj elektoral në protagonizëm politik dhe për të dëshmuar vërtetësinë e “Kohës për ndryshim”. E kundërta e Bregut është ministrja aktuale e Integrimit, Arenca Trashani, një përfaqësuese e asaj që disa kanë dëshirë ta quajnë botë akademike e Universitetit të Shkodrës. Ajo nuk ishte as pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave, siç ishin disa gra të tjera, disa prej të cilave janë shpërblyer nga Berisha. Këmbëngulja dhe më pas ndryshimi i destinacionit në emërimet e Edit Harxhit, aktualisht zëvendësministre e Jashtme dhe e Tatjana Kongoli, funksionare e lartë në këtë ministri, të shtyjnë të mendosh se nuk është hera e parë që në partinë më të madhe qeverisëse, manovrimi me dy standarde është një praktikë e njohur. Duhet të kujtojmë se Trashani nuk ishte propozim i Topallit, por u mbështet fuqishëm prej saj në kuadrin e ndryshimit të imazhit të Partisë Demokratike në elektorat. Kjo mbështetje nuk i mungoi deputetes më të re të Shkodrës as gjatë krijimit të qeverisë së pas 3 korrikut.
Kalimi brenda pak orëve nga ministre e Drejtësisë në ministre e Integrimit tregon se Topalli ka patur pushtet absolut në korrektimin e emrave, në lëvizjen e posteve, jo vetëm të Trashanit, sepse shihej qartë se kryeministri i ri ishte aq shumë i përqendruar në krijimin e aleancave të reja sa mund të pranohet se përfaqësuesit e PD-së në qeveri i ishin besuar ekskluzivisht kryetares së premtuar të Kuvendit. Dhe ja tek është momenti kur Topalli i ka të gjitha të drejtat për emërime në Ministrinë e Integrimit dhe Trashanit nuk i mbetet tjetër, vetëm të zbatojë udhëzimet. Kjo nuk është krejt e gabuar, sepse duke mos pasur eksperiencën e duhur në fushën e minuar të integrimit, Trashanit i duhet një ndihmë e madhe për të menaxhuar dhe meqë këshilltarët i ka me më pak eksperiencë politike se veten dhe meqë zëvendësministrat mendojnë vetëm për akumulim të pushtetit personal politik, ministres i mbetet të ndjekë këshillat e Kryetares së Kuvendit, e cila mund të jetë përcaktuese në fatin politik të saj.
Deri tani Trashani ka konfirmuar se nuk premton të bëhet protagoniste politike. Është e qartë se nuk ishte meritë e saj nënshkrimi i marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit; dikush duhet ta firmoste një ditë. Madje Trashani nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’u profilizuar si politikane dhe vetë kjo plogështi e pashoqe për një ministre e bën tepër naiv të menduarit se një ditë ajo mund të kthehet në një rivale të mundshme të Topallit. Emërimet e gruas më të pushtetshme në PD dhe Shqipëri, nuk janë vetëm në ministrinë e Integrimit. Pushtetin për të emëruar apo për të vendosur veton ish-nënkryetarja e Parlamentit e ka ushtruar me sukses që në opozitë. Fitorja më e madhe e asaj periudhe ishte emërimi i Dodë Prengës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të njohur në Shkodër dhe në PD si i afërt, jo i afërm, me Topallin.
Për t’ia imponuar PD-së këtë emër do t’i jetë dashur një luftë e madhe politike brenda partisë. Gjithashtu, ajo ka ditur të menaxhojë pushtetin lokal në Shkodër, në favor të krijimit të një klime të domosdoshme për absolutizimin e pushtetit personal politik, duke dhënë shembuj se zërat që do ta vinin në diskutim këtë kult të ri të zonjës shkodrane, do ta gjenin menjëherë veten jashtë politikës së vogël të atij qyteti. Emërimet e kandidatëve për kryetar bashkie apo për kryetar të PD-së në Shkodër nuk mund të ndodhin pa pëlqimin e kryetares së Kuvendit. E vetmja humbje e Topallit nëse mund të konsiderohet humbje, është ajo e zgjedhjeve të fundit lokale, ku kandidati i saj, Roland Rasha (aktualisht nënkryetar bashkie) edhe pse s’kishte pëlqimin e Berishës, “u tërhoq” për arsye shëndetësore, për t’u zëvendësuar me Artan Harxhin pjesë e profesoratit të Universitetit të Shkodrës.
Sa i takon situatës së pas 3 korrikut, mund të thuhet pa frikë se të gjithë drejtuesit e kompanive, ndërmarrjeve apo institucioneve shtetërore në Shkodër, janë emëruar drejtpërdrejtë me pëlqimin e saj. Prefekti i Qarkut, gjithashtu. E vetmja grua që ka arritur të bëjë karrierë është nënkryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e cila gjithashtu është aty falë pëlqimit të Topallit. Edhe një tjetër drejtuese e re në bashkinë e qytetit, gjithashtu është shpërblyer nga deputetja e zonës nr. 7, për kontributin familjar në fitoren e 3 korrikut. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është figurë politike me pushtet të padiskutueshëm, ndaj së cilës Berisha duhet të tregohet i kujdesshëm.
Shumë pak herë mund të jenë bërë publike përplasjet e tyre. Një nga të vetmet dhe më të hapurat ishte përplasja për kryeprokurorin. Në kohën e emërimit të Sollakut, Berisha ishte pro ish-këshilltarit të tij presidencial, ndërsa Topalli në mënyrë kategorike ishte kundër ish-kandidatit humbës të PD-së për deputet më 1997 në zonën 78, në Fier. Asokohe Berisha e quajti qëndrimin e Topallit si personal dhe jo qëndrim politik të partisë, e cila në unison votoi pro Sollakut, përveç ish-nënkryetares së Kuvendit. Ndërsa tani, koha po i jep të drejtë Topallit, pavarësisht motivimeve të saj në mbrojtjen e votës kundër. Qëllimi justifikon mjetin: nëse Topalli ka ambicie për më lart dhe qëndrim të gjatë në politikë, atëherë është i kuptueshëm largimi i grave të tjera nga politika. Është e padiskutueshme merita e zonjës Topalli në ngjitjen e saj në karrierë.
Gjatë tetë viteve të qeverisjes, socialistët kanë pasur më shumë gra në politikë dhe në pushtet, si Makbule Çeço, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Arta Dade ish-ministre e Jashtme dhe e Kulturës, Ermelinda Meksi ish-ministre e Integrimit, protagonisten Monika Kyemadhi apo deputetete si Rajmonda Stefa, por asnjëherë nuk u kanë dhënë mundësinë të shkojnë aq lart sa Topalli. Madje në legjislaturën e kaluar gjatë votimit që iu bë Topallit për nënkryetare Parlamenti, të majtët treguan dobësi taktike duke i dhënë asaj aq vota sa i duhen një kandidati për president. Ndërsa grave të tjera të politikës, të së majtës apo të së djathtës, të cilave nuk u pëlqen apo nuk dinë ta luajnë mirë lojën e ditës, u mbetet të presin zbatimet e rekomandimeve të Këshillit të Europës që 30 për qind e legjislativit t’u takojë detyrimisht grave .
Sot.com.al
Krijoni Kontakt