Medin Zhega “zbret” femrat shqiptare në fushën e blertë
Shkruar nga Leonard Karaj
07 August 2007
Së shpejti edhe femrat shqiptare do të luajnë futboll. Edhe ato do të kenë federatën, kampionatin dhe skuadrat e tyre, ashtu sikundër ndodh në shumë vende të rruzullit tokësor. Iniciativa vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka vendosur dje që të organizojë edhe një kampionat për femrat.
Komiteti Ekzekutiv i mbledhur dje në ambientet e kësaj federate ka optuar për ngritjen e një komisioni, i cili do të merret me organizimin e futbollit të femrave në Shqipëri. Gjëja që të bie në sy në këtë komision, është pjesëmarrja si kryetar i ish-trajnerit të kombëtares shqiptare, Medin Zhegës. Ky i fundit është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë në historinë e saj një kampionat futbolli ku mund të luanin femrat. Kjo edhe për faktin se futbolli dhe disa sporte të tjera si boksi dhe peshëngritja deri në vitet ‘90-të është parë më tepër si ekskluzivitet i meshkujve. Ndërkohë që në dekadën e fundit të shekullit XX dalëngadalë u ringjall peshëngritja për femra dhe tashmë synohet që edhe futbolli të pushtohet nga këto të fundit. E vetmja femër që ka luajtur deri tani një ndeshje futbolli ka qenë këngëtarja vlonjate, Aurela Gaçe. U desh që në tapetin e stadiumit “Qemal Stafa” të zbrisnin balerinat italiane në një ndeshje ndaj artistëve shqiptarë që në fushën e lojës të shikonim edhe një femër shqiptare.
Fakti se në krye të komisionit është vënë një figurë e madhe e futbollit shqiptar gjatë viteve ‘60-‘70 tregon për seriozitetin me të cilën e ka marrë federata zbritjen në fushën e blertë edhe të futbollisteve femra në një të ardhme të afërt. Medin Zhega është ndër të vetmit trajnerë shqiptarë që ka kryer studime në shkollën e trajnerëve të Koverçianos në Itali. Si i tillë ai është parë nga KE se personi i duhur për të ngritur futbollin e femrave në Shqipëri. Si futbollist ai ka luajtur për 18 vjet, nga viti 1961 deri ne vitin 1979. Ndërsa si trajner ka drejtuar Vllazninë, ekipin kombëtar të U-21, ekipin tonë përfaqësues në eliminatoret e kampionatit botëror 2000-2002 si dhe ekipin F.K. Shkëndija HB Tetovë, Maqedoni gjatë sezonit 2002-2003. Aktualisht ai është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit.
tirona observerja..
Krijoni Kontakt